A ka nevojë për Konsulent, biznesi juaj i vogël?
A e doni mendimin tonë lidhur me pyetjen? PO! Në pjesën më të madhe, jo vetëm bizneset e vogla, herët ose vonë kanë nevojë për konsulencë. Ne kemi kontakte të shpeshta me bizneset dhe kjo del në pah pothuajse gjithmonë, megjithëse është e vështirë të pranohet. Në fakt, aty ku biznesi shikon "problem", një konsulent i aftë shikon mundësi për të rritur vlerë. Sidomos për biznesin e vogël, për shkak të kufizimeve në personel, shërbimet e konsulencës janë ato që mund ta bëjnë biznesin tuaj më fitimprurës. Më poshtë, artikulli me autore Susan Ward, trajton drejtimet kryesore të nevojës për ekspertizë, në një biznes të vogël dhe ku ndihma e konsulentit është e pazëvendësueshme. Konsulentët e biznesit janë gjithmonë në kërkimin dhe gjetjen e zgjidhjeve, duke i shtuar vlerë biznesit, por edhe ju, duhet të dini kur dhe pse t'i përdorni ata. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Nga natyra, shumica e pronarëve të bizneseve të vogla janë tipa që duan t'i bëjnë gjërat vetë, dhe që preferojnë të përfshihen në çdo aspekt të biznesit të tyre, duke vendosur që nga lloji i makinës së kafes në zyrë, e deri tek llogaritja e taksave të kompanisë. Statistikat tregojnë se shumica e pronarëve të bizneseve e kanë të vështirë të delegojnë detyrat tek punonjësit ose jashtë kompanisë, tek konsulentët. Por sidoqoftë, nëse si pronar i një biznesi, ju po shpenzoni shumë kohë në aktivitetet jo-thelbësore të biznesit, ndoshta është koha që t'i bëni pyetje vetes: A, duhet të punësojë shërbime konsulence, biznesi im i vogël?
Në fazën e fillimit ose të rritjes së hershme të një biznesi, është i nevojshëm një pronar biznesi që "merr vesh nga të gjitha", për shkak të kufizimeve financiare ose kufizimeve të tjera. Megjithatë, pasi biznesi maturohet, lindin shumë nevoja të një natyre të përkohshme, që mund të kryhen më mirë nga ekspertët e fushave përkatëse. Kompleksiteti, gjithnjë në rritje i teknologjisë së informacionit, i rregullave mbi taksat, i rregulloreve dhe aspekte të tjera ligjore që rrethojnë një biznes, mund ta bëjnë shumë më të vështirë për një pronar biznesi, që t'i qëndrojë në kokë atyre.
Disa nga shërbimet e nevojshme dhe më të shpeshta që mund të mbulohen nga konsulentët, janë:
1. Konsulencë financiare dhe shërbimet e kontabilitetit
Financa dhe kontabiliteti janë dy nga aktivitetet më të zakonshme të konsultimit që nevojiten nga bizneset e vogla. Ashtu si me aktivitetet e tjera jo-thelbësore të biznesit, kur të vendosni nëse do të transferoni disa, ose të gjitha detyrat e financës ose të kontabilitetit, ju duhet t’i përgjigjeni këtyre pyetjeve:
- Cila është vlera e kohës time?
- A mund ta bëj unë këtë punë, po aq mirë sa një profesionist në këtë fushë?
Për një ndërmarrje individuale, ose në fazën e fillimit të një biznesi të vogël, ju mund të keni kohë dhe dëshirë (dhe aftësinë), për t'u marrë me disa punë të kontabilitetit.
Sidoqoftë, ndërsa biznesi juaj rritet dhe ka më shumë kërkesa për kohën tuaj, mund të jetë me më shumë kuptim, që të transferoni disa nga këto detyra tek profesionistët. Përveç kësaj, shumë pronarë biznesi e shikojnë financën/kontabilitetin si një punë të lodhshme, veçanërisht nëse biznesi ka një numër të lartë të transaksioneve.
Me pak orë në muaj, një mbajtës i mirë i llogarive mund të bëjë pjesën më të madhe të punëve, duke përfshirë plotësimin e faturave, pagimin e faturave, bërjen e listës së pagave dhe përgatitjen e detyrimeve fiskale të kompanisë.
Një kontabilist i mirë mund të bëjë shumë më tepër se sa të ndjekë ndryshimet tatimore dhe të përgatisë taksat tuaja. Ai / ajo mund të:
- Kërkojë në labirintin e ligjeve tatimore dhe t'ju ofrojë këshilla financiare, që ju nevojiten për të mirë-menaxhuar dhe rritur biznesin tuaj;
- Bëjë rekomandime se si të zvogëloni taksat tuaja;
- Ofrojë këshilla mbi mënyrat për të shkurtuar kostot e biznesit.
Biznesi juaj mund të ketë nevojë për shërbimet e një financieri vetëm për disa orë në vit, por mund të jetë i vlefshëm edhe gjatë gjithë kohës.
2. Konsulencë mbi Teknologjinë e Informacionit (IT)
Teknologjia e informacionit është fusha me ndryshimin më të shpejtë, dhe sot është e vështirë të imagjinohet një biznes që nuk përdor një ose më shumë pajisje ose sisteme programesh, si:
- Kompjutera desktop
- Pajisje të lëvizshme (si - lap top, telefona celularë, tableta, etj)
- Shërbimet e informatizimit cloud
- Sistemet e pagesave me karta bankare (POS)
- Faqe interneti të biznesit dhe platformat e mediave sociale
- Programe financiare
- Programe të taksave
- Programe të tjera kompjuterike
Nëse biznesi juaj nuk është në fushën e teknologjisë së informacionit, ose ju nuk jeni i aftë të mbani pajisjet kompjuterike dhe të zgjidhni problemet me programet, ka shumë mundësi që të keni nevojë për shërbimet e një konsulenti IT.
Përveç mirëmbajtjes dhe riparimit të pajisjeve dhe sistemeve operative, një konsulent IT mund të kryejë detyra të tjera, duke përfshirë:
- Sigurimin e të dhënave të vlefshme të biznesit tuaj, me ruajtjen për raste emergjence;
- Ngritjen e shërbimeve kompjuterike cloud;
- Instalimin e programeve informatike;
- Ofrimin e trajnimit për sistemet kompjuterike;
- Këshillimin mbi përmirësimet e teknologjisë dhe metodat e përdorimit të saj, për të përmirësuar produktivitetin e biznesit tuaj.
Gjetja e një konsulenti me teknikë të kualifikuar, të cilët mund t'i përgjigjen me shpejtësi nevojave tuaja, është thelbësore për shumicën e bizneseve, ashtu siç është gjetja e një projektuesi të aftë për faqen e internetit, nëse biznesi juaj ka nevojë për një të tillë.
3. Konsulencë mbi Burimet Njerëzore
Trajtimi i çështjeve të lidhura me personelin shpesh është i vështirë dhe kërkon kohë, dhe shumë biznese të vogla nuk mund të përballojnë shpenzimet për personel, të dedikuara për Burimet Njerëzore.
Megjithatë, bizneset afatgjata që përdorin një strategji efektive të Burimeve Njerëzore, zakonisht kanë mjedis më të mirë pune dhe moral më të lartë, gjë që rrit mbajtjen e punonjësve dhe ul kostot e qarkullimit. Si rezultat i kësaj, gjithnjë e më shumë bizneset e vogla janë duke i kontraktuar shërbimet e lidhura me Burimet Njerëzore.
Konsulentët profesionalë të Burimeve Njerëzore trajnohen dhe njihen me të gjitha aspektet e marrëdhënieve të punës dhe punonjësve, dhe mund të:
- Merren me rekrutimin e punonjësve të rinj, përfshirë reklamimin, intervistimin, kontrollin e informacionit, referencat, etj.
- Merren me çështjet disiplinore dhe ndërprerjet e mardhënieve të punës;
- Merren me orientimin e punonjësve dhe organizojnë trajnimet e duhura.
- Merren me menaxhimin e sigurisë së punonjësve dhe mbarëvajtjen;
- Ofrojnë këshillime për punonjësit;
- Kufizojnë përgjegjësinë tuaj ligjore, duke siguruar që ankesat e punonjësve ose mosmarrëveshjet të trajtohen siç duhet;
- Informohen dhe t'ju informojnë lidhur me rregulloret që kanë të bëjnë me punonjësit, të tilla si: ligjet e pagave, orët e punës, kohën e pushimit, lejet, kompensimin e punëtorëve, përfitimet e detyrueshme, etj.;
- Organizojë/ofrojë përfitime të mundshme shëndetësore si: dentare, të shikimit dhe sigurimi i paaftësisë për punonjësit dhe familjet e tyre. Konsulentët e Burimeve Njerëzore shpesh mund të shfrytëzojnë marrëdhëniet e tyre me ofruesit e përfitimeve për të ofruar paketa të arsyeshme për përfitimet e punonjësve.
Për një biznes të vogël, që nuk mund të përkushtojë kohë, për të ofruar shërbimet e duhura të Burimeve Njerëzore (ose shpenzimet e punësimit të një personi me kohë të plotë, për ta bërë këtë), një konsulent i Burimeve Njerëzore mund të jetë një opsion i përballueshëm, për kursimin e kohës dhe mbajtjen e punonjësve tuaj të lumtur.
4. Konsulencë Marketingu
Ndërsa tërheqja dhe mbajtja e klientëve është problemi numër një, për shumicën e bizneseve (sidomos atyre të reja), marketingu i suksesshëm është një kërkesë thelbësore për rritjen e biznesit.
Për fat të keq, marketingu është shumë i specializuar, dhe ndërsa shumë pronarë të bizneseve të vogla shkëlqejnë në ofrimin e produkteve dhe/ose shërbimeve, për klientët e tyre, ata shpesh janë më pak të aftë me marketingun. Duke mos pasur edhe mundësinë të përballojnë punonjës me orar të plotë, kryerja e tij nga jashtë është një burim i mundshëm.
Konsulenti i duhur i marketingut për biznesin tuaj, duhet të ketë nivel të lartë ekspertize në industrinë tuaj dhe të jetë në gjendje të sjellë ide të reja, si dhe këshilla të vërtetuara dhe të provuara se si të zhvillohet:
o Një Strategji e përgjithshme Marketingu
Një konsulent marketingu mund të punojë me biznesin tuaj për të krijuar dhe zbatuar një strategji të përgjithshme marketing, bazuar në faktorë të tillë si:
- objektivat e përgjithshme të biznesit tuaj
- produktet ose shërbimet tuaja
- përdoruesit ose klientët tuaj të synuar
- roli i kompanisë suaj në lidhje me konkurrencën
o Një fushatë Marketingu dhe Promovimi të biznesit
Një konsulent marketingu gjithashtu mund të hartojë dhe zbatojë fushata marketingu, për produkte apo shërbime individuale, dhe të japë këshilla të përgjithshme për promovimin e biznesit tuaj, nëpërmjet aktiviteteve të tilla si:
- Fushata në mediat sociale (Facebook, Twitter, etj)
- Fushata me email
- Faqen e internetit dhe/ose promovime në blog
- Reklamat në radio ose në gazeta
- Njoftime për shtyp
- Flet-palosje
- Seminare
- Sponsorizim i ngjarjeve të bamirësisë
- Promovimi i kryqëzimit të marketingut me biznese të tjera
5. Konsulencë për Shërbime ligjore
Për fat të mirë, shumë nga detyrat ligjore që dikur kërkonin shërbimet e një juristi, tani mund të bëhen nga çdo pronar biznesi, si marrja e një emri biznesi, krijimi i kontratave për kontraktorët e pavarur, shitësit ose klientët, etj. Pra, këshillat ligjore për bizneset e vogla është një kërkesë sporadike.
Por, që të keni në dispozicion një jurist të mirë biznesi, kur të keni nevojë, mund të jetë e paçmuar, në rrethana që përfshijnë çështje komplekse ligjore, ose, që mund të përfshijnë përgjegjësi, të tilla si:
- marrëveshje komplekse partneriteti, ose alokime të aksioneve;
- padi që përfshijnë partnerë, klientë, aksionerë ose punonjës;
- veprime ligjore kundër biznesit tuaj nga agjencitë qeveritare për çështje të tilla si licencimi, mosmarrëveshjet tatimore, ose mos respektimi i rregulloreve;
- blerjet e pasurive të paluajtshme ose marrëveshjet e qirasë;
- çështje të markës tregtare ose të të drejtave të pronësisë intelektuale;
- marrëveshjet franchise;
- shitjen ose bashkimin e biznesit tuaj, ose blerjen e aseteve të një biznesi tjetër.
Një jurist tipik i biznesit të vogël është një person kompetent, i cili mund të analizojë problemin tuaj dhe të ofrojë këshilla të mira, ose t'ju referojë tek dikush më i specializuar në një fushë të caktuar të ligjit, nëse kërkohet.
Konsulencat e përmendura më sipër janë disa prej tyre, dhe industria e konsulencës vazhdon të zgjerohet e thellohet vazhdimisht. Ndërkohë që bizneset e vogla rriten dhe e humbin kuptimin “të vogla”, ato kanë nevojë edhe për konsulenca të tjera, si në fushën e menaxhimit, strategjisë, operacioneve, menaxhimit të cilësisë së prodhimit e shërbimeve dhe konsulenca të tjera të lidhura me çertifikimet e nevojshme, si HACCP, ISO, etj.
Në cilin stad zhvillimi ndodhet biznesi juaj e për çfarë lloj konsulence mendoni se ka nevojë?