Dëshironi që punonjësit tuaj t'ju besojnë? Tregojuni atyre se i besoni!
Çdo marrëdhënie pozitive pune bazohet në besim. Një mjedis besimi supozon se të dyja palët do të jenë të sigurta dhe mbart me vete një mesazh të nënkuptuar që ju keni në mend interesat më të mira për njëri-tjetrit. Besimi juaj, tek punonjësit tuaj mund të rritet vetëm përmes performancës dhe rezultateve. Me fjalë të tjera, punonjësit tuaj duhet të fitojnë besimin tuaj. Në artikullin më poshtë - shkruar prej 3 profesorëve në shkolla bisnesi, Holly H. Brower, Scott W. Lester dhe M. A. Korsgaard, po ju sjellim disa ide, që mund t'i perdorni, për të ndihmuar punonjësit tuaj të fitojnë besimin tuaj. Ju duhet të ndërmerrni hapin e parë, dhe do të shikoni se vetë puna do të bëjë pjesën tjetër. Suksese në ndërtimin e besimit!
* * * * *
Drejtuesit dhe menaxherët investojnë shumë kohë dhe përpjekje, për të ndërtuar besimin në ekipet e tyre: duke u përpjekur të krijojnë besim tek punonjësit e tyre dhe të sigurohen që punonjësit t'ju besojnë atyre, gjithashtu. Por shumë punonjës thonë se nuk ndjehen të besuar nga menaxherët e tyre. Dhe kur punonjësit nuk ndihen të besuar, në vendin e punës, produktiviteti dhe angazhimi ndaj punës ka mangësi. Është detyrë e menaxherëve të krijojnë besimin tek punonjësit e tyre, në mënyra të vazhdueshme dhe të mirë-menduara.
Sipas hulumtimeve, punonjësit që janë më pak të besuar, nga menaxheri i tyre, bëjnë më pak përpjekje, janë më pak produktivë dhe kanë më shumë gjasa të largohen nga organizata. Punonjësit, të cilët ndjehen të besuar, kanë performancë më të mirë dhe bëjnë përpjekje shtesë, duke i kapërcyer pritshmëritë e pozicionit. Plus që, kur punonjësit e ndjejnë se drejtuesit e tyre ju besojnë që të kryejnë detyra të rëndësishme, ata kanë besim më të madh tek vendi i punës, dhe punojnë me një nivel më të lartë përkushtimi.
Me pak fjalë, besimi krijon besim. Kur njerëzit besohen, ata kanë tendencë të besojnë në këmbim. Por njerëzit duhet të ndjehen të besuar që t'a kthejnë besimin. Menaxherët duhet të bëjnë më shumë se sa t’i besojnë punonjësve; ata duhet ta tregojnë atë. Ne kemi identifikuar disa nga mënyrat më të rëndësishme, përmes të cilave menaxherët mund të rrisin besimin, dhe, se si ata mund t’i japin sinjale më të qarta, ekipeve të tyre.
Çfarë mund të bëjnë Menaxherët për të sinjalizuar “Besim”
Merrni situatën në dorë. Së pari, mos supozoni që punonjësit tuaj kanë besim të madh tek ju. Mësoni të lexoni nivelet e tyre të besimit, duke kuptuar rreziqet dhe dobësitë që hasin. Bëni një inventar të praktikave, politikave dhe kontrolleve të gjetura në organizatën tuaj: A janë ata tolerantë ndaj rrezikut? Kur i shikoni politikat nga perspektiva e punonjësit, a janë ato të tilla që t’i angazhojnë punonjësit, apo për t'a mbrojtur organizatën prej tyre?
Hiqni dorë nga kontrolli (me kujdes). Burimi për të rritur besimin e ndërsjelltë qëndron tek menaxherët. Kjo do të thotë që jo vetëm të kultivoni besimin tek punonjësit, por të përcillni besim të kujdesshëm dhe në rritje tek ata. Menaxherët duhet të përballen me detyrat në mënyrë të përshtatshme, të japin më shumë autoritet dhe të mos e minojnë atë më vonë. Heqja e kontrollit gjithashtu kërkon një tolerancë të caktuar për gabimet. Në vend që të ndërmerrni veprime të ashpra korrigjuese, trajtojini gabimet e punonjësve si mundësi për të lehtësuar procesin e të mësuarit.
Ndarja e informacionit. Një tjetër mënyrë e rëndësishme, e cila kërkon që drejtuesit të marrin parasysh rreziqet, është të komunikojnë hapur dhe me ndershmëri me punonjësit. Menaxherët shpesh janë ngurrues të ndajnë informacionin dhe të shpjegojnë vendimet e tyre për shkak të frikës nga rrjedhjet e parakohshme, hamendësimet ose mosmarrëveshjet. Të qenit transparent çon sinjale që tregojnë se ju i besoni punonjësve tuaj me të vërtetën, madje edhe në rrethana të vështira.
Një menaxher i punonjësve të sektorit publik u përball me këtë sfidë për disa vite kur merrte vendime të paguante sipas meritës me një buxhet gjithnjë e më në rënie. Zgjidhja e tij ishte të jepte një përshkrim të detajuar të kufizimeve buxhetore dhe se si do të zbatoheshin kriteret për rritjen sipas meritave. Ai e dha këtë shpjegim para se të komunikonte vendimet e rritjeve sipas meritës. Një hapje e tillë kaq e madhe, jo vetëm që parandaloi dyshimet dhe hamendsimet, por tregoi se menaxheri u besonte punonjësve informacion të ndjeshëm.
Investimi në zhvillimin e punonjësve. Së fundi, duke i lejuar punonjësit t'a dinë se jeni të gatshëm të investoni në potencialin e tyre dhe të ngrini zërin për ta, transmeton konfidencë dhe besim. Njihni aspiratat e tyre të karrierës, pastaj ndihmojini ata të arrijnë qëllimet e tyre. Në fund të fundit, si menaxher, suksesi juaj varet nga suksesi i atyre që zhvilloni.
Menaxherët mund të mos jenë të vetëdijshëm, për sinjalet e paqëllimshme që ata dërgojnë, në lidhje me se sa i besojnë punonjësit e tyre. Për të ndërtuar një mjedis besimi të qëndrueshëm të ndërsjelltë, mësoni të lexoni të fshehtat e besimit, dhe të kujdeseni që të transmetoni sinjale të sinqerta dhe të qarta besimi dhe konfidence tek punonjësit.