Blog

KULTURA = PARÁ

KULTURA = PARÁ

Kultura e kompanisë ose e biznesit - është një nga fjalët që dëgjoni më shpesh nëse lexoni mbi biznesin dhe menaxhimin. Dhe vërtet trajtohet shpesh kjo temë, ose ndoshta këtë përshtypje kemi ne, këtu në ProspecTime, pasi diskutojmë vazhdimisht rreth saj me klientët tanë. Duke qenë të bindur se ju punoni çdo ditë për ndërtimin dhe përsosjen e kulturës, në biznesit tuaj, po ju sjellim në ndihmë mendimin e autorit të artikullit, John Spence në këndvështrimin e punonjësve më të mirë e të talentuar. Nëse ju ka dalë nga vëmendja ndonjë element, është rasti të fokusoheni. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Për shumë prej bizneseve sot, treguesi i vetëm konkurrues që e veçon atë vërtet, ndaj të tjerëve, është cilësia e njerëzve që ata mund të marrin, rrisin dhe mbajnë në ekipin e tyre... dhe marrëdhëniet që ata krijojnë me klientët e tyre.

Konkurrentët mund të kopjojnë produktet tuaja, mund t'ju luftojnë me çmimin, mund të kontaktojnë dhe ofrojnë produktet e tyre në të gjitha kanalet tuaja të shpërndarjes, mund të shpenzojnë më shumë para në marketing, reklama dhe në mediat sociale. Megjithatë, nëse mund të tërhiqni, zhvilloni dhe mbani talentet më të mirë dhe pastaj t'i bëni ata të fokusohen plotësisht për një kujdes të paharruar ndaj klientëve tuaj ... kjo nuk është diçka që konkurrenca juaj mund ta kopjojë me lehtësi.

Por, çfarë i tërheq talentet më të mirë, për të punuar në një kompani? Unë kam qenë i interesuar ta zbuloj këtë arsye, kështu që unë bëra një studim bazuar tek më shumë se 10,000 punonjës, nga ata me potencial të lartë në kompanitë më të mira anembanë botës, dhe në përgjigje të pyetjeve të mia, ata thanë se kishte gjashtë gjëra që vlerësonin dhe kërkonin nga një punëdhënës ideal.

  1. Pagesë të drejtë - të cilën ata e përcaktojnë si 10% mbi ose nën atë që ata do të merrnin për të bërë të njëjtën punë, në një kompani tjetër.
  2. Punë sfiduese - punë që t'i mbajë të angazhuar, e dobishme, e rëndësishme, dhe e përshtatshme për aftësitë e tyre.
  3. Kolegë të këndshëm - lojtarët e kategorisë A duan të luajnë në një skuadër që ka vetëm lojtarë të tjerë të kategorisë A.
  4. Kulturë fituese - një vend ku njerëzit buzëqeshin kur vijnë në punë, po aq sa edhe kur largohen.
  5. Rritje personale dhe profesionale - mundësia për të mësuar dhe për t'u përmirësuar çdo ditë, si dhe për të parë një pozicion më të lartë për veten e tyre në kompani, për pas 5-7 vjetësh.
  6. Një shef që ta respektojnë dhe admirojnë - e fundit në listë, por në fakt një nga gjërat më të rëndësishme që dëshironin!

Nëse e mendoni pak më thellë, të gjashtë këta faktorë janë faktikisht elemente të një kulture fituese. Nëse doni të merrni njerëz të aftë në kompaninë tuaj, ju duhet t'i bëni  jashtëzakonisht mirë, këto gjashtë gjëra. Në fund të fundit, shumica dërrmuese e njerëzve që largohen nga një kompani, e bëjnë këtë sepse e urrejnë shefin e tyre dhe  / ose sepse mungon kultura. Njëherë dëgjova një intervistë me David Burkus për librin e tij "Nën menaxhimin e ri", dhe ai aty përmendi se vetëm 2 në 10 punonjës, janë plotësisht të angazhuar në punën e tyre. Mendoni për kohën e humbur, paratë, burimet dhe mundësitë. Megjithatë, nëse mund të angazhoheni edhe dy ose tre persona më shumë, ju do të krijoni një kompani që do të dominojë në treg.