Kostoja e lartë e Trajnimit - kur është i keq
Kur vjen puna tek trajnimet, nga eksperienca me organizatat këtu, fillimisht, janë disa dilema që shfaqen paksa me dashje, përpara menaxherëve dhe specialistëve të Burimeve Njerëzore. Së pari: A duhet të trajnohen apo jo punonjësit, e aq më shumë në ato që quhen aftësi të buta, si Komunikimi, Zgjidhja e konfliktit, Motivimi, Menaxhimi i kohës, etj? Së dyti, nëse kanë planifikuar buxhete (zakonisht nuk planifikohen – por krijohen gjatë rrugës): Cila do të ishte tema më e përshtatshme dhe e nevojshme? Dhe, së treti: Si mund të gjejmë një trajnim, por me kosto sa më të ulët? Dhe kjo e fundit, shpesh i vendos përpara një trajnimi jo të përshtatshëm (për të mos thënë “i keq”). Por ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Këtë trajton edhe artikulli këtu më poshtë, me autor Raj Raheja, që po e sjellim sot, duke mos i qëndruar besnik përkthimit, e duke e përshtatur me disa ndryshime e shtesa “shqiptare”. Nëse mendoni se një trajnim i mirë është i shtrenjtë, para se të vendosni, merrni në konsideratë koston e një trajnimi të keq. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Po, është e vërtetë! Trajnimi është i shtrenjtë, aq më shumë një trajnim i mirë. Kompanitë e suksesshme e shikojnë trajnimin si një investim, dhe ky është çelësi i SUKSESIT të tyre. Ato e njohin faktin se trajnimi nuk është një ngjarje, por një proces i vazhdueshëm, e që sjell një përmirësim të vazhdueshëm. Kompanitë më të suksesshme në botë e dinë se është jetësore që punonjësit të mësojnë, të praktikojnë dhe të zotërojnë aftësitë e nevojshme.
Por janë edhe disa kompani të tjera që fokusohen më shumë tek buxhetet dhe kostot, duke e trajtuar trajnimit si një element bazik, që nënkupton se ato shikojnë vetëm të përmbushin rregulloret, ose numrin e çertifikimeve, dhe asgjë më shumë. Ajo që kompanitë e këtij grupi nuk kuptojnë, është se, e vetmja gjë më e shtrenjtë se Trajnimi, është Trajnimi i keq.
Ja se çfarë sjell një trajnim i keq:
1. Produktivitet të ulët - Punonjësit e pa trajnuar ndihen të pasigurt në aftësitë e tyre dhe kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës duke kërkuar ndihmë dhe udhëzime. Ata nuk punojnë me kapacitet të plotë - dhe njëkohësisht nuk i kushtohet kohë prej superiorëve të tyre, për t'i ndihmuar.
2. Qarkullim i lartë i punonjësve - Punonjësit të cilët nuk janë trajnuar, ose janë trajnuar keq (trajnim sa për të thënë) dhe nuk janë të sigurt në punën e tyre, në përgjithësi shfaqin pakënaqësi ndaj punës. Kjo vjen për shkak të mungesës së përmbushjes personale, e cila çon në rritjen e qarkullimit të punonjësve, dhe për rrjedhim, edhe shpenzime shtesë nga kompania, për trajnimin e të punësuarve të rinj.
3. Pakënaqësi të klientëve - Punonjësit e trajnuar në mënyrë të pa mjaftueshme, edhe nëse qëndrojnë në kompani, duke qenë të pakënaqur do të “gjenerojnë” klientë të pakënaqur, dhe më shumë, humbje të klientëve. Përveç humbjeve në shitje, a ka lidhje kjo me Imazhin e kompanisë?
4. Gabime dhe dëmtime - Punonjësit e trajnuar në mënyrë të pa mjaftueshme janë të prirur të bëjnë gabime - të cilat mund të çojnë në dëmtime të pajisjeve, lëndime ose madje edhe vdekje. Këto ndikojnë në kostot e riparimit, gjobat nga autoritetet e deri në shpenzime gjyqësore, dhe është e qartë, se trajnimi i pamjaftueshëm ose i keq, është një gabim që vazhdon të shfaqë veten - në të gjitha mënyrat e gabuara.
5. Po kultura e kompanisë? – Këtu e kemi trajtuar si një element i vetëm, por fakti është se të gjitha sa më sipër (e të tjera të pa listuara këtu) kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në Kulturën e kompanisë. Punonjësit e trajnuar në mënyrë të pa mjaftueshme do të shprehin pakënaqësinë e tyre si brenda dhe jashtë kompanisë, duke krijuar kështu një ambient toksik, edhe për punonjësit e tjerë, të cilët herët a vonë (sapo t’u jepet rasti) do të kërkojnë të rishikojnë pozicionin e tyre.
Kështu pra, nuk është ide e mirë që të bëni kompromis mbi trajnimin, aq më shumë duke u fokusuar tek kosto - është e qartë se nuk ia vlen të rrezikosh.
Nëse nuk ndani të njëjtin mendim, mjafton t’i përgjigjeni pyetjeve më poshtë dhe e kuptoni përse:
- Sa do të kurseni nga kosto e trajnimit, nëse do të humbni, qoftë edhe një prej klientëve tuaj të rëndësishëm?
- Sa do të kurseni nga kosto e trajnimit, nëse do të humbni një prej punonjësve tuaj më të mirë?
- Sa do të kurseni nga kosto e trajnimit, nëse do e krahasonit me vlerën e një incidenti më pak?
- Sa do t'ju duhet të shpenzoni, në parà dhe energji, për të ringritur imazhin e kompanisë tuaj?
Tani gjërat bëhen më të qarta: shumë më të qarta, apo jo?
Pra, mos hiqni dorë nga trajnimi. Hiqni dorë nga trajnimi i keq. Punonjësit tuaj - dhe buxheti juaj - do t'ju falenderojë.