Blog

5 Mënyra se si drejtuesit mund të ndërtojnë Frymën e ekipit

5 Mënyra se si drejtuesit mund të ndërtojnë Frymën e ekipit

Prej fillimit, dëshirojmë të theksojmë se artikulli që po sjellim këtë javë, nga autori Craig Impelman, ishte një kënaqësi prej momentit të parë, jo vetëm nga mënyra e trajtimit të temës, mbi ndërtimin e Frymës së ekipit, por në veçanti, prej faktit se ai bazohej tek studimet e trajnerit John Wooden (1910-2010), një prej legjendave të basketbollit amerikan, si lojtar dhe trajner, por edhe si një autor shumë i vlerësuar, i një sërë librash mbi ndërtimin e ekipeve, lidershipin, zhvillimin personal dhe suksesin. Për kontributin e tij në basketbollin amerikan, ai ka fituar dhe merituar plotësisht një mori titujsh dhe vlerësimesh, që kulmojnë, prej vitit 1060, me vendosjen e emrit të tij në Sallën e Famës së Basketbollit (Baskeball Hall of Fame) si lojtar, dhe përsëri në vitin 1973, edhe si trajner, duke qenë i vetmi person, që nderohet dy herë. Libri i tij “Piramida e Suksesit”, publikuar në vitin 2005 - një prej librave më të shitur, ofron këshilla praktike mbi ndërtimin e suksesit hap pas hapi e bllok pas blloku, ashtu si një piramidë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Fryma e ekipit është përcaktuar në Piramidën e Suksesit të trajnerit Wooden si "Një konsideratë e vërtetë për të tjerët. Një dëshirë e zjarrtë për të sakrifikuar interesat për lavdi personale për mirëqenien e të tjerëve".

Trajneri Wooden e përshkroi Frymën e ekipit në këtë mënyrë: "Në grupin e tretë, në qendër të kësaj strukture, renditet Fryma e ekipit, por kjo nuk është më shumë se konsideratë për të tjerët. Ne duhet të kemi konsideratë për të tjerët, nëse duam t'i zhvillojmë aftësitë tona, dhe duhet të punojmë së bashku për mirëqenien e të gjithëve. Në punën në grup, është e mahnitshme se sa mund të realizohet, nëse askush nuk shqetësohet se kush do të marrë lavdërimin".

Çdo sezon, Traineri ndante me lojtarët e tij një broshurë, me titull " Fryma e ekipit", me të cilën ai e ndiente se kapte thelbin e ndërtimit të frymës së ekipit:

Ne nuk duam "super" lojtarë, nuk duam "yje"... Asnjë zinxhir nuk është më i fortë se hallka e tij më e dobët, e kështu asnjë ekip nuk është më i fortë se lojtari i tij më i dobët. Një lojtar që tenton "tribunën", mund të shkatërrojë edhe ekipin më të mirë, të organizuar ndonjëherë. Ne duhet të jemi "një për të gjithë dhe të gjithë për një", me çdo djalosh, që jep më të mirën, çdo sekondë të lojës. Ekipi është i pari, lavdërimet individuale janë të dyta. Nuk ka vend për egoizëm apo zili në ekipin tonë.

Ndërtimi i Frymës së ekipit është përgjegjësi e drejtuesit. Është aftësia për t'i bërë të etur, të gjithë anëtarët e ekipit, jo thjesht të gatshëm për të vënë "Ne" përpara "Unë".

Fryma e ekipit nuk është gjithmonë një diçka që vjen automatikisht me ekipin.

Më poshtë janë disa sugjerime, bazuar në filozofinë e Trajnerit Wooden, për zhvillimin e ekipit.

1. Jini drejtues i përulur

Grupi duhet ta dijë se punojnë me ju, jo për ju. Nëse ndodh diçka e mirë, si rezultat i një sugjerimi, që vjen nga anëtarët e ekipit, jepini meritat personit që e ka bërë sugjerimin. Nëse ndodh diçka e keqe si rezultat i një sugjerimi që keni marrë prej ndonjv anëtari të ekipit, merrni përsipër fajin. Trainerit i pëlqente të thoshte gjithmonë - "Ylli i ekipit është ekipi".

2. Vendosni disa rregulla ose sugjerime se si anëtarët e ekipit duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin

Një nga tre rregullat e trajnerit Wooden për stërvitjen, ishte: "Asnjëherë mos kritikoni një shok ekipi". Në vendin e punës, përpiquni të përdorni këshillën e Napoleon Hill: "Nëse keni diçka për t'i thënë dikujt ose për dikë, mendoni nëse kjo, do t'i ndihmojë apo do t'i lëndojë ata. Nëse do t'i ndihmojë, thuajeni atë, nëse do t'i dëmtojë, mos e thoni". Krijoni një kulturë ku kritikat negative dhe thashethemet nuk pranohen.

3. Lavdëroni publikisht dhe kritikoni privatisht

Kur lavdëroni, lavdëroni ata që dallohen shumë rrallë, mbi të tjerët. Traineri Wooden e bënte këtë, kur fliste për mediat në lidhje me ekipin e tij. Në vendin e punës, për shembull, lavdëroni anëtarët bazë të ekipit, ata që mbajnë peshën kryesore, ose anëtarët që kanë kontaktin e parë me klientët. Traineri përdorte analogjinë e një makine garash, dhe vinte në dukje, se boshti që mban rrotën e makinës është po aq i rëndësishëm, sa motori i fuqishëm që e shtyn përpara atë. Të gjithë duhet ta dinë, pse puna e tyre është e rëndësishme dhe  të ndjejnë se përpjekjet e tyre vlerësohen.

4. Anëtarët e ekipit duhet t'a dinë se objektivat personale kanë vetëm një shans për t'u arritur, vetëm nëse ekipi përmbush objektivat e tij

Ju nuk mund të merrni rritje page nëse kompania falimenton.

5. Ndani me ekipin tuaj gëzimin dhe rëndësinë e të dhënit të tjerëve  

Traineri Wooden e përshkronte kështu këtë rregull: "Ekipet fituese karakterizohen nga zemërgjerësia. Unë besoj se duhet t'i mësojmë lojtarëve tanë të shohin në fillim se si të pasojnë, dhe pastaj si të gjuajnë. Kjo i ndihmon ata në ndërtimin e frymës së ekipit. Personalisht përpiqem ta ndërtoj këtë koncept edhe jashtë fushës së lojës”. Ai i inkurajonte shpesh lojtarët e tij, duke i kujtuar atyre që: -"Ju nuk mund të jetoni një ditë të përsosur pa bërë diçka për dikë, pa menduar për shpërblimin".

Trajnerit gjithashtu i pëlqente të citonte një pasazh që kishte lexuar një herë: -"Egziston një ligj mistik i natyrës, sipas të cilit - Tre gjëra, të cilat njerëzimi i dëshiron më shumë, janë: Liria, Lumturia dhe paqja mendore – dhe ato nuk mund të arrihen, pa ja dhënë dikujt tjetër”. Fryma e ekipit rezulton atëherë, kur drejtuesi frymëzon të njëjtat tipare brenda ekipit të tij, dhe duke e bërë këtë, i bashkon të gjithë anëtarët, për të punuar drejt objektivit të tyre të përbashkët. "Unë përpiqem t'u theksoj lojtarëve, që ju duhet të jepni që të merrni", ka shkruar trajneri, "dhe kjo është diçka e vërtetë, si në basketboll edhe në jetë".