Si të bëni biseda të vështira kur nuk ju pëlqen konflikti
Nëse menaxhoni njerëz, është e pashmangshme, që ndonjë ditë do të duhet t'i tërhiqni vëmendjen edhe atyre më të mirëve, e natyrisht kjo nuk është një nga ato bisedat e lehta, e që bëhen me dëshirë. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet: veshja e papërshtatshme, ose joprofesionale për punë, higjiena personale ndonjëherë e papranueshme, sjellja apo gjuha e papërshtatshme, një vend pune i çrregullt apo një orar i parespektuar etj. Këto janë vetëm disa shembuj, e ju mund të shtoni plot të tjera, që kërkojnë reagime të përgjegjshme nga të dyja palët. Por si mund t'i bëjmë sa më të përshtatshme këto biseda, dhe të marrim rezultatin pozitiv? Këtu po ju vijmë në ndihmë me artikullin e Joel Garfinkle - një ndër 50 trajnerët më të vlerësuar në Amerikë. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Shmangia ose shtyrja për më vonë e një bisede të vështirë, mund të dëmtojë marrëdhëniet tuaja dhe të krijojë rezultate të tjera negative. Mund të duket e panatyrshme në fillim, veçanërisht nëse keni frikë nga mosmarrëveshjet, por mund të mësoni t’i përballoni këto bisedime të vështira duke i riformuluar mendimet tuaja.
Filloni nga një pozicion kurioziteti dhe respekti dhe mos u shqetësoni nëse ju pëlqejnë ose jo. Shmangësit e konfliktit shpesh janë të shqetësuar nëse ata pëlqehen. Është e natyrshme të duam që të na pëlqejnë, por kjo nuk është gjithmonë gjëja më e rëndësishme. Hyni në bisedë me një qëndrim të hapur, dhe vërtet, me dëshirë për të mësuar. Filloni nga një pozicion kurioziteti dhe respekti - për veten dhe për personin tjetër. Rëndësia dhe ndjeshmëria e vërtetë prodhojnë të njëjtën gjë: respekt reciprok dhe ndjeshmëri të përbashkët. Edhe kur çështja në fjalë është e vështirë, biseda mund të mbetet reciprokisht mbështetëse. Respektoni pikëpamjen e personit tjetër dhe prisni që ata të respektojnë tuajat.
Përqendrohu në atë që po dëgjon, jo në atë që po thua. Njerëzit të cilët largohen nga konflikti, shpesh kalojnë shumë kohë duke riformuluar mendimet me veten e tyre. Megjithëse mund të duket si përgatitje e dobishme, ripërsëritja mbi atë që do të thuhet mund të rrëmbejë mendjen tuaj gjatë tërë ditës dhe nganjëherë edhe natën vonë. Gjithsesi, bisedat e vështira, rrallë shkojnë ashtu siç janë planifikuar. Pra, hiqeni presionin nga vetja. Ju në të vërtetë nuk duhet të flisni shumë gjatë një bisede të vështirë. Përkundrazi, përqëndrohu tek dëgjimi, reflektimi dhe vëzhgimi. Për shembull, nëse një anëtar i ekipit ka tejkaluar një tjetër afat kohor, afrohuni duke e pyetur në mënyrë neutrale, me përkrahje: "E shoh që projekti është prapa me kohën. Më thuaj më shumë për sfidat me të cilat po përballesh". Pastaj dëgjoni. Bëni një pauzë. Tregohuni të interesuar dhe proaktiv. Mblidhni sa më shumë detaje që të jetë e mundur. Bëni pyetje të cilat kërkojnë sqarim por pa e hedhur fajin diku.
Vëmendja juaj e vërtetë dhe neutraliteti inkurajojnë njerëzit të japin hollësi Për çdo deklaratë që bën personi tjetër, ripërsërite, për të vërtetuar që i keni kuptuar ato siç duhet.
Jini të drejtpërdrejtë. Adresojini situatat e pakëndshme duke hyrë drejtë e në temë. Bëni një diskutim të sinqertë dhe të respektueshëm, ku të dy palët flasin sinqerisht për detajet e një çështjeje. Kur flisni me ndershmëri dhe me respekt me njerëzit, krijoni marrëdhënie reciproke të dobishme, edhe kur bisedat janë të vështira.
Megjithatë ka situata, ku duhet të merren parasysh dallimet kulturore ose të personalitetit. Nëse kultura juaj është ajo që e shmang konfliktin, ose nuk e vlerësoni të qenit i drejtpërdrejtë, ju përsëri mund të angazhoheni në biseda sfiduese. Në këto raste, zhvendosni qasjen tuaj nga një bisedë tepër e drejtpërdrejtë, në një bisedë me respekt të ndërsjelltë, duke konfirmuar para dhe pas çdo deklarimi. Për shembull, nëse personi me të cilin po flisni nuk duket se nuik po i kushton vemendje asaj që po thoni, kërkoni që të përsërisin kuptimin e tyre për atë që ju sapo keni thënë. Ndërkohv që reflektojnë për atë që kanë dëgjuar, ju mund të përshtasni mesazhin tuaj, për t’u siguruar që konflikti po ecën drejt zgjidhjes. Ky stil komunikimi është i hapur dhe më pak kërcënues.
Mos e shtyni bisedën. Sa shpesh përgjigja juaj ndaj konfliktit është diçka e tillë si: "Nuk dua të flas për këtë", ose, "Nuk është ndonjë gjë e madhe", ose, "Nuk ja vlen të debatohet?" Nëse gjithmonë i premton vetes se do ta "diskutoni herën tjetër që do të ndodhë", duket të keni parasysh se, tani është koha. Në vend që t’a lini një bisedë për një moment më të përshtatshëm, kur mund ta trajtoni më lehtë, merruni menjëherë me të. Nxirrini kartat tuaja në tryezë, në mënyrë që të zgjidhni çështjen dhe të ecni para.
Mund të duket e rrezikshme të dalësh direkt dhe të thuash diçka, por shpesh kjo është pikërisht ajo që nevojitet. Jepini vetes ose kolegut tuaj pak kohë për t’u qetësuar, nëse është e nevojshme, dhe planifikoni skicimin e përgjithshëm të asaj që doni të përcillni, dhe rezultatin që dëshironi. Por pastaj bëni bisedën dhe bëni një plan për të vazhduar. Pas gjithë “gjimnastikës” të bisedave të pafundme mendore në kokën tuaj, angazhimi i vërtetë në një bisedë dypalëshe mund të jetë frymëzues, i respektueshëm dhe produktiv.
Prisni një rezultat pozitiv. Ju do t’a keni sfidë ndjekjen e kësaj këshille, nëse vazhdoni të shkoni në një konflikt që t’i thoni vetes: "Kjo do të jetë një katastrofë". Në vend të kësaj, thuaji vetes: "Kjo do të rezultojë në një marrëdhënie të përmirësuar".
Përqëndrohuni në përfitimet afatgjata, që biseda do të krijojë për marrëdhënien. Kur vëmendja juaj të përqendrohet tek rezultatet dhe përfitimet pozitive, ajo do t’a zhvendosë procesin e të menduarit dhe dialogun e brendshëm në një vend më konstruktiv. Si rezultat, ju do të rriteni më mirë duke i’u afruar kolegut që vazhdimisht kritikon dhe ankohet, ose vartësit që vazhdon të mos punojë mirë.
Mos i injoroni situatat e vështira për të cilat jeni të vetëdijshëm sot. Kur mundësia paraqitet për të dhënë reagime negative të pakërkuara, për një koleg të vështirë ose për të dhënë një vlerësim të performancës më pak se pozitiv, thërrisni guximin për të adresuar konfliktin më përpara.