Për të rimarrë veten nga rraskapitja, vendosni veten nën kontroll
Jemi në Dhjetor, muajin e fundit të vitit, dhe arritja e objektivave është në finishin e tyre. Për shumë punonjës përpjekjet për arritjen e rezultateve kthehen në qëllimin e vetëm, dhe papritur e pakuptuar disa prej tyre, ndihen të stresuar e të tejlodhur. Nuk është e thënë që kjo gjë të ndodhë vetëm në fund të vitit, por gjasat janë që kjo gjëndje të finalizohet këtu. A jeni ju në mesin e punonjësve "të rraskapitur"? Tre shenjat kryesore për të kuptuar këtë janë: lodhja emocionale, ulja e rezultateve dhe depersonalizimi. Por, a ka mundësi për të dalë nga kjo gjendje? Sipas Elizabeth Grace Saunders - autore e artikullit më poshtë, jeni ju që mund dhe duhet, të ndryshoni gjëndjen tuaj. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Ju ndiheni të lodhur, të paefektshëm, të paplotësuar dhe të nënvlerësuar. Ndoshta po mendoni se s’ka rëndësi se sa shumë punoni, përsëri kurrë nuk do ja dilni dot mbanë. Ose që nuk do të mund t’i kënaqni kërkesat e shefin tuaj, pavarësisht se sa shumë përpiqeni. Dhe pastaj filloni të vini në pikëpyetje gjendjen tuaj profesionale: - A jam në punën e duhur? - A jam në kompaninë e duhur? - A jam në karrierën e duhur? - Dikur kisha dëshirë e pasion për të shkuar në punë, por tani e kam frikë të Hënën dhe mezi pres të mbyllet java. A do të ndiej përsëri entuziazëm për jetën dhe për punën time?
Këto janë shenjat klasike të lodhjes së madhe. Dhe në këtë gjendje, shpesh ndiheni sikur gjërat ju kanë dal jashtë kontrollit - sikur gjithçka përreth, po punon kundër jush. Ju mund të mendoni: - Të tjerët e kanë fajin për lodhjen time të madhe. Por ky mendim viktimizues vetëm do t’ju bllokojë të bëni diçka rreth gjendjes tuaj. Ndërsa ankoheni për njerëzit e tjerë, ditët e jetës suaj po kalojnë zvarrë-zvarrë.
Është shumë më mirë të përshtateni me një mentalitet pronësie, i cili tingëllon kështu: - Të tjerë mund të kenë kontribuar në situatën time, por unë kam aftësinë për të bërë zgjedhjet e duhura, të cilat mund të përmirësojnë të tashmen dhe të ardhmen time. Duke menduar në këtë mënyrë, kjo ju jep të drejtën për të zgjedhur, madje edhe disa gjëra dhe mënyra të vogla, për të ndërmarrë veprime për të karikuar dhe për të ndërtuar momentin. Të kuptoni dhe mendoni se është në dorën tuaj, kjo hap shpresa për të ardhmen.
Hapi tjetër, mund të zgjidhni të besoni se veprimet e duhura do t'u çojnë në ndjenjat e duhura, në vend që të besoni të kundërtën. Kur jeni të lodhur e të konsumuar, është e lehtë të mendoni se pavarësisht se çfarë bëni, nuk do të ketë ndryshime. Kjo ndodh për shkak të ndryshimeve fiziologjike në trurin tuaj, të cilat ju shkaktojnë të keni më pak interes për aktivitete, të cilat nuk do t'ju bënin të lumtur. Për të luftuar kundër këtij negativiteti, kujtohuni se nuk ka nevojë të bëni sikur po veproni, por të veproni realisht. Në fakt, ndërmarrja e veprimeve çon në rritjen e dëshirës për të bërë aktivitete më pozitive në të ardhmen.
Pastaj, rrisni vigjilencën ndaj nevojave fizike dhe emocionale të trupit tuaj. Mund të jenë edhe disa gjëra shumë të thjeshta, si, të ngriheni për të shtriqur këmbët kur të ndiheni të mpirë, të hani drekë me kolegët, në vend që të hani veç tek tavolina juaj, ose të shkoni në shtrat kur jeni të lodhur. Nëse jeni shumë të lodhur, do t'ju duhet më shumë gjumë se zakonisht, pasi kjo është pjesë e procesit të shërimit të trupit tuaj. Juve gjithashtu mund të keni nevojë për pushime të shkurta gjatë ditës. Ndërprerjet janë të dobishme për këdo, pasi ndihmojnë në rikthimin e energjive - por nëse jeni të rraskapitur, ato janë veçanërisht të rëndësishme, pasi marrja e vendimit për t'i bërë ato tregon se ju keni një nivel kontrolli për veten tuaj, madje edhe për gjërat e vogla.
Së fundi, rishikoni dhe vlerësoni edhe njëherë synimet tuaja, për mënyrën se si duhet të jetë jeta juaj e punës, dhe çfarë duhet të bëni për ta arritur atë. Më pëlqen shumë këndvështrimi i Jason Fried, bashkë-themelues dhe CEO i Basecamp, mbi këtë temë, i cili e përshkroi kështu, në një intervistë: - "Për shkak se kompania ju paguan juve, nuk do të thotë se ajo ju ka në pronësi".
Kush thotë se sonte nuk mund të shkëputeni nga puna? Apo të kërkoni një shtyrje afati për atë që jeni duke bërë? A mund të tërhiqeni nga bërja pjesë në një komision, apo të bëni disa ditë pushim? Shpesh keni shumë më tepër zgjedhje, se sa duken në pamje tv parë. Ju duhet të provoni të thyeni disa vet-kufizime, për të zbuluar se çfarë mund të përmirësohet në situatën tuaj.
Unë rekomandoj të filloni me gjëra të vogla, sidomos nëse jeni hezitues. Për shembull, ju mund të vendosni, se të paktën një natë në javë, nuk do të merrni asnjë punë në shtëpi. Ose, çdo natë, pas një ore të caktuar, do të shkëputeni nga pajisjet tuaja, si telefoni e kompjuteri. Hapa të vegjël si këto, e ulin rrezikun në favorin tuaj dhe u japin mundësi të tjerëve, që të përshtaten gradualisht me marrëdhënien tuaj të re me punën.
Si fillim, ndoshta nuk duhet të flisni direkt me kolegët tuaj për ndryshimet që doni të bëni. Por me kalimin e kohës, do të duhet të hapeni. Ndoshta mund të bëni një bisedë me shefin tuaj, për të diskutuar se cilat projekte kanë prioritetin më të lartë për këtë tremujor dhe cilat mund të presin. Ose, punoni me kolegët tuaj për ndarjen e përgjegjësive në një projekt, ose ndoshta të kërkoni për të sjellë më shumë burime njerëzore.
Dhe nëse jeni në një pozicion profesional, ku njerëzit vërtet, kanë kërkesa të paarsyeshme dhe nuk mund të vendosni kufij, mendoni më gjerë. Konsideroni të kërkoni një punë të re, apo edhe një karrierë të re. Këto ndryshime mund të kërkojnë kohë. Por është e rëndësishme të mbani parasysh se zgjedhja është aty. Jeta nuk duhet të vazhdojë në të njëjtën mënyrë që ka qenë gjithmonë. Ndryshimi i mentalitetit tuaj dhe ndërmarrja e veprimeve të vogla do t'ju ndihmojë të filloni të ndiheni më pak të rraskapitur e të lodhur dhe më shpresëdhënës për të ardhmen.