9 Zotimet e Vitit të Ri për suksesin në biznes
Për të qenë të sinqertë, sipas perceptimit tonë, tradita e zotimeve për Vitin e Ri nuk është e zakonshme në këtë pjesë të botës ku jetojmë. Zotimet e Vitit të Ri nënkuptojnë atë që dikush i premton vetes, se ka marrë vendimin të ndryshojë një tipar ose sjellje të padëshiruar, të përmbushë një objektiv personal ose në biznes, për ta përmirësuar jetën e tij e të familjes së tij, në 12 muajt e ardhshëm. Duke e vlerësuar vendosjen e zotimeve si një element pozitiv, që sjell përmirësimin e vazhdueshëm të gjërave, po ju sjellim artikullin e Kimberly de Silva, me disa ide zotimesh, që mund t’i vendosni për zhvillimin e biznesit tuaj dhe mënyrën se si do dëshironit ta zhvillonit atë. Lexim të këndshëm, dhe, një Vit sa më të suksesshëm në realizimin e zotimeve tuaja!
* * * * *
Kur njerëzit dëgjojnë “zotime për vitin e ri”, shpesh mendojnë të “bëjnë më shumë ushtrime”, “të shpenzojnë më shumë kohë me familjen” ose “të udhëtojnë më shumë”. Përveç këtyre zotimeve personale, gjithashtu mund të krijoni zotime të rëndësishme për biznesin tuaj. Një zotim, mbi të gjitha, është një vendim për të bërë diçka ndryshe e për të sjellë ndryshime pozitive. Është moment i mirë për të reflektuar mbi përparimin e biznesit tuaj dhe për të planifikuar mënyrën se si do të rrisni biznesin tuaj gjatë këtij viti.
1. Do të mësoj se si të delegoj dhe do ta bëj sa më shpesh këtë.
Si pronar apo drejtues biznesi, listën tuaj të detyrave ndoshta nuk e nxë një faqe. Janë kaq shumë gjëra për t’u bërë, dhe është e lehtë të mashtroni veten se duhet t'i bëni ju vetë të gjitha ato. Ju mund të punoni një numër të caktuar orësh në ditë. Si rezultat, ndoshta jeni të lodhur, të stresuar dhe nuk keni kohë të lirë jashtë biznesit tuaj. Delegimi është çelësi, për një ekuilibër të shëndetshëm punë-jetë. Megjithatë, njerëzit nuk delegojnë sepse kjo kërkon shumë përpjekje paraprake dhe duket si humbje kontrolli. Pra, si ta lejoni dikë të bëjë detyra të caktuara, ndërkohë dhe të siguroheni se janë bërë si duhet? Përgjigja është e thjeshtë: Komunikim dhe Trajnim. Sigurohuni që punonjësit tuaj janë të trajnuar mjaftueshëm, deri në pikën ku mund të marrin përsipër disa nga detyrat tuaja. Hapi tjetër është të komunikoni qartë objektivat dhe afatet, në mënyrë që të mos përfundoni duke mikromenaxhuar.
2. Do të mësoj si të menaxhoj paratë e mia në mënyrë më efektive.
Lëvizja e parasë është gjaku i çdo biznesi. Në fakt, një studim i rëndësishëm nga një kompani amerikane e shërbimeve financiare, zbuloi se 82 për qind e bizneseve dhe bizneseve të reja dështojnë për shkak të menaxhimit të dobët të përdorimit të parasë. Sipas "The Balance": - "Ky është një zotim i shkëlqyeshëm për pronarët e bizneseve që kanë luhatje të mëdha dhe rrjedhje në lëvizjen e parasë, të cilët nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë kapital të mjaftueshëm, për të investuar përsëri në biznes apo që nuk i kuptojnë vërtet financat e biznesit ditë-pas-dite".
3. Do të ndërmarr hapa për të përmirësuar praninë time dixhitale.
Nëse ka më shumë se një vit që kur faqja juaj e internetit është përditësuar, nëse nuk keni ndërmarrë veprime për ta bërë miqësore praninë tuaj në internet, edhe për përdorimin në telefonat celularë, nëse ende nuk keni krijuar listën e marketingut të postës elektronike ose nëse përdorimi dixhital nuk është fare pjesë e strategjisë tuaj të marketingut, është koha për t'a shtuar këtë në zotimet e vitit të ri. Ju mund ta çoni një hap më tej se sa ta bëni miqësor me celularët duke e nisur prezencën tuaj dixhitale me një aplikacion për telefon, në fillim.
4. Do të vendos çmimin aq sa e ka vlerën.
A mendoni se produkti apo shërbimi juaj është i nënvlerësuar? Nëse po, atëherë mund të jetë koha për t'i ngritur tarifat tuaja që të korrespondojnë me vlerën që sillni në “tavolinë”. Ju mund të mendoni se rritja e çmimeve do t'i largojë disa njerëz, nga të qenit klientët tuaj. Ky mund të jetë rasti, por ju nuk mund të ofroni të gjitha gjërat për të gjithë njerëzit. "Klientela juaj e synuar do të paguajë atë që tregu ka vërtetuar se do të paguajnë", - thonë sipërmarrësit. Si mund ta zbatoni këtë? Në varësi të biznesit tuaj, mund të zhvendoseni në një "paketë vlere". Kjo ndodh kur ju ofroni paketa me nivele, të cilat u ofrojnë klientëve potencialë mundësi zgjedhje, në mënyrë që ata të mund të përqëndrohen në vlerën që ofroni, se sa në sasinë e kohës që keni shpenzuar. Atëherë çmimet tuaja mund ta pasqyrojnë këtë vlerë.
5. Do të mësoj diçka të re.
Viti i ri, aftësi e re. Zgjidhni diçka të re për të mësuar në vitin 2018 - mund të lidhet ose jo drejtpërdrejt me biznesin tuaj. Të mësuarit e një aftësie të re do të shtojë një dimension të ri interesi për jetën tuaj, i cili do t'ju ndihmojë në ruajtjen e balancës punë-jetë. Gjithashtu do t'ju ndihmojë të dilni nga zona juaj e rehatisë dhe të takoni njerëz të rinj, pavarësisht nëse vendosni të merrni mësim marketingu ose të mësoni një gjuhë të re.
6. Do ta bëj rishikimin e strategjisë së biznesit, një ngjarje javore.
Planifikimi është jetik, nëse doni të nxisni një biznes në rritje. Por drejtimi i një biznesi mund të jetë kaotik dhe është e lehtë të të mbërthejnë punët e përditshme. Rishikimi i strategjisë së biznesit, ju lejon të ktheheni një hap prapa dhe të theksoni se çfarë ka funksionuar dhe çfarë nuk ka funksionuar, duke rregulluar objektivat e vjetra dhe vendosur objektiva të reja. Pra, pse ta bëni çdo gjashtë muaj apo një herë në vit? Dedikoni kohë çdo javë për t'i shqyrtuar strategjitë tuaja. Kjo do t'ju ndihmojë të qëndroni në rrugën e duhur dhe të keni një qëndrim të qartë për biznesin tuaj.
7. Do heq dorë nga ajo që nuk po funksionon dhe do të vazhdoj përpara.
Pas rishikimit të strategjisë së biznesit, do t'a dini saktësisht se çfarë nuk funksionon në biznesin tuaj. Ndoshta metoda juaj e shitjes nuk po funksionon mirë, një nga produktet tuaja nuk është shitur ose një partneritet specifik nuk po funksionon... Nëse është kështu, atëherë është koha të hiqni dorë prej saj. Siç thekson "The Balance": - “Nëse një teknikë, ose një produkt, ose një marrëdhënie biznesi nuk po funksionon për ju, ndërpriteni përdorimin e saj. Mos investoni shumë energji në përpjekje për t'i bërë të funksionojnë, ato që nuk funksionojnë. Ecni para. Diçka më e mirë do të dalë”.
8. Do të promovoj biznesin tim rregullisht dhe vazhdimisht.
Meqë pronarët e bizneseve “veshin shumë kapele”, ju mund të mos e keni "marketingun" gjithmonë në krye të listës tuaj të detyrave. Ndërsa duhet patjetër të përqëndroheni në dhënien e eksperiencës shumë të mirë mbi biznesin, nuk duhet të harroni, por duhet t'ja tregoni atë përvojë të mahnitshme edhe botës jashtë. Për të tërhequr klientë të rinj, ju duhet t'a bëni promovimin një prioritet. Merrni kohë për të krijuar një plan marketingu, ose, nëse fondet tuaja ju a lejojnë, punësoni një ekspert marketingu për t'ju ndihmuar t'a sistemoni atë.
9. Do t'i zgjeroj gjurmët e mia në teknologjitë e reja.
Pak gjëra i acarojnë punonjësit - dhe klientët - më shumë se sa të punojnë me teknologji të vjetëruar. Shpejtësia e ngadaltë e internetit, sistemet operacionale jo të shpejta e të sakta dhe mjetet e papërshtatshme, të cilat mund të hanë kohën e vyer. Bëni një listë inventari të të gjitha paisjeve të kompanisë tuaj, për të parë se çfarë duhet zëvendësuar. Ndoshta është koha për të implementuar një sistem online të porosive, ose ndoshta punonjësit tuaj mund të përdorin kompjutera të rinj. Filloni vitin siç duhet, duke përmirësuar gjurmët tuaja në teknologji.