Blog

10 Parimet themelore të lidershipit, që udhëheqësit e mëdhenj i përdorin për të ndërtuar ekipet e tyre

10 Parimet themelore të lidershipit, që udhëheqësit e mëdhenj i përdorin për të ndërtuar ekipet e tyre

Ndërtimi dhe përsosja e bizneseve, si në të gjitha fushat e jetës, realizohet nëpërmjet drejtimit të ekipeve dhe udhëheqja është në thelbin e menaxhimit. Për të siguruar performancë dhe rezultate më të mira nga njerëzit, një menaxher duhet të rrisë më shumë ndikimin e tij mbi ta. Dhe për ta bërë këtë, udhëheqja është përgjigja. Artikulli i sotëm, me ide nga Brad Sugars, është një paraqitje e përmbledhur mbi atë se si duhet të jetë një udhëheqës i ditëve të sotme në biznes (e jo vetëm). Udhëheqja është art, ku një individ ndikon një grup individësh për arritjen e një objektivi të përbashkët. Zotërojeni këtë art! Lexim të këndshëm!

* * * * *

Si mund të dallohet një udhëheqës i madh?

Themeluesi dhe drejtuesi i projektit ActionCOACH, Brad Sugars beson se kur njerëzit vendosin të të respektojnë si udhëheqës, ata vëzhgojnë atë që bëni ju, për të ditur se kush jeni në të vërtetë.

Njerëzit e përdorin këtë vëzhgim për të identifikuar nëse jeni një udhëheqës i nderuar dhe i besuar, apo një person që mendon vetëm për veten dhe që keqpërdor autoritetin.

Një udhëheqës i mirë ka një karakter të ndershëm, që pa menduar për veten i shërben organizatës së tij ose të saj. Në sytë e punonjësve tuaj, udhëheqja juaj është gjithçka. Veprimet tuaja ndikojnë në objektivat e organizatës dhe mirëqenien e tyre.

Sipas tij, një udhëheqës i respektuar përqendrohet në tri fusha kyçe:

  1. Të qenit - ajo që ai ose ajo është (besimet dhe vlerat)!
  2. Të diturit - ajo që ai ose ajo di (pozicionin, detyrat, natyrën njerëzore)!
  3. Të bërit - ajo që ai ose ajo bën (zbatimi, motivimi dhe drejtimi)!

Çfarë e bën një person të ndjekë një udhëheqës?

Njerëzit duan të udhëhiqen nga dikush që e respektojnë dhe që ka një kuptim të qartë të drejtimit.

Për të fituar respekt, ata duhet të karakterizohen nga etika.

Ndjenja e drejtimit arrihet duke përcjellë një vizion të fortë e të qartë për të ardhmen.

Tre çelësat kryesore të udhëheqjes

Studimet kanë treguar se besimi në lidershipin më të lartë është parashikuesi më i saktë i kënaqësisë së punonjësve në një organizatë.

Komunikimi efektiv i lidershipit në tri fusha kritike, është çelësi për të fituar besimin organizativ dhe sigurinë.

  1. Ndihmoni punonjësit të kuptojnë strategjinë e përgjithshme të biznesit të kompanisë.
  2. Ndihmoni punonjësit të kuptojnë se si kontribuojnë ata në arritjen e objektivave kryesorë të biznesit.
  3. Ndani informacion me të punësuarit, si për mënyrën se si po ecën kompania, ashtu edhe si po ecën sektori, ose departamenti i një punonjësi - në lidhje me objektivat strategjike të biznesit.

Në thelb, ju duhet të jeni të besueshëm dhe të aftë për të komunikuar vizionin se ku po shkoni.

10 Parimet e Lidershipit - sipas Brad Sugars

  1. Njihni veten dhe kërkoni vetë-përmirësim. Në mënyrë që të njohësh veten, duhet të kuptosh atributet e tua "të të qenit", "të diturit" dhe "të bërit". Kjo bëhet e mundur duke forcuar vazhdimisht atributet tuaja duke lexuar dhe vetë-studjuar.
  2. Të jeni teknikisht i aftë. Si udhëheqës, duhet të njihni mirë punën tuaj dhe të keni një familjaritet të mirë të detyrave të punonjësve tuaj.
  3. Kërkoni përgjegjësi dhe merrni përgjegjësi për veprimet tuaja. Kërkoni mënyra për të udhëhequr organizatën tuaj në lartësi të reja. Dhe kur gjërat shkojnë keq, mos i fajësoni të tjerët.
  4. Merrni vendime të shëndosha dhe në kohë. Përdorni mirë mjetet në zgjidhjen e problemeve, vendimmarrjen dhe planifikimin.
  5. Jepni shembullin. Bëhuni një model i mirë për punonjësit tuaj. Ata do të besojnë atë që shohin - jo atë që dëgjojnë.
  6. Njihni njerëzit tuaj dhe kujdesuni për mirëqenien e tyre. Jini të vetëdijshëm për natyrën njerëzore dhe rëndësinë e kujdesit të sinqertë për punëtorët tuaj.
  7. Mbani njerëzit të informuar. Duhet të dini si të komunikoni me njerëzit tuaj, të moshuarit dhe njerëzit e tjerë të rëndësishëm brenda organizatës.
  8. Zhvilloni ndjenjën e llogaridhënies, pronësisë dhe përgjegjësisë tek njerëzit tuaj. Këto tipare do t'i ndihmojnë ata të ndjejnë përgjegjësitë e tyre profesionale.
  9. Sigurohuni që detyrat të kuptohen, të mbikqyren dhe të përmbushen. Komunikimi është çelësi i kësaj përgjegjësie.
  10. Trajnoni njerëzit tuaj si një ekip. Duke zhvilluar shpirtin e ekipit, ju do të jeni në gjendje të vini në lëvizje organizatën, departamentin ose seksionin tuaj, në maksimumin e aftësive të tyre.

Procesi i Lidershipit

  1. Frymëzoni një vizion të përbashkët - Së pari, shpreheni vizionin tuaj, me fjalë që mund të kuptohen nga ndjekësit tuaj.
  2. Sfidoni procesin - Së dyti, gjeni një proces, për të cilin besoni se duhet të përmirësohet në pjesën më të madhe.
  3. Lejoni të tjerët që të veprojnë – Fuqizojini ata me mjetet, autoritetin dhe metodat e nevojshme për të zgjidhur vetë problemet.
  4. Modeloni mënyrën, rrugën, drejtimin - Kur procesi has vështirësi, bëjini edhe ju “duart pis”. Një shef i tregon të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë, një udhëheqës i tregon se mund të bëhet.
  5. Inkurajo me zemër - Ndani lavdinë me zemrat e pasuesve tuaj, mbani dhimbjet në zemrën tuaj.

Fjalët e përdorura shpesh (ose jo) në Marrëdhëniet e rëndësishme njerëzore

  1. Gjashtë fjalët më të rëndësishme: "Unë pranoj se kam bërë gabim"
  2. Pesë fjalët më të rëndësishme: "Realizuat një punë të mirë"
  3. Katër fjalët më të rëndësishme: "Cili është mendimi juaj?"
  4. Tri fjalët më të rëndësishme: "Nëse jeni dakort"
  5. Dy fjalët më të rëndësishme: "Faleminderit shumë"
  6. Një fjalë më e rëndësishme: "Ne"
  7. Fjala më e pa-rëndësishme: "Unë"