4 Çelësa për vendimmarrje të shkëlqyer
Ne të gjithë, çdo ditë, përjetojmë sfidat e marrjes së vendimeve për atë se çfarë duhet të bëjmë, pse dhe si ta bëjmë, kur është momenti më i përshtatshëm, kush mund të na ndihmojë e duke supozuar edhe rezultatin në fund. Vendimmarrja është një nga aspektet më të rëndësishme dhe të pashmangshme të drejtimit. Shpesh vendimet sjellin rezultate pozitive, por nganjëherë ato nuk janë të tilla, edhe pse ju mund të keni studjuar procesin dhe etapat e vendimmarrjes. Vendimmarrja është art, dhe si e tillë ajo ka nevojë edhe për ndjenja e zemër, e diçka të tillë trajton edhe John Addison, në artikullin më poshtë. Mos kini frikë të merrni vendime. Një udhëheqës i vërtetë ka guximin për të marrë vendime të vështira, si dhe përgjegjësinë për rezultatin e tyre – edhe kur nuk është ai i dëshiruari. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Udhëheqja e duhur bazohet në marrjen e vendimeve të shëndosha. Kjo është thjesht një pjesë e rolit të liderit. Por kjo mund të jetë gjithashtu, një nga gjërat më të vështira që duhet bërë. Kur merrni një vendim, duhet të dini se sa kohë do t'i qëndroni atij vendimi dhe kur do të duhet të ndryshoni drejtim.
Disa vendime janë qartazi të thjeshta - ato mund të jenë si ndryshimi midis të zezës dhe të bardhës - pra, që nuk kërkojnë shumë gjykim. Këto janë nga ato vendime, që ju mësojnë në shkollën e biznesit. Por në përvojën time, shumica e përgjigjeve nuk janë të lehta. Vendimmarrja ka shumë zona gri.
Unë e krahasoj vendim-marrjen efektive me lojën e bejsbollit. Në bejsboll, nëse arrini një goditje në çdo tre vrapime, ju jeni në Hollin e Famës. Në biznes, nuk funksionon kështu. Ju duhet të keni të drejtë shumë më shpesh. Në fillim, ju nuk mund ta dini nëse vendimi që keni marrë është ai më i drejti, prandaj është e rëndësishme që të jeni të ndershëm me veten tuaj, në çdo hap të rrugës.
Më poshtë do të gjeni një listë me katër parimet e vendimmarrjes, që më kanë ndihmuar gjatë gjithë karrierës sime.
Durimi
Pas marrjes së një vendimi, duhet të jeni të duruar dhe të shikoni si funksionon ai vendim. Kjo mund të kërkojë disa ditë ose edhe deri disa vjet, që rezultatet t'ju japin një pamje të plotë. Këtu ka të bëjë ndershmëria. Shumë udhëheqës kanë prirjen të mbrojnë vendimet e tyre, kështu që, refuzojnë t'i vënë ato në pikpyetje; ata e perceptojnë dyshimin si një shenjë dobësie ose mungese guximi. Në vend që të përballen me faktet, ata priren të ngulin këmbë dhe të bëhen, siç themi ne në Jug, kokë-mushka.
Ndershmëria
Ndershmëria ju lejon të vlerësoni objektivisht vendimet tuaja, dhe kur duhet, të konsideroni ndryshimin e kursit. Shikoni treguesit kryesorë të biznesin tuaj: rritja e të ardhurave, rritja në sektorë të caktuar, rritja e kënaqësisë së klientit dhe shëndeti i përgjithshëm i kompanisë. Kjo lloj analize kritike do t'ju tregojë nëse keni nevojë të ndryshoni drejtim.
Shëmbulli klasik i biznesit, për një ndryshim kursi të zgjuar, ishte ai i Coca-Cola-s, në vitin 1985, kur lançoi "New Coke" për t'ju kundërpërgjigjur një preference në rritje të tregut për pijet alkoolike. Brenda tre muajve, produkti i ri dështoi keq dhe Coca-Cola origjinale u rihodh në treg. Ndryshimi i drejtimit nuk është një shenjë e dështimit, por është dëshmi e angazhimit të udhëheqësit, për të mbajtur shëndetin e kompanisë si një prioritet të lartë.
Bashkëpunimi
Marrja e vendimeve të mira gjithashtu varet nga të paturit e një grupi këshilltarësh, të cilëve u besoni plotësisht, për t'ju thënë të vërtetën. Një lider "ujk" i vetëm, shpesh mund të krijojë një pamje të zbukuruar të situatës. Rrethojeni veten me zëra të sinqertë dhe objektivë, për të fituar një perspektivë të qartë.
Instikti
Vendimet e mira janë të kushtëzuara nga njohja e biznesit tuaj, si nga brenda dhe nga jashtë, nëpërmjet një kombinimi të arsyetimit analitik dhe instiktit të brendshëm. Udhëheqja dhe vendimmarrja është një kombinim i këtyre faktorëve, dhe është më shumë art sesa shkencë. Nëse një vendim nuk ndihet i drejtë në tre muaj, shanset janë që instiktet tuaja po ju lajmërojnë për një katastrofë, që pritet të ndodhë.
Udhëheqësit kanë mundësinë unike për të ndikuar në jetën e anëtarëve të ekipit të tyre. Por përgjegjësia gjithashtu mund t'ju lerë pa gjumë dhe t'ju shqetësojë, për rezultatet dhe për jetën e njerëzve. Vendimet në këtë nivel janë gjithmonë të mëdha dhe gjithmonë kritike, por procesi është shumë i thjeshtë: Jini të ndershëm me veten dhe jini të gatshëm të pranoni kur jeni gabim. Përqëndrohuni në objektivat dhe misionin e organizatës. Mësoni të dini kur të braktisni planin e lojës dhe të bëni një plan të ri. Udhëheqësit e vërtetë e dinë se kur duhet të heqin dorë nga krenaria e tyre, për të mirën e të gjithë të tjerëve të përfshirë në të.