Gjashtë armiqtë emocionalë brenda mendjes suaj
Në një takim me njerëz të biznesit, pas një përshëndetje kortezie, pas shpinës dëgjoj një nga ato pyetjet rutinë -"Si po ju ecin punët?". e menjëherë pas kësaj vjen përgjigja rutinë - "Epo ja... mirë, po luftë, siç e dini edhe ju". E "lufta" më solli ndërmend "armiqtë". Po kundër kujt "armiqve" po luftonte njeriu pas shpinës time? Kush ishin ata - konkurrenca, taksat, ligjet apo dikush tjetër që kundërshtonte interesat e tij? Pastaj papritur më erdhën ndërmend "armiqtë" brenda vetes tonë, që i kisha hasur në një artikull nga Jim Rohn - që po e sjellim këtu më poshtë. Dhe, në të vërtetë - "A keni armiq në jetën tuaj?" Sa i njihni ju "armiqtë" tuaj, dhe sa prej tyre i keni brenda vetes?" Jim Rohn thotë: “Mos u bëni viktimë e vetvetes. Harrojeni hajdutin që mund t'ju presë në rrugicë - çfarë bëni me atë hajdutin tjetër, brenda në mendjen tuaj?” Lexim të këndshëm!
* * * * *
Çfarë mund të shkatërrojë ambiciet tona, fatin tonë, marrëdhëniet tona - jetën tonë? Janë ata "armiq" që fshihen brenda nesh, ata me të cilat përballemi së brendshmi, ata që duhet t'i shkatërrojmë përpara se të na shkatërrojnë. Këtu janë gjashtë prej tyre, mbi të cilët duhet të fitojmë:
1. Frika
Ne nuk kemi lindur me guximin dhe kurajon, por nuk kemi lindur as me frikën. Ndoshta disa prej frikërave tona vijnë nga përvojat tona, nga ajo që dikush na ka thënë, ose nga ajo që kemi lexuar dhe dëgjuar. Disa frikëra janë të vlefshme, si ecja vetëm në një zonë të keqe të qytetit, në orën 2 të mëngjesit. Por sapo të mësojmë të shmangim atë situatë, ne nuk do të duhet të jetojmë me frikën prej saj.
2. Indiferenca
Sa tragjike është sëmundja e indiferencës. Disa do të thonë, "Ehee, le të ndodhë çfarë të dojë. Unë do të ndjek rrymën". Por këtu ka një problem të lëvizjes me rrymën: Nuk mund ta lesh në dorë të rrymës e të arrish në majë të malit.
3. Pavendosmëria
Pavendosmëria është hajduti i mundësive dhe i sipërmarrjeve. Ajo do të vjedhë shanset tona për një të ardhme më të mirë. Ne duhet të marrim një "shpatë" kundër këtij "armiku".
4. Dyshimi
Sigurisht, që ka vend për një skepticizëm të shëndetshëm. Nuk mund të besojmë gjithçka. Por gjithashtu ne nuk mund të lejojmë që dyshimi të na drejtojë. Shumë prej nesh dyshojnë për të kaluarën, dyshojnë për të ardhmen, dyshojnë për njëri-tjetrin, dyshojnë për qeverinë, dyshojnë për shanset dhe dyshojnë edhe tek mundësitë. Më e keqja është dyshimi. Dyshimi do të shkatërrojë jetën tonë dhe shanset tona për sukses. Ai do të zbrazë llogaritë bankare dhe zemrat tona. Dyshimi është një armik. Kushtojini vëmendje atij. Hiqeni qafe atë.
5. Shqetësimi
Ne të gjithë duhet të shqetësohemi, por nuk mund ta lejojmë që kjo të na pushtojë. Në vend të kësaj, le të na alarmojë. Shqetësimi mund të jetë i dobishëm. Nëse gjendemi në një trotuar në New York City dhe një taksi po vjen përballë, ne duhet të shqetësohemi. Por ne nuk mund ta lejojmë shqetësimin të na përfshijë, sikur një qen i tërbuar na ka vendosur në një qoshe të vogël. Ja se çfarë duhet të bëjmë me shqetësimet tona: Futini ato në një cep të vogël. Çfarëdo që mund të na ndodhë aty jashtë ne do t'i kushtojmë rëndësinë e duhur. Çfarëdo që na shtyn, ne do ta shtyjmë më fort mbrapsht.
6. Ndrojtja
Kujdesi i tepërt është ndrojtje ndaj jetës. Ndrojtja nuk është një virtyt (ndryshe nga përulësia). Në fakt, mund të jetë një sëmundje. Nëse e lëmë të lirë, ajo do të na pushtojë. Nëse jemi të turpshëm, nuk do të avancojmë, nuk do të përparojmë dhe nuk do të rritemi e do të bëhemi të fuqishëm. Duhet ta shmangim kujdesin e tepërt.
Pra, ne duhet të luftojmë me "armikun", të ballafaqohemi me frikën, të ndërtojmë guximin dhe kurajon tonë, për të luftuar atë që na frenon, ndaj asaj që nuk na lejon të arrijmë qëllimet dhe ëndrrat tona. Ne duhet të jemi të guximshëm në jetën tonë dhe në kërkim të gjërave që duam, dhe atyre njerëzve, si duam të bëhemi.