9 Fraza, që njerëzit e mençur nuk i përdorin kurrë, në bisedat e tyre.
Një nga thëniet e famshme të Xhorxh Bernard Shou, e cila përmbledh të gjitha problemet në komunikim, është: -"Problemi i vetëm, e më i madh, me komunikimin është iluzioni se ai ka ndodhur vërtet". Pra, njerëzit flasin e bisedojnë me njëri-tjetrin, por sa komunikojnë, në kuptimin e vërtetë, mund ta vini re nga keqkuptimet që ndodhin. E se sa i rëndësishëm është mënjanimi i tyre, shikoni sa energji shtesë ju është dashur, për t'i sheshuar ato. Komunikimi i dobët mund të rezultojë me ndikim negativ në moralin, stresin, marrëdhëniet, dhe kur ndodh në vendin e punës ndikon negativisht edhe mbi produktivitetin. Një masë e mirë e keqkuptimeve vijnë për shkak të asaj që themi dhe mënyrës se si e themi. Njerëzit inteligjentë e dinë, se disa fraza të caktuara nuk janë aspak të përshtatshme për t'u përdorur në bisedat e zakonshme, sepse bashkëbiseduesi mund t'i marrë ato në kuptimin e gabuar. Në këtë artikull, autori Dr. Travis Bradberry, na ndihmon duke na treguar se cilat janë nëntë prej këtyre frazave, dhe se si mund t'i shmangim ato. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Ne themi gjithmonë që njerëzit i interpretojnë disa gjëra, shumë më ndryshe nga sa ne i kemi menduar se do t'i bënin. Këto komente, edhe pse shumë dashamirëse, mund të shkaktojnë atë ndjenjën e tmerrshme, që të vjen vetëm kur e kupton se ke thënë diçka të gabuar ose të papërshtatshme.
Keqkuptimet verbale shpesh ndodhin sepse themi gjëra, pa e ditur se ato mbartin implikime delikate. Kuptimi i këtyre implikimeve kërkon ndërgjegjësim shoqëror, ose ndryshe vetëdije sociale - pra, aftësinë për të marrë parasysh emocionet dhe përvojat e njerëzve të tjerë.
TalentSmart ka testuar Inteligjencën Emocionale (IE), të më shumë se një milion njerëzve, dhe ka zbuluar se vetëdija sociale është një aftësi që mungon në shumë prej nesh. Ne kemi mungesë të ndërgjegjësimit shoqëror, sepse ne jemi aq shumë të fokusuar në atë që do të themi më pas - dhe se si ndikon tek ne, ajo që njerëzit po na thonë - sa që ne i harrojmë njerëzit e tjerë. Ky është një problem, sepse njerëzit janë të ndërlikuar. Ju nuk mund të shpresoni të kuptoni dikë, përderisa ta përqëndroni të gjithë vëmendjen tuaj, në drejtimin e tij, ose të saj.
Bukuria e ndërgjegjësimit shoqëror është se disa përshtatje të thjeshta, në atë që thoni, mund të përmirësojnë shumë marrëdhëniet tuaja. Për këtë qëllim, ka disa fraza që njerëzit emocionalisht inteligjentë janë të kujdesshëm dhe i shmangin, në bisedat e rastësishme. Këtu më poshtë janë nëntë frazat, të cilësuara si frazat ofenduese më të këqija. Shmangini ato me çdo kusht.
1. “Ju dukeni i lodhur”
Njerëzit e lodhur janë jashtëzakonisht të papërmbajtur - ata kanë sytë e ulur dhe flokët e çrregullt, ata kanë vështirësi të përqëndrohen dhe janë po aq të pakënaqur. T'i thuash dikujt, se ai duket i lodhur nënkupton të gjitha këto më lart, dhe ndoshta diçka më shumë.
Në vend të kësaj mund të thuhet, "Si po shkojnë gjërat? Gjithçka mirë?" ose një gjë të ngjashme. Shumica e njerëzve, kur pyesin dikë nëse është i lodhur, e bëjnë këtë sepse ata synojnë të ndihmojnë dhe të jenë të dobishëm (ata duan të dinë nëse personi tjetër është në rregull). Në vend që të supozoni situatën e dikujt, ndoshta është më mirë të pyesni. Në këtë mënyrë, ai mund të hapet dhe të ndajë me ju shqetësimin. Më e rëndësishmja, ai do t'ju shohë si të shqetësuar në vend të asaj si i paedukuar.
2. “Uau, paske humbur gjithë këtë peshë!”
Edhe një herë, një koment me mirëkuptim - në këtë rast një kompliment - krijon përshtypjen se jeni kritik. T'i thuash dikujt, që ka humbur shumë peshë, nënkupton se më përpara, ai ose ajo, është parë si i/e shëndoshë dhe jo tërheqës/e.
Në vend të kësaj mund të thoni, "Ju dukeni shumë mirë". Ky është një rregullim i lehtë i shprehjes. Në vend që të nënkuptohet krahasimi i asaj si duket tani me si dukej më parë, jepni vetëm një kompliment, që ai/ajo duket shumë mirë. Kjo e përjashton referimin me të shkuarën.
3. “Ti ishe shumë i/e mirë për të”
Kur dikush shkëput lidhjen, në një marrëdhënie të çdo lloji, personale apo profesionale, ky koment nënkupton se ai/ajo ka shije të keqe, dhe, se ka bërë një zgjedhje të gabuar, më herët.
Në vend të kësaj thuhet, "Humbja është e tij/saj/tyre!" Kjo siguron të njëjtën mbështetje entuziaste dhe optimiste, pa ndonjë kritikë të nënkuptuar.
4. “Ju gjithmonë…” ose “Ju asnjëherë…”
Askush, gjithmonë ose kurrë, nuk bën të njëjtën gjë. Njerëzit nuk e shohin veten si njëdimensional, prandaj nuk duhet të përpiqeni t'i përkufizoni ata si të tillë. Këto fjali i bëjnë njerëzit të mbrojtur dhe të mbyllur ndaj mesazhit tuaj, një gjë kjo shumë e keqe, sepse mundësia është, që t'i përdorni këto fraza, kur keni diçka të rëndësishme për të diskutuar.
Në vend të kësaj, thjesht tregoni konkretisht se çfarë bëri personi tjetër, dhe, që kjo është një problem për ju. Referojuni fakteve. Nëse sjellja është e përsëritur dhe kjo përbën problem, gjithmonë mund të thuash, "Duket sikur e bën shpesh këtë" ose "Ti e bën këtë aq shpesh, sa që edhe unë e kam vënë re".
5. “Ju dukeni shumë mirë për moshën që keni”
Përdorimi i shprehjes "që keni" si një kualifikues, gjithmonë del si diçka e mërzitshme dhe e vrazhdë. Askush nuk dëshiron të jetë më i zgjuar, të shfaqet si një atlet ose në pamje të mirë, në krahasim me njerëzit e tjerë që jetojnë vitet e fundit të jetës. Njerëzit thjesht, duan të jenë të zgjuar dhe të aftë.
Në vend të kësaj, thoni, "Ju dukeni shumë mirë". Ky është përsëri një tjetër rregullim i lehtë. Komplimentet e vërteta nuk kanë nevojë për kualifikues.
6. “Siç kam thënë më parë …”
Të gjithë harrojmë gjëra, kohë pas kohe. Kjo frazë tingëllon sikur ndiheni të fyer se ju duhet të përsërisni veten, e cila i vendos në vështirësi bashkbiseduesit (sidomos dikë, që është vërtet i interesuar të dëgjojë mendimin tuaj). Të ndiheni i ofenduar për shkak se ju duhet të përsërisni veten, tregon se, ose ju jeni të pasigurt, ose mendoni se jeni më i/e mirë se gjithë të tjerët (ose të dyja!). Pak njerëz që e përdorin këtë frazë, ndihen në të vërtetë kështu.
Në vend të kësaj, kur e thoni përsëri, shikoni se çfarë mund të bëni, për ta përcjellë mesazhin në një mënyrë më të qartë dhe më interesante. Në këtë mënyrë, dëgjuesit do ta kujtojnë atë që keni thënë.
7. “Paç fat!”
Kjo është një shprehje delikate. Sigurisht, që nuk është fundi i botës në qoftë se ju i uroni dikujt një fat të mirë, por ju mund të thoni diçka më të mirë, pasi kjo frazë përmban nënkuptimin sikur ai/ajo ka nevojë për fat, që të ketë sukses.
Në vend të kësaj mund të thoni: "Unë e di që ju keni atë që duhet", "Jepni më të mirën" ose diçka të ngjashme. Kjo është më mirë sesa të dëshironi fat, sepse duke treguar se ai/ajo ka aftësitë e nevojshme për të arritur sukses, siguroni një nxitje më të madhe besimi. Ju do të dalloheni nga gjithë të tjerët, që thjesht, dëshirojnë fatin e tij/saj.
8. “Kjo varet nga ju” ose “Si të dëshironi”
Edhe pse mund të jeni indiferent ndaj pyetjes, mendimi juaj është i rëndësishëm për personin që e kërkon (ose ndryshe nuk do t'jua kërkonte).
Në vend të tyre mund të thuhet: "Unë nuk kam ndonjë mendim të qartë ose ndonjë mënyrë, por disa gjëra që duhen marrë parasysh janë ...". Kur ju ofroni një mendim (edhe të paanshëm), kjo tregon se ju interesoheni për personin që e kërkon.
9. “Epo të paktën unë kurrë nuk kam...”
Kjo frazë është një mënyrë agresive, për të larguar vëmendjen nga gabimi juaj, duke theksuar një gabim të vjetër, të mundshëm, të parëndësishëm, që ka bërë personi tjetër (dhe ju duhet ta keni falur deri tani).
Në vend të kësaj thuaj: "Më vjen keq". Pranimi i gabimit tënd është mënyra më e mirë, për ta sjellë diskutimin në një moment më racional dhe të qetë, në mënyrë që të mund t'i përmirësoni gjërat. Pranimi i fajit është një mënyrë e jashtëzakonshme për të parandaluar përshkallëzimin negativ të gjërave.
Në bisedat e përditshme, janë këto gjërat e vogla, që bëjnë ndryshimin e madh. Provoni t'i përdorni këto sugjerime, dhe do të habiteni nga përgjigjet pozitive që do të merrni.