Blog

10 Mësime të mësuara nga shefat e tmerrshëm

10 Mësime të mësuara nga shefat e tmerrshëm

"Të kesh një shef të keq nuk është faji yt. Qëndrimi me të, është” - thotë Nora Denzel. E megjithatë jeta është e tillë, e ndoshta kryqëzohet me një shef të keq. Jo gjithmonë gjërat mund të zgjidhen duke u larguar nga problemi, aq më shumë kur mund të keni bashkëpunëtorë të shkëlqyer dhe ta doni fushën në të cilën po punoni. Në këtë rast, ju mund të sakrifikoni duke i kthyer situatat negative me shefin tuaj, në mësime të vlefshme për të ardhmen. Së paku, të mos bëheni një shef, si shefi juaj i keq. Merrni 10 mësime të nxjerra nga Michael O'Brien, gjatë eksperiencës së tij me shefa të këqinj, dhe përfitoni sa më shumë prej tyre. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Ndërsa po ngisja makinën, për të çuar vajzën time të vogël në palestër, rreth orës 2 pasdite, të së dielës, dëgjoj zilen e celularit tim. Në fillim po hezitoja të përgjigjesha, por e dija se injorimi i thirrjes do të ishte më keq. E hapa telefonin me kujdes, dhe për 10 minutat e ardhshme, hipa në një slitë emocionale, ndërsa dëgjoja shefin tim të ri, duke u sjellë rrotull, e duke u përpjekur të kuptonte, njërën prej nismave tona të fundit të marketingut.

Kur telefonata mbaroi, erdhi koha që vajza ime të zbriste, por përpara se të dilte nga makina, ajo pyeti: - "Kush ishte ai? Ai duket i tmerrshëm".

I thashë asaj se ishte shefi im, dhe, me mençurinë e saj të klasës së shtatë, ajo u përgjigj: - "Pse punon për të?" Ishte një pyetje e shkëlqyer. Në atë moment, nuk pata një përgjigje më të mirë. 

Si shumica e njerëzve, edhe unë kam punuar për disa drejtues fantastikë, të cilët më kanë formuar si lider dhe më kanë mësuar disa leksione, si për karrierën edhe për jetën.

Por, kam punuar edhe për disa njerëz shumë të tmerrshëm, që i bënin gjërat, le të themi më e pakta, të vështira. Megjithatë, puna me secilin prej tyre kishte edhe aspektin pozitiv: Ata më mësuan po aq sa edhe më të mirët.

Këtu janë 10 mësime lidershipi, që i kam mësuar nga shefat e mi të tmerrshëm - dhe ato që mund t’i mësoni gjithashtu edhe ju, prej tyre.

1. Biseda është një portë suksesi. Shefat e tmerrshëm kanë vështirësi të bëjnë një bisedë të dyanshme, që vlerëson të dëgjuarit për të krijuar lidhje kundrejt dëgjimit për t’u përgjigjur. Ata zakonisht u tregojnë njerëzve se çfarë duhet të bëjnë dhe rrallë bashkë-krijojnë dhe e respektojnë atë, që suksesi fillon kur ne flasim me njëri-tjetrin, jo njëri-tjetrit.

2. "Po, dhe ..." fiton mbi "Po, por ...". Shefat e këqinj, të cilët drejtojnë me një qasje "Po, por..." dhe janë të përqendruar në atë që është e gabuar ose dobësi, mund t'ju mësojnë, se një ekip, ngrihet më shpejt, me një filozofi "Po, dhe...", që mbështetet në forcat dhe arritjet e njerëzve. 

3. Falenderimet nuk kanë kohë. Shefat e paaftë nuk i njohin arritjet e të tjerëve dhe nuk tregojnë vlerësim të vërtetë, aq shpesh sa që e pranojnë edhe vetë, se kanë gabuar (d.m.th. rrallë). Falenderimet, veçanërisht ato të shkruara me dorë, kurrë nuk dalin "jashtë mode" dhe ndihmojnë për të ecur shumë përpara drejt forcimit të besimit, sjelljes përforcuese dhe nxjerrjen e më të mirës, nga të tjerët.

4. Lërini njerëzit të marrin frymë. Të punoni për një shef të stresuar, i cili beson se duhet ta shfaqë stresin, të qëndrojë pas shpatullave duke vëzhguar dhe të bëjë që të vraponi, por pa rezultat, mund të detyrojë cilindo që të dorëzojë letrën e dorëheqjes. Një qasje më e mirë, u jep anëtarëve të ekipit një shans për të marrë frymë dhe menduar, si dhe autonomi, për të kryer punë cilësore, për gjërat që me të vërtetë kanë më shumë rëndësi.

5. Nuk ka të bëjë me mua. Të punosh për shefa egocentrikë, që udhëheqin me konceptin "fuqi MBI të tjerët" dhe që nuk arrijnë të kuptojnë se lidershipi nuk lidhet personalisht me ta, mund t'ju ndihmojë të shikoni që të merrni më shumë me konceptin "fuqi ME të tjerët" dhe me vlerësimin "Ne mbi Unë".

6. Etika ka rëndësi. Të punosh për një shef që e ka nënvlerësuar lëndën e etikës në kolegj dhe që i bie shkurt gjërave, mund të të mësojë shumë mirë kuptimin e shprehjes "peshku qelbet nga koka", dhe që, këto sjellje joetike mund të zbresin shkallë-shkallë, në të gjithë organizatën. Ashtu si letra e falënderimit, edhe integriteti nuk del kurrë "jashtë mode".

7. Gjithçka del në pah. Shefat e tmerrshëm mund të na venë në provë vetë-besimin dhe të na bëjnë të ndjehemi të mbërthyer apo ngecur në vend. Por kështu ata bëhen mësuesit tuaj më të mirë, për t'ju ndihmuar të shikoni aftësitë dhe zhgënjimin brenda jush, si dhe vlerën e eksplorimit të mënyrave të ndryshme, për t'i bërë gjërat ndryshe.

8. Çështje e komunitetit. Shefat e këqinj kanë një aftësi të çuditshme për të përçarë njerëzit. Të përpiqeni për të mbijetuar në një mjedise pune të izoluar, ju forcon rëndësinë e liderit që i bashkon njerëzit dhe komunitetin.

9. Gjithçka është neutrale. Kur jeni nën gishtin e një shefi të tmerrshëm, është e natyrshme të besoni se gjithçka që po ndodh është e tmerrshme. Ky është një shkak, që mund të çojë në një ditë të keqe. E vërteta është se gjithçka është neutrale, derisa ju ta etiketoni atë. Gjithmonë keni një zgjedhje midis marrjes peng nga drejtuesi juaj i tmerrshëm ose përdorimit të situatës, si një mundësi për të mësuar, duke mos lejuar që ajo t'ju çojë dëm ditën tuaj.

10. Dashuria gjithmonë fiton mbi frikën. Gjëja që i bashkon më shumë shefat e tmerrshëm, është se ata drejtojnë bazuar mbi frikën, gjë e cila mund të funksionojë për periudha të shkurtra, por që sjell mungesë angazhimi në periudha afatgjata. Ata mund t'ju ndihmojnë të kuptoni shenjat, se kur të tjerët janë të shqetësuar ose në ankth, dhe rëndësinë e udhëheqjes me dhembshuri, për të ndërtuar besimin dhe suksesin.

Fatkeqësisht, unë nuk kam një formulë magjike për të shmangur bosët e tmerrshëm. Ata janë pjesë e karrierës së pothuajse të gjithëve. Kur keni një shef të tmerrshëm, përpiquni të mbani mend se ato që ai thotë dhe bën, kanë të bëjnë me të, dhe ju keni një zgjedhje se si të përgjigjeni. Një nga mënyrat më produktive për t'u përgjigjur, është, të provoni të zbuloni mësimet e lidershipit, që ata po ju japin pa dashje.