Blog

A i keni vendosur objektivat e shitjes për vitin e ardhshëm? Ja se si t'i arrini ato.

A i keni vendosur objektivat e shitjes për vitin e ardhshëm? Ja se si t'i arrini ato.

Gjatë këtij viti, kemi sjellë shpesh artikuj me temë mbi objektivat, dhe nuk do të mund të mos e trajtonim edhe këtë javë, ku ju do të festoni arritjet për vitin 2018. Nëse jeni pjesë e një ekipi shumë të mirë shitje, patjetër që keni vendosur objektivat për vitin 2019, dhe gjithashtu edhe rrugët për realizimin e tyre. Nëse ende nuk i keni qartësuar objektivat, jeni pak vonë, por më mirë vonë se kurrë. Artikulli që po sjellim këtu më poshtë, me autor Jeffrey Gitomer – Mbreti i shitjeve, me idetë e tij origjinale do t’ju ndihmojë të ndërtoni edhe rrugët se si do t’i arrini ato. Natyrisht që të punuarit fort është pjesë e rëndësishme e asaj që duhet bërë në rrugën e arritjes së objektivave, dhe kush mendon ndryshe, është mirë ta rimendojë atë. GËZUAR FESTAT E FUNDVITIT dhe Lexim të këndshëm!

* * * * *

Ku do të jeni pas një viti? Ku do të jenë shitjet tuaja? Si do të arrini atje? A i keni vendosur objektivat tuaja për vitin e ardhshëm? A i keni shkruar ato? Nëse përgjigjet janë JO, vitin e ardhshëm ka të ngjarë të jeni aty ku jeni sot. Pasi kjo është si të dëshironi që të jeni në një vend tjetër, pa drejtimin ose mënyrën për të arritur atje.

Objektivi është një ëndërr me një plan dhe një afat kohor.

Tre arsyet kryesore, që njerëzit nuk i arrijnë objektivat e tyre, janë:

  • Ata nuk i shkruajnë ato dhe nuk i vendosin në një vend të dukshëm.
  • Ata nuk arrijnë të bëjnë një plan, për të arritur objektivat e tyre.
  • Ata nuk arrijnë t'i besojnë, ose nuk i përmbushin, zotimet që kanë bërë.

Këto arsye duket mjaft të lehta për të kapërcyer, megjithatë studimet tregojnë se më shumë se 70% e shoqërisë sonë të rritur, nuk i vendosin objektivat e tyre me shkrim.

Këtu janë 7.5 hapa për përcaktimin e objektivave dhe arritjen e tyre:

  1. Identifikojeni Objektivin - Shkruajeni qartë objektivin tuaj. Shkruani saktësisht se çfarë doni të arrini ... në kushtet më specifike të mundshme.
  2. Përcaktoni një afat kohor - Vendosni datat (dhe afatin kohor) për të filluar punën me objektivin dhe për ta përfunduar atë. Nëse nuk zotoheni për një fillim dhe nuk keni një afat përfundimi, aftësia juaj për të arritur ndonjë objektiv është e dyshimtë.
  3. Listoni pengesat që do të duhet të kapërceni, për të arritur objektivin tuaj. Identifikimi i pengesave do të ndihmojë në parandalimin e tyre.
  4. Listoni grupet dhe njerëzit që duhet të kontaktoni, e të cilët do të punojnë me ju dhe do t'ju ndihmojnë për të arritur objektivin tuaj. Njerëzit do t'ju ndihmojnë nëse kërkoni ndihmë.
  5. Përcaktoni çfarë aftësish dhe njohurish duhet të keni, për të arritur objektivin tuaj. A i keni ju ato, apo keni nevojë t'i fitoni? Bëni një plan për t'i fituar ose për t'i punësuar njohuritë ose aftësitë që ju nevojiten.
  6. Bëni (dhe shkruani) një plan veprimi për çdo objektiv. Sa më specifik dhe i detajuar është plani juaj, aq më shumë ka gjasa që ta vini në jetë atë.
  7. Listoni përfitimet nga arritja e objektivit - Përgjigjuni pyetjeve: Çfarë do të përfitoj unë pasi të kem arritur këtë objektiv? Cili është stimuli im? A është stimuli im mjaft i fortë për të siguruar arritjen e objektivit?

7.5 Ndërmerrni veprime çdo ditë - Kjo do t'ju kërkojë vetëm dhjetë apo pesëmbëdhjetë minuta në ditë, për t'ju shtyrë përpara drejt arritjes së objektivit. Bëni një angazhim personal për të ndërmarrë veprime drejt objektivit tuaj... dhe jetoni me atë angazhim, çdo ditë.

Një Objektiv është një ëndërr me një plan dhe një afat kohor. A i keni të shkruara objektivat tuaja?

Arritja e objektivave varet nga ju... mënyra se si bisedoni për to, se si i vetë vizualizoni dhe vendosmëria juaj janë 90% e procesit të arritjes.

  • Pyesni veten - Pse dua ta arrij këtë? A jam i gatshëm të punoj shumë për të?
  • Përgatisni veten - Zgjidhni dy objektiva të mëdha dhe disa objektiva të vogla.
  • Tregoni disiplinë ndaj vetes - Shkruani objektivat tuaj dhe vendosini ato, aty ku mund t'i shihni çdo ditë. Tregoni çdo ditë se jeni në rrugën e arritjes dhe se kjo nuk do të jetë larg.
  • Lidheni veten me objektivin - Nëse objektivi juaj është diçka që dëshironi ose që dëshironi të jeni (makinë, kompjuter, pushime, person elegant, rroba të reja) varni një fotografi ose figurë të objektivit tuaj në pasqyrën e banjës, në dhomën tuaj të gjumit ose në tavolinën tuaj të punës.
  • Projektojeni veten - Nëse objektivat tuaja janë para jush, kjo e bën më të lehtë për t'i arritur ato. Të jesh në gjendje të arrish objektivat e tua, kjo varet nga fokusi yt. Sa më qartë të përqëndroheni, aq më shumë ka gjasa që ju të godisni në shenjë.
  • Angazhojeni veten - Nëse nuk angazhoheni emocionalisht, fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht për të arritur objektivin , aq më shumë ka të ngjarë që nuk do ta arrini atë.
  • Kënaqeni veten - Arritja e një objektivi është kënaqësi. Kjo ju jep ndjenjën e arritjes të objektivit dhe ju frymëzon për të përcaktuar dhe arritur objektivin e ardhshëm.

Sekreti i madh i arritjes së objektivit është ta zbërtheni atë në doza ditore. Përcaktoni në hapa të vegjël, se sa duhet të bëni çdo ditë, për të arritur objektivin tuaj. Hapa që mund t'i masni, hapa që mund t'i arrini. (X Lekë në ditë, X Gram në ditë, X Takime në ditë, Y Lek për shitje) dhe bëjini ato doza ditore çdo ditë.

Dhe, më në fund mund të thoni fjalët magjike. Madje me zë të lartë – PO! UNË JA ARRITA! (Shprehja me zë të lartë e gjërave pozitive gjithmonë ju krijon një ndjenjë të mrekullueshme).

Jeffrey Gitomer shton një formulë magjike me tre fjalë, për mënyrën se si të arrini çdo objektiv që keni vendosur... Mos hiqni dorë!

Shënim mbi shitjet... Mos ngatërroni objektivat me kuotat. Kuotat janë numra arbitrarë, të vendosur nga pronarët e bizneseve dhe menaxherët për të futur frikën dhe kërcënimin tek punonjësit e shitjes. Objektivi është një plan për t'i arritur dhe tejkaluar kuotat.