Si t'a dimë nëse është koha për një sfidë të re
Ideja e sfidës në titullin e artikullit – këtë radhë me autore Janice Haddon, ka të bëjë kryesisht, me ndryshimet në punë. Në intervista me punonjës, gjatë punës tonë në konsulenca pranë bizneseve, hasim në individë që nuk e pëlqejnë punën e tyre, dhe për shkak të kufizimeve të perceptuara prej tyre, ata nuk ndërmarrin hapin e ndryshimit në profesion. Kufizimet janë kryesisht të lidhura me procedurat dhe aftësitë, që ata i shikojnë të papërdorshme diku tjetër. Ndërkohë, në artikull trajtohet se pavarësisht çfarëdo gjëje që bëni në jetën tuaj, gjithmonë do të keni disa aftësi që mund t’i përdorni kudo. Por, a është momenti për ju, që të ndërmerrni një hap ndryshimi dhe sfide? Konsultohuni me artikullin dhe besojmë do gjeni ndonjë përgjigje aty. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kohët e fundit kemi parë në lajme shembullin e Rio Ferdinand, i cili po përpiqet të ndërmarrë një sfidë të re dhe të veshë mantelin e një boksieri profesionist, pasi i ka kaluar 20 vitet e para të karrierës së tij si futbollist.
Shumë komentues e kanë vënë në pikëpyetje këtë veprim, duke theksuar se boksi është një sport shumë i ndryshëm nga futbolli, dhe, se vetëm për shkak se Rio është fizikisht i përshtatshëm, kjo nuk do të thotë se ai është i aftë të performojë në nivel elitar, kur bëhet fjalë për boksin. Nëse ky është rasti, mbetet të shihet se si ai do të përparojë më tej, përgjatë kësaj rruge. Por ajo që mund të marrim nga Rio, është ajo, se se ai është duke konsideruar të shfrytëzojë aftësitë dhe pikat e tij të forta. Duke konkuruar në një nivel sportiv profesional për kaq shumë kohë, trupi i tij është në gjendje optimale dhe fiziku i tij është pasuria e tij më e madhe. Duke pasur koordinimin e syve e të duarve, dhe një talent të natyrshëm për sportin në përgjithësi, i cili është spikatur gjatë viteve, kjo e vendos atë në pozicion të mirë, për të arritur një formë të mirë, në sportin e ri. Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë, por ai e njeh mundësinë për të vënë përvojën dhe aftësitë e tij në provë, në një arenë krejt ndryshe.
Ky mentalitet mund të zbatohet në çdo fushë të punësimit. Ndërsa boksi dhe futbolli futen nën të njejtën ombrellë - atë të sportit, kërkesat e tyre janë shumë të ndryshme. Pra, kur shihet objektivisht, një ndryshim i plotë në drejtim të karrierës është një mundësi për këdo, jo vetëm për një atlet profesionist.
Shumë prej nesh marrin drejtimin e karrierës në moshë të re, shpesh të udhëhequr nga këshilluesit e karrierës ose nga prindërit, të cilët besojnë se ajo është rruga e drejtë për ne. Por në të vërtetë, a është ajo? Individi duhet ta njohë veten, dhe, ndërsa ju mund të dukeni të kënaqur në sipërfaqe, fakti është se çdokush mund të jetë i pakënaqur në një rol pune dhe dëshiron të bëjë diçka, për ta ndryshuar atë. Kjo, sigurisht, që është shumë e mundur, por cilat janë shenjat që tregojnë se ne duhet të përfshihemi në diçka të re?
E para, mund të duket e qartë dhe klishe. A keni frikë të çoheni nga shtrati në mëngjes për të shkuar në punë? Është një fakt i trishtuar, por ky është një skenar me të cilin përballen shumë prej nesh, çdo ditë. Por ndërkohë që mund të jetë kështu, është e mundur të frymëzoheni nga Rio Ferdinand, dhe të kuptoni se mund t’i shihni ato gjëra që i keni më të mirat, dhe t’i përdorni ato si një pikënisje për të bërë diçka më të freskët dhe emocionuese.
Në mënyrë që t'a përgatisni veten për një sfidë të re, është e rëndësishme të shikoni pikërisht aty ku qëndron problemi dhe çfarë është ajo që e kthen në sfidë të çuarin nga krevati dhe për të punuar.
A ka të bëjë lloji i punës që bëni? Po kultura në vendin e punës? Apo është ngarkesa e punës që ju çon në stres? Biseda të mira me kolegët, për të riorganizuar mënyrën e kryerjes së punës, mund të sjellin mjaftueshëm ndryshim, dhe ky të jetë i dukshëm.
Kultura e një organizate ka një ndikim të madh në perceptimet individuale për kënaqësinë në vendin e punës. Ju mund t’a doni kulturën e vendit tuaj të punës, por urreni detyrat e përditshme që përmban roli juaj. Dhe anasjelltas. Ju mund të mos e pëlqeni stilin e drejtimit të shefit tuaj. Në fund të fundit, është e dokumentuar tashmë se njerëzit largohen nga menaxherët e tyre dhe jo nga organizata.
Vlerat personale gjithashtu, hyjnë fort në lojë, dhe në të vërtetë, luajnë një rol më të madh se sa mund të mendoni, në perceptimin tuaj të kënaqësisë në punë. Vlerat tuaja personale duhet të mbështeten dhe përforcohen në kulturën në të cilën punoni. Një kulturë, që drejtpërsëdrejti i kundërvihet vlerave tona personale, mund të çojë në tensione dhe stres. Pra, nëse kultura nuk është ajo e duhura për ju, mund të duhet të konsideroni lëvizjen.
Sektori i industrisë brenda së cilës punoni mund të jetë gjithashtu një problem. Ndoshta ndryshimi që ju duhet, është të punoni në një funksion apo fushë, e ndryshme brenda atij sektori, ose ndoshta duhet t'i lini të gjitha - duke dashur t'i merrni aftësitë tuaja të transferueshme dhe t'i përdorni ato diku tjetër.
Mund të jetë rasti edhe kur ju jeni i lumtur dhe i suksesshëm në rolin tuaj të tanishëm, por e ndieni nevojën për një sfidë të re, për të provuar dhe rritur veten. Rritja personale dhe stërvitja mendore, janë bazat për mirëqenien tonë emocionale dhe mendore, prandaj mos kini frikë të filloni diçka të re. Jeta është si një sfidë, për kapërcimin e kapacitetit, dhe ju do t’a dini se kur një ndryshim është i duhur për ju.
Përballja me një sfidë është diçka për të cilën njihet Rio Ferdinand. Kjo mund të vlejë edhe për ju. Njerëzit e shpërfaqin shpesh veten, kur janë përballë vështirësive. Kur provoni veten, mund të nxirrni më të mirën nga vetja juaj, dhe kjo mund t’ju japë një ndjenjë më të madhe kënaqësie dhe përmbushje.
Natyrisht, nëse jeni krejtësisht të pakënaqur me rolin tuaj të tanishëm, për një mori arsyesh, atëherë ndryshoni, dhe padyshim një sfidë e re është drejtimi i duhur që duhet të ndërmerrni. Por vetëm sigurohuni që t'i konsideroni mundësitë tuaja, dhe të luani në pikat e forta - të gjithë i kanë pikat e tyre të forta. Kënaqësia mund të jetë shumë afër. Duhet vetëm të ndërmerrni hapin e parë.