Blog

Më i Mirë, është diçka që TI bëhesh

Më i Mirë, është diçka që TI bëhesh

Jeta mund të ndryshojë për mirë, nëse përpiqeni për këtë. Të gjithë duan një jetë më të mirë, dhe kjo është e natyrshme. Por ajo që është më e natyrshme, është që ndryshimi nuk ndodh nëse nuk ndryshoni veten, për ta ngritur atë në variantin tuaj Më të Mirë. Ju ndryshoni veten, dhe po kështu ndryshon edhe jeta juaj, edhe pse nuk mund të shihen ndryshimet pozitive, çdo ditë ose çdo herë që ju përpiqeni të ndryshoni. "Të duash të jesh", dhe "Të bëhesh" Më i Mirë, është një ndryshim i madh, e këtë e thekson edhe Jim Rohn, në shkrimin më poshtë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Një zotëri i urtë dhe i zgjuar, i cili e kishte bëre zakon të darkonte çdo muaj në klubin e tij në qendër të qytetit - duke u ulur në një tavolinë të gjatë, të mbuluar me një mbulesë të bardhë prej liri dhe shandanë argjendi sportivë dhe duke u shërbyer nga kamerierë të veshur bukur – i pëlqente të argëtohej dhe të fliste rreth fryteve të përvojës së tij shumëvjeçare. Pasi i shërbenin ëmbëlsirën dhe kafen, ai tërhiqej nga tryeza dhe ndizte një cigare të madhe importi.

"Kjo puro është kënaqësia e vetme e një njeriu të moshuar", - dukej sikur thoshte ai, me një nënqeshje, ndërkohë që fërkonte fijen e shkrepses për ta ndezur, dhe pastaj ai do të niste një nga ato tregimet e tij.

Ato fillonin zakonisht me një pyetje, të tillë si: "A ju kam treguar ndonjëherë për kohën kur ngrita fabrikën për korporatën XYZ në Xhorxhia dhe isha i detyruar t’i jepja atyre një mësim të vogël mbi biznesin dhe sjelljen e mirë?"

Edhe pse tregimet fillonin gjithmonë në të njëjtën mënyrë, dy tregime nuk ishin njëlloj, dhe gjithmonë do të kishte një vlerë të madhe mençurie, e përcjellë nëpërmjet një shembulli, si ato mësimet e vërteta e të mrekullueshme të nënës. Dhe ky njeri, që ishte kaq i vjetër, kaq i mençur dhe kaq fleksibël, kishte edhe një rregull të hekurt, për t'u përkushtuar ndaj njerëzve të tjerë. Ky rregull, përfshinte mësimin dhe rritjen nga çdo përvojë, kështu që përvojat negative nuk duhet të ndodhnin kurrë më.

Ai thoshte: "Nëse një njeri më mashtron një herë, unë mendoj, - Kjo nuk është një gjë e mirë, - dhe e mbaj mend atë. Nëse i njëjti person më mashtron për herë të dytë, unë mendoj, - Turp për ty. Nëse të njejtët njerëz, trillojnë e më mashtrojnë për të tretën herë, dakort, unë kam qenë i paralajmëruar dhe duhet të kisha ndryshuar rrugën time por nuk e kam bërë, atëherë unë mendoj, - Turp për mua".

Nëse nuk i ndryshoni përgjigjet tuaja ndaj situatave dhe rrethanave që përbëjnë jetën tuaj, ju nuk po tregoheni fleksibël, dhe kështu ju jeni duke flakur tutje, duke shpërdoruar, një nga pasuritë më të mëdha që keni, si qenie njerëzore individuale. Asnjë prej nesh nuk mund të kontrollojë plotësisht ngjarjet e jashtme, por gjithmonë mund t'i kontrollojmë dhe t'i përshtasim përgjigjet tona. Asnjëri prej nesh nuk mund të dijë se si mund të lëvizin kartat e fatit, por ne gjithmonë mund të kontrollojmë se si të luajmë me to.

Një herë kam bërë një seminar për një grup drejtuesish të një kompanie nafte, gjatë konventës së tyre në Honolulu. Ndërsa ishim ulur rreth tryezës së konferencës, njëri prej tyre më pyeti: "Z. Rohn, ti njeh shumë njerëz të rëndësishëm në mbarë botën. Çfarë mendoni, si do të jenë 10 vitet e ardhshme?" Unë ju përgjigja: "Po zotërinj, unë njoh njerëzit e duhur. Mund t'ju them diçka" - ndërkohë që të gjithë po dëgjonin me shumë kujdes. Dhe vazhdova: - "Zotërinj, bazuar në njerëzit që unë njoh dhe nga eksperienca ime më e mirë, kam arritur në përfundimin se në dhjetë vitet e ardhshme, gjërat do të jenë afërsisht, ashtu siç kanë qenë gjithmonë".

E thashë këtë si një argument, por edhe sepse është e saktë. Gjërat do të jenë afërsisht siç kanë qenë gjithmonë. Batica vjen, dhe pastaj çfarë? Pastaj tërhiqet. Kështu ka ndodhur të paktën për 6,000 vjet, që është e vërtetuar, dhe ndoshta edhe shumë kohë më parë, kështu që nuk ka gjasa të ndryshojë.

Vjen dita plot dritë, dhe pastaj çfarë? Kthehet përsëri errësira. Për 6,000 vjet. Nuk duhet të habitemi tani. Nëse dielli perëndon, e dikush pyet: -"Çfarë ndodhi?", ndoshta ai sapo ka mbrritur këtu, mendoj unë. Dielli gjithmonë perëndon në këtë periudhë të ditës.

Po kështu edhe me stinët. Stina që pason vjeshtën, është dimri. Dhe pyesni po të dëshironi, sa shpesh e pason dimri vjeshtën? Gjithmonë, pa asnjë gabim, për 6,000 vjet që ne njohim. Sigurisht, disa dimra janë të gjatë dhe disa janë të shkurtër, disa janë të vështirë dhe disa janë të lehtë, por gjithmonë vijnë menjëherë pas vjeshtës. Kjo nuk do të ndryshojë.

Ndonjëherë ju mund ta kuptoni, dhe ndonjëherë vjen pa e vënë re. Ndonjëherë gjërat shkojnë mirë, e ndonjëherë ngatërrohen. Ndonjëherë rrjedhin qetë e ndonjëherë shkojnë në të kundërt. Kjo nuk do të ndryshojë. Këto 6,000 vjetët e fundit lexohen kështu: Mundësi të përziera me vështirësi. Dhe kjo nuk do të ndryshojë.

Dikush pyet: - "Po të jetë kështu, kur do të ndryshojë jeta ime?" Dhe përgjigja është: Kur të ndryshoni ju.

Nëse flas me fëmijët e shkollave të mesme ose drejtuesit e biznesit, mesazhi im është gjithmonë i njejtë: Mënyra e vetme që të përmirësohet jeta juaj, është kur ju të bëheni më i mirë. Më i mirë, nuk është diçka, të cilën vetëm e dëshironi; më i mirë është diçka që ju bëheni.