Blog

Si të riktheheni në formë, pas pushimeve

Si të riktheheni në formë, pas pushimeve

Tani që festat kanë përfunduar, është momenti t'i kthehemi jetës dhe realitetit, pasi pritshmëri të reja dhe qëllime të reja qëndrojnë përpara nesh. Por kthimi shpesh nuk është i lehtë. Përshtatja me punën pas pushimeve, e sidomos kur ato janë të zgjatura si këtë vit (shumica rifillon zyrtarisht sot më 6 Janar), është një sfidë. Grumbullimi i gjërave mund të jetë shumë i vështirë për tu menaxhuar. Për këtë arsye, po ju sjellim disa këshilla (artikulli me autore Alyse Kalish), në mënyrë që të filloni me kujdes, aq sa të mos keni nevojë për një palë pushimesh të tjera. Fillojeni mbarë 2020-n. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Është e drejtë ajo që thuhet që njerëzit e urrejnë fillimin e Janarit pothuajse aq sa e duan fundin e Dhjetorit. Nuk ka më pritje për pushime, ditë pushimesh për të shijuar, festat e kompanive për të marrë pjesë ose takime me shoqërinë për t’i shënuar në kalendarët tanë.

E ndiej pezmatimin tuaj - mbas gjithë atij gëzimi të mrekullueshëm në fund të vitit të shkuar, tani duhet të kthehemi në zyrë dhe të punojmëEhhh.

Unë do dëshiroja t'ju tregoja pak për bregdetin, por realiteti është që, tani është koha kur ju duhet të filloni të merreni me punën tuaj - dhe kështu të jepni edhe produktivitetin juaj.

Për t'ju ndihmuar të kaloni këtë gjendje të pas pushimeve, këtu janë disa këshilla për t'u rikthyer përsëri në punë, duke filluar nga sot:

Vendosni rregull për gjërat që do bëni

Gjëja e parë që duhet të bëni, organizohuni. Jo vetëm sepse kjo do ta bëjë pjesën tjetër të javës tuaj më të lehtë, por sepse është një detyrë e thjeshtë, që do t'ju bëjë të ndiheni të motivuar për të bërë më shumë punë.

Pra, merrni një copë letër dhe laps ose filloni një shënim të ri në kompjuterin tuaj dhe rendisni të gjitha çështjet tuaja për këtë muaj (ky nuk është momenti për një sistem të sofistikuar organizimi). Pastaj, renditini ato sipas urgjencës ose afatit, duke përdorur numrat.

Pastaj, vendosni se si do ta kaloni sot - do t’ju duhet pak kohë për ta bërë këtë listë e ndoshta keni shpenzuar dy orët e para të ditës suaj, prandaj është më mirë të filloni me gjëra të vogla. Jepini vetes një deri në tre detyra të mëdha për të përfunduar – nga ato që shefi ose klienti juaj mezi po presin që t’i përfundoni — dhe pjesën tjetër të gjërave, për më vonë, gjatë javës.

Përzgjidhni përparësitë në Inbox-in tuaj

Ju ndoshta keni shumë email-a. Sot nuk është dita për të kontrolluar të gjitha email-at tuaj. Në vend të kësaj, ndoshta do të jetë më mirë të krijoni tre etiketime të email-ave, të quajtura: Duan përgjigje sot, Duan përgjigje këtë javë, Ndoshta pa përgjigje (që edhe mund t’i fshish).

Pastaj, duke shkuar nga një email tek tjetri, filtroni të gjitha këto email në këto tre dosje. Pasi ta keni bërë këtë, përqendrohuni sot, vetëm në dosjen e parë (dhe ruajeni atë dosjen e fundit për të Premten, kur të keni mbaruar me punët e javës).

Mos harroni: Nëse diçka është me të vërtetë urgjente, dërguesi ka të ngjarë t'ju shkruajë përsëri.

Shtyni takimet jo urgjente

Përfundimisht, do të duhet të ballafaqoheni me gjërat që keni më shumë frikë: takimet. Por meqenëse tashmë ndjeheni të mbingarkuar me detyra, është veprim i zgjuar ta përdorni kohën tuaj për të bërë gjërat në listën tuaj të detyrave, duke mos u ulur në takime të zgjatura prej më shumë se një ore.

Kështu që, nëse mundeni, riorganizoni këto mbledhje në kalendarin tuaj, për më vonë gjatë javës. Nëse është diçka vërtet urgjente, provoni të filloni diskutimin përmes email-it.

Jepini kohë vetes të merrni frymë

Sot është vërtet momenti që të besoni tek fuqia e pushimeve të shkurtra — seriozisht e kam. Nëse mendoni se, do të jeni në gjendje të përqendroheni në punë, për nëntë orë, menjëherë pas disa ditë pushimesh, kjo tregon se nuk e njihni veten, aq mirë sa duhet.

Pra, sigurohuni që të bëni disa pushime gjatë gjithë ditës (edhe për një pesë minutësh, për të pirë një kafe në kuzhinë), dhe gjithashtu, përdoreni kohën tuaj të pushimit të drekës, për të ngrënë larg tryezës tuaj të punës. Sa më lehtë ta kaloni sot në punë, aq më lehtë do të jetë gjatë java. Ju nuk doni të digjni të gjithë energjinë tuaj që ditën e parë, apo jo?

Fatkeqësisht nuk ka asnjë formulë sekrete për të filluar menjëherë e me të gjitha energjitë, pas një periudhe pushimi. Shpresa ime është që të keni rigjeneruar forcat aq sa duhet, që të jeni të emocionuar për t'u rikthyer në punë - ose të paktën të keni energji për t'u rikthyer në të.

Gjëja më e mirë që mund të bëni është të jeni të sjellshëm me veten dhe t’i jepni pak kohë që të kapë ritmin, edhe nëse të tjerët nuk e bëjnë (si shefi yt kërkues). Bëjeni sa më mirë që të mundeni, përgëzojeni veten për të gjitha gjërat që bëni, dhe para se ta kuptoni, do të “ktheheni” në punë më i efektshëm se asnjëherë më parë.