Blog

6 Mënyra praktike për të krijuar një kulturë, që punonjësit të dëshirojnë të vijnë në punë

6 Mënyra praktike për të krijuar një kulturë, që punonjësit të dëshirojnë të vijnë në punë

Punonjës i kënaqur apo Punonjës i angazhuar? A mund të jeni punonjës i angazhuar ndërkohë që nuk jeni i kënaqur? A mund të keni punonjës të kënaqur, kur nuk është punuar për një kulturë pozitive kompanie? Kur themi punonjës të kënaqur nuk kemi parasysh vetëm përfitimet dhe privilegjet, që shpesh theksohen nga kompanitë. Si mund t'i angazhoni punonjësit? Një sërë pyetjesh retorike këtu, për t'ju ftuar të merrni disa ide, në shkrimin e Martin Zwilling, për angazhimin e punonjësve tuaj, e kështu të forconi edhe kulturën e kompanisë tuaj. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Sfida, për të gjithë ne në biznes, është të përmirësojmë konkurrencën, duke përmirësuar produktivitetin e punonjësve dhe duke ulur kostot.

Sipas studimeve të kompanisë kërkimore Gartner, një nga elementët me ndikim të madh mbi produktivitetin, është angazhimi i punonjësve , i cili ende qëndron në nivelin rreth 30 përqind, dhe, duke i kushtuar bizneseve tona mbi 450 miliardë dollarë në vit. Unë besoj se mënyra e vetme, për të përmirësuar angazhimin e punonjësve, është që puna të sjellë më shumë kënaqësi.

Për fat të keq, puna dhe kënaqësia janë kthyer në një kombinim kontradiktor në shumë biznese. Megjithatë, duke u bazuar në përvojën time shumëvjeçare, në biznese të mëdha e të vogla, jam i bindur se nuk është kaq e vështirë, që të krijohet një kulturë e vendit të punës, ku njerëzit vërtet dëshirojnë të punojnë, dhe këtu nuk e kam fjalën për përfitime dhe privilegje, të tilla si tavolina futbolli dhe ushqime të veçanta, të cilat vetëm sa e reduktojnë pak dhimbjen.

Kam gjetur shumë sugjerime të dobishme në një libër të ri “Çështje të Kulturës” nga Randy Grieser, Eric Stutzman, Wendy Loewen dhe Michael Labun, të cilët kanë kaluar vite duke ofruar trajnime për lidershipin dhe zhvillim profesional, për kompani anembanë botës.

Ndër rekomandimet e tjera, ato ofrojnë disa këshilla praktike se si çdo organizatë mund ta bëjë kulturën e tyre të punës më kuptimplote dhe të kënaqshme:

1. Përshtasni njerëzit me punën, që i stimulon dhe i sfidon ata.

Në fakt, edhe unë e kam venë re se njerëzit kanë më shumë gjasa të angazhohen dhe të lulëzojnë, kur kufijtë e tyre shtyhen pak përtej asaj që mendojnë se mund të bëjnë.

Ndonjëherë kjo do të thotë të punosh në detyra më pak të përcaktuara, të rritësh nivelin e autonomisë, ose të kërkosh zhvillimin e aftësive të reja.

Për shembull: Nga natyra unë jam një zgjidhës problemesh, dhe kam punuar në disa organizata mbështetëse, por unë mërzitem kur të gjitha përgjigjet tashmë njihen. Më pëlqeu, kur shefi im më dha përgjegjësinë shtesë për të udhëzuar të tjerët në zgjidhjen e problemeve të vështira.

2. Përqendrohuni në pasurimin e rolit, jo të ngarkesës me punë.

Në përpjekje për ta bërë një punë më sfiduese, si dhe për të përmirësuar produktivitetin, ndonjëherë menaxherët mund të kërkojnë rezultate më të larta, siç janë 15 takime në orë me klientët, në vend të 10 takimeve.

Për një punonjës, i cili e pëlqen ndërveprimin e drejtpërdrejtë me njerëzit, duke shtuar kohën e takimeve me klientët, do të shërbejë më mirë për të gjithë. 

3. Kërkoni ndihmë në eliminimin e detyrave të padobishme.

Secili prej nesh mund të kujtojë, të paktën një rast, kur kemi përgatitur një raport që askush nuk e lexon, ose kemi sistemuar dokumente fizike që nuk përdoren, ose që askush nuk do t’ja dijë për to.

Të kërkosh rregullisht për përmirësime, dhe pastaj t’i ndjekësh për t’i rregulluar këto përpjekje të harxhuara kot, kjo do të përmirësojë kënaqësinë e punës si dhe produktivitetin. Askujt nuk i pëlqen të bëjë punë të padobishme. 

4. Caktoni punë të plota, në vend të disa detyrave.

Njerëzit gjejnë kënaqësi duke i përfunduar gjërat dhe prekin produktin përfundimtar.

Nëse i kërkoni dikujt që të përgatisë një fjalim ose raport për manaxhmentin, do të merrni një vlerësim të madh, nëse së paku, i siguroni mundësinë që të jenë në sallë, për të dëgjuar reagimet ose për të marrë përgëzimet për përpjekjet, edhe pse nuk mund ta prezantojnë atë personalisht.

Aty ku detyrat janë domosdoshmërisht pjesë e një produkti final shumë më të madh, është e rëndësishme që punonjësit të jenë në gjendje të përjetojnë produktin, në një farë mënyre. Për shembull, mund të ndani historitë e kënaqësisë së klientit dhe të pranoni kontributin e njerëzve për kolegët e tyre. 

5. Ofroni mbështetje dhe trajnim në mënyrë proaktive.

Dëshira dhe aftësia nuk janë të mjaftueshme, që punonjësit të angazhohen dhe të jenë produktivë në punë.

Ata kanë nevojë që ju të shikoni përpara, për të parashikuar se për çfarë do të kenë nevojë ata, dhe për ta siguruar atë përpara krizës tjetër, përpara se ata të luten për ndihmë. Mbështetja nënkupton mjetet, trajnimin, buxhetin dhe mbështetjen morale për ta bërë punën.

Natyrisht, përmirësimi i teknologjisë dhe mjeteve është një detyrë e përhershme dhe kushton pará. Por unë mendoj, se ju do të kuptoni se kosto e mjeteve inovative është mëse e kompensuar nga rritja e angazhimit dhe kënaqësisë së punonjësve, si dhe e produktivitetit.

6. Promovimi i rritjes profesionale dhe roleve të reja.

Shumica e njerëzve pëlqejnë të mësojnë gjëra të reja, por ata mund të kenë nevojë për ndihmën dhe inkurajimin tuaj, në gjetjen e roleve të duhura dhe të kohës, për t'u përgatitur për hapin e ardhshëm.

Bëjeni zhvillimin profesional një diskutim të kujdesshëm dhe të qëllimshëm brenda biznesit tuaj, dhe jo si një reagim ndaj dikujt që ndihet i frustruar dhe do të largohet. 

Në këtë kohë, kur ka shumë mundësi për pjesëmarrje në seminare online dhe në konferenca të industrisë, nuk ka asnjë justifikim, për të mos ndjekur një ose dy seanca në vit, për "të ardhmen", si në karrierë ashtu edhe në teknologji. Gjithashtu, shumë kompani promovojnë mundësitë lokale të trajnimit dhe mentorimit. 

Shumë shpesh, ndërtimi i një fuqie punëtore energjike dhe të motivuar, thjesht kërkon ndryshimin e strukturave tuaja tradicionale të komandimit dhe kontrollit, në një kulturë që inkurajon punonjësit që të përdorin gjykimin e tyre dhe të ushtrojnë autonomi.

Përpara se ta kuptoni, ju do të keni një ambient pune, ku njerëzit do të duan të punojnë, dhe një biznes, që klientët do të duan ta frekuentojnë.