Blog

4 Mënyra për të mbajtur Produktiv ekipin tuaj gjatë verës

4 Mënyra për të mbajtur Produktiv ekipin tuaj gjatë verës

Kemi sjellë edhe herë tjetër artikuj mbi produktivitetin në punë, por gjykojmë se është momenti për të kthyer vëmendjen, e aq më shumë për sezonin e verës. Ndërkohë që disa kompani presin me entusiazëm sezonin e përshtatshëm për konsumin e produkteve të tyre, për të tjerët aktiviteti fillon të zbehet dhe punonjësit pyesin njëri-tjetrin se ku do i kalojnë pushimet vjetore. Duke synuar t’ju nxisim të mos e ulni ritmin, më poshtë po sjellim artikullin me autor Claudio Sorrentino, i cili na jep disa ide se çfarë mund të bëjmë dhe se si të mund të mbajmë lart Produktivitetin, edhe në sezonin veror. Pushime të mbara e Lexim të këndshëm!    

* * * * *

Si kompani e vogël e bazuar në Floridën e Jugut, ne e dimë se si është kur vjen vera. Të rrish mbërthyer brenda, kur plazhi të thërret, është pothuajse e mjaftueshme për t'ju bërë që të dëshironi të lini punën. Shkolla ka mbaruar, fëmijët janë në shtëpi dhe punonjësit tuaj po “ngordhin” për një pushim.

Le ta shikojmë pak më konkretisht këtë: Kur vjen vera, të jesh produktiv ndoshta është gjëja e fundit që i shkon në mendje anëtarëve të ekipit tënd. Për korporatat e mëdha, një rënie e vogël e produktivitetit nga disa punonjës ka gjasa të mos ketë ndonjë efekt të dukshëm. Por për bizneset e vogla, edhe një apo dy punonjës të mos jenë aq produktivë sa duhet të jenë, mund të jetë një goditje e madhe në të ardhurat e biznesit.

S’ka rëndësi nëse jeni drejtues i një biznesi të vogël në Miami - Florida ose Miami - Ohio, më poshtë po ju paraqesim katër mënyra, për të ruajtur produktivitetin këtë verë:

Respektoni kërkesat për pushime

Gati gjysma e amerikanëve bëjnë disa lloj pushimesh verore. Shanset janë, që të paktën disa prej punonjësve tuaj të kontribuojnë në këtë statistikë. Edhe pse duket si sfidë të keni një punonjës me pushime për disa ditë, kjo ndërprerje është absolutisht e domosdoshme për të, që të rikarikohet dhe për të qenë më produktiv në punë, pas kthimit.

Sigurohuni që t'i respektoni kërkesat për pushime, sa më shpesh që të jetë e mundur. Mund t'ju duhet të punoni dhe diskutoni me punonjësit tuaj për t'i shkallëzuar këto pushime - sepse nëse gjysma e punonjësve ikin njëkohësisht për një javë, atëherë kompania nuk do të funksionojë – por, të gjithë meritojnë pak kohë larg nga tavolina e tyre e punës. Plus, respektimi i kërkesave për pushim, tregon se ju kujdeseni për punonjësit tuaj. Dhe është shumë më e lehtë të punojnë për një shef që e pëlqejnë, sesa për një që e urrejnë.

Inkurajoni punonjësit tuaj që të prioritizojnë detyrat e tyre

Një nga mënyrat më të mira, për t'i motivuar punonjësit tuaj, është t'i inkurajoni ata të kryejnë një detyrë të rëndësishme si gjëja e parë në mëngjes. Ndërkohë që rutina e zakonshme është kontrolli i email-it ose i medias sociale, të bërit e gjërave të rëndësishme në fillim të ditës, ka treguar se ka rritur pozitivitetin në punë, dhe në këmbim ka rritur edhe produktivitetin.

Pasi e kryejnë atë, si detyrë të parë, inkurajoni punonjësit tuaj që t'ju japin prioritet listave të deyrave "për t’u kryer". Kjo mund të funksionojë më mirë, së bashku me një listë më të gjerë të detyrave "për t’u kryer" të kompanisë. Për shembull, mund të vendosni një objektiv të përgjithshëm të kompanisë për të sjellë 10 klientë më shumë këtë sezon. Për departamentin tuaj të shitjes, kjo mund të nënkuptojë takime me klientët potencialë - të parët në listë, ndërsa mbajtja e marrëdhënieve me klientët aktualë është hapi i dytë në listë. Kur keni një listë prioritetesh të detyrave "për t’u kryer", është shumë më e lehtë të përqëndrohesh në një detyrë në një kohë - e me radhë, dhe të jesh më produktiv.

Konsideroni alternimin e detyrave dhe punëve

Për shumë prindër që punojnë, mund të jetë sfidë të organizojnë se si të kujdesen për femijët që kanë mbaruar shkollën, ndërsa janë në punë, veçanërisht nëse kanë fëmijë të vegjël. Për ata me fat, mund të kujdesen anëtarët e familjes. Për të tjerët, kopshti i kushtueshëm mund të jetë zgjidhja e vetme.

Nëse punonjësit tuaj bëjnë kryesisht punë zyre, ose detyra të tjera që mbështeten në të qenit përpara një kompjuteri, mund të ketë një alternativë. Kompani të mëdha dhe të vogla, në të gjithë vendin po implementojnë punën nga shtëpia, duke shfrytëzuar internetin, emailin dhe telefonin, në taktikat e tyre të biznesit.

Gjithashtu, ka prova se lejimi i punonjësve të caktuar që të organizojnë vetë lëvizjen e përditshme, ndikon jashtëzakonisht në mënyrë pozitive në lumturinë e tyre - dhe një punonjës i lumtur është produktiv. Natyrisht, juve do t’ju duhet të komunikoni objektivat dhe pritshmëritë tuaja, për të siguruar që ata nuk rrinë ulur dhe shikojnë televizor gjatë gjithë ditës. Por nëse kompania juaj nuk e ka ofruar kurrë punën nga shtëpia, vera është një kohë e përkryer për ta testuar atë.

Bëni një pushim të vërtetë

Nëse produktiviteti juaj po bie gradualisht gjatë gjithë verës, ekziston mundësia edhe që punonjësit tuaj t'a vënë re dhe të mos punojnë aq shumë. Zgjidhja? Bëni një pushim për vete! Dhe, jo një nga ato pushime ku ju uleni në shtëpinë e plazhit duke punuar gjithë ditën, ndërsa familja juaj po shijon plazhin - por një pushim, i cili duhet të jetë një pushim me shkëputje të plotë nga zyra.

Lini menaxherin tuaj më të besuar si përgjegjës. Ju, jo domosdoshmërisht, duhet të merrni një javë të plotë pushimi; studimet kanë treguar se pushimet e shkurtra mund të jenë po aq të dobishme sa ato të gjatat. Megjithatë është e rëndësishme, që t'i përfundoni ato me një notë të lartë. Ruani aktivitete vërtet zbavitëse, për ju ose familjen tuaj, deri në ditën e fundit. Kur të ktheheni në zyrë, mos u stresoni shumë me punë dhe të zhyteni menjëherë.

Mos harroni, prioritizoni! Këto janë vetëm disa nga taktikat që mund të përdorim për të ruajtur produktivitetin.

Cilat janë këshillat tuaja, për të siguruar që biznesi të jetë i frytshëm, edhe gjatë muajve të verës?