5 Mënyra për të inkurajuar angazhimin e punonjësve
Sipas një sondazhi të Gallup, vetëm 32% e të punësuarve në ShBA janë vërtet të angazhuar. Kjo do të thotë se aty, mbi dy të tretat e punonjësve janë indiferentë ndaj punës së tyre. Ky është një prej shumë fakteve të lidhura me angazhimin në punë të punonjësve, që Mike Kappel na sjell me artikullin e tij. Sa % e punonjësve tuaj janë të angazhuar në punë? Duke menduar se idetë e paraqitura do të shërbejnë si një ndihmë në punën tuaj, ju urojmë Lexim të këndshëm!
* * * * *
Duke qenë se të pasurit e një biznesi të suksesshëm është ëndrra e çdo punëdhënësi, kompanitë e theksojnë angazhimin e punonjësve. Me një staf të angazhuar punonjësish, ulet rreziku i qarkullimit, rritet kënaqësia e klientit dhe rrisni shansin e përgjithshëm për sukses në kompaninë tuaj. Për të mos përmendur se angazhimi i punonjësve, ka një kthim përfitimesh të pasqyruar në shifra.
Kam mësuar se as ju e as punonjësit tuaj nuk mund t'a imponojnë angazhimin në vendin e punës. Ai duhet të jetë i rrënjosur tek biznesi juaj dhe tek çdo punonjës.
Angazhimi i punonjësve është niveli i përkushtimit, pasionit dhe besnikërisë që punonjësi ka ndaj punës dhe kompanisë së tij. Sa më i angazhuar është një punonjës, aq më shumë përpjekje do të bëjë ai.
Imagjinoni dy punonjës: Njëri vjen në punë 10 minuta më herët çdo ditë, është i gëzuar që është aty, dhe sjell vazhdimisht ide për përmirësimin e operacioneve dhe i ndan ato me të tjerët. Punonjësi tjetër vjen në punë në orar çdo ditë, mezi bën minimumin, dhe numëron minutat deri sa të largohet. Cili punonjës është më shumë i angazhuar?
Për një pronar biznesi, përgjigjja është e thjeshtë. Ju doni punonjës që janë shumë punëtor dhe të angazhuar në mënyrë aktive me punën që ata bëjnë. Ju mund të krijoni një kulturë organizative angazhimi të punonjësve duke marr disa hapa.
1. Mos e kapërceni përshtatjen dhe trajnimin e punonjësve të rinj.
Nëse punonjësit nuk i dinë mirë përgjegjësitë e tyre, ata nuk do të angazhohen. Kjo do t’i bëjë ata të jenë të hutuar, të frustruar, dhe në nxitim për të fituar këto njohuri, gjë e cila çon në mosangazhim.
Punonjësit të cilët mund t'a zotërojnë ngarkesën e punës kanë arritje më të mira dhe krenohen me atë që ata bëjnë. Punonjësit të cilët janë të etur për të përmbushur objektivat e tyre janë të angazhuar me kompaninë. Trajnimi hyrës i punonjësve të rinj është një nga hapat më të rëndësishëm që mund të ndërmerrni për t'u siguruar që punonjësit të angazhohen në punë. Një studim nga Shoqata e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (në SHBA) tregoi se një e treta e punonjësve të rinj e lenë punën e tyre pas vetëm gjashtë muajsh. Kjo tregon se ju keni më pak se gjashtë muaj kohë, për t'i angazhuar punonjësit në pozicionin e tyre.
Me një program të suksesshëm përshtatje në vendin e punës dhe trajnimin hyrës, punonjësit do të mësojnë se si t'a bëjnë punën e tyre në mënyrë efektive. Kjo është koha që ata mund të angazhohen me ju, të bëjnë pyetje, të ofrojnë ide dhe t'i japin zë shqetësimeve që ata kanë.
Për shumicën e punonjësve, përshtatja në vendin e punës dhe trajnimi hyrës është gjithashtu koha kur ata njihen me bashkëpunëtorët dhe zhvillojnë një lidhje me kompaninë. Studimet kanë treguar se sa më shumë miq që punonjësit kanë në punë, aq më të angazhuar janë ata. Një studim zbuloi se vetëm 28% e punonjësve pa miq në punë ishin të angazhuar, kundrejt 69% me 25 ose më shumë miq. Përshtatja në vendin e punës inkurajon marrëdhëniet midis punonjësve.
2. Vendosni Objektiva për kompaninë
Për të drejtuar një biznes të suksesshëm, keni nevojë për një plan biznesi me një listë objektivash që dëshironi t’i arrini. Për të angazhuar punonjësit, ju duhet t'i përfshini ata në arritjen e objektivave të biznesit.
Duhet të vendosni objektiva vjetore, 6-mujore, 3-mujore dhe mujore, në mënyrë që punonjësit të kenë diçka për të cilën punojnë. Arritja e objektivave është diçka e cila e inkurajon angazhimin e punonjësve.
Punonjësit duan të dinë se si përshtatet pozicioni i tyre me pozicionet e tjera në kompani. Dhe, ata duan të mësojnë se si puna e tyre ndikon në biznesin tuaj në tërësi. Ju mund të përcaktoni objektiva të përgjithshme të kompanisë si dhe objektiva brenda çdo departamenti. Në këtë mënyrë, çdo punonjës e di se si puna e tyre ndikon në suksesin e departamentit dhe në përgjithësi në biznesin tuaj.
3. Njihni meritat dhe përpjekjet e punonjësve
Punonjësit nuk angazhohen menjëherë dhe automatikisht nëse ju i lavdëroni apo i falenderoni ata, ose i shprehni në ndonjë lloj tjetër mënyre mirënjohjen tuaj. Por, punonjësit mund t'a humbasin shumë shpejt angazhimin, nëse ndihen sikur janë të padukshëm.
Punonjësit e angazhuar kanë një ndjenjë rehatie dhe atmosfere shoqërore me biznesin tuaj. Përsëri, është e rëndësishme që punonjësit t'i njohin bashkëpunëtorët e tyre dhe të zhvillojnë miqësi me ta. Por është gjithashtu e rëndësishme që të zhvillohet një marrëdhënie respekti dhe miqësie midis punëdhënësit dhe punonjësit.
Kur them njihni meritat dhe përpjekjet e punonjësve, nuk e kam fjalën që t'ju jepni lavdërime për çdo gjë që ata bëjnë. Këtu kam parasysh edhe gjëra të tilla si "Përshëndetje", “Mirmëngjes", “Ditën e mirë" ose "Faleminderit". Dhe kur punonjësi bën përpjekje shtesë, pranojini ato.
Menaxhimi i angazhimit të punonjësve tuaj duhet të theksojë njohjen e meritave të punonjësve për punën e tyre të vështirë. Sipas Gallup, punonjësit të cilëve nuk u njihen meritat kanë dy herë më shumë gjasa t'a lënë punën.
4. Përqëndrohuni tek zhvillimi i punonjësve
Ka shumë arsye pse punëkërkuesit aplikojnë dhe pranojnë një pozicion, si paga dhe përfitimet. Por, shumë punonjës duan gjithashtu mundësinë për t'u rritur në karrierën e tyre. Sondazhi i Gallup zbuloi se 87% e punonjësve e shohin zhvillimin po aq të rëndësishëm në punën e tyre.
Punonjësit duan të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të vazhdojnë të sfidojnë veten. Ata nuk duan të bëjnë punë monotone e cila kërkon përpjekje minimale. Punonjësit e angazhuar vazhdimisht e përdorin mendjen e tyre dhe rrisin aftësitë e tyre.
Mund të përqendroheni në zhvillimin e punonjësve në disa mënyra të ndryshme. Ju mund të shtoni detyra të reja në pozicionin e punonjësit për të parandaluar mërzinë, të lejoni hapësirë për rritje në pozicion, ose të ofroni një program rrotacioni të punës, në mënyrë që punonjësit të kryejnë detyra të ndryshme hera herës.
Një mënyrë tjetër, që ju mund të theksoni zhvillimin e punonjësve, është të ofroni mbështetje arsimore. Ky është një avantazh i madh që u lejon punonjësve arsimimin e mëtejshëm. Kjo u tregon punonjësve se ju e vlerësoni rritjen e tyre në karrierë, dhe gjithashtu, ju lejon të shtoni aftësi të reja në biznesin tuaj.
5. Mos mikromenaxhoni
Nëse punonjësve u thuhet saktësisht se çfarë duhet të bëjnë dhe si t'a bëjnë atë, ata nuk do të kenë kohë ose motivim për t'u angazhuar në punë. Do të jenë më shumë si robotë. Punonjësit nuk mund të angazhohen nëse nuk kanë liri se si t'a bëjnë punën e tyre..
Mikromenaxhimi mund të dëmtojë biznesin tuaj. Një biznes ka zbuluar se mikromenaxhimi ka zbehur moralin në 68% e punonjësve, dhe 55% e punonjësve pohojnë se kjo çon në rënie të produktivitetit. Ulja e moralit dhe produktivitetit, çojnë në punonjës të paangazhuar.
Mua nuk më pëlqen mikromenaxhimi, dhe as menaxherët e mi nuk e pëlqejnë atë. Ne i inkurajojmë punonjësit që të punojnë më vete, të dalin me idetë e tyre dhe t'i sjellin ato ide në tavolinë. Nëse ne i qëndrojmë mbi kokë në çdo hap, punonjësit nuk do të kenë lirinë për të zhvilluar mënyrat e tyre për zgjidhjen e problemeve dhe për t'u angazhuar me punën.
Në vend të mikromenaxhimit, unë i lejoj çdo punonjësi të marrë vendime për mënyrën se si t'a kryejë punën e tij. Kjo çon në nivele më të larta angazhimi. Dhe, punonjësit e dinë, se mund të shkojnë tek menaxheri i tyre (ose tek unë) nëse ata kanë ndonjë pyetje.
Filloni të shihni më gjerë. Lerini detajet t'i bëjnë punonjësit tuaj dhe do të përfundoni me punëtorë të lumtur, që do të aplikojnë metodat dhe idetë e tyre.