Blog

Kur të duhet të largosh nga puna njerëz të mirë

Kur të duhet të largosh nga puna njerëz të mirë

Si drejtues, kur vjen puna që duhet të pushoni dikë, për arsye si mungesa e integritetit (punonjësi gënjen apo mashtron në mënyrë të vazhdueshme), apo punonjësi nuk mund të bëjë punën, apo dështon të mbajë zotimet, apo ka sjellje jo etike dhe injoron kodin e sjelljes së kompanisë, procesi është i pashmangshëm, dhe ju veproni shpejt. Në këto raste arsyeja është e qartë, dhe ekzekutimi bëhet më i lehtë. Por ka edhe një kategori tjetër pushimesh nga puna, për të cilat ekzekutimi bëhet i vështirë, pasi ju duhet të largoni njerëz të mirë. Artikulli i Max Altschuler, më poshtë, do t’ju japë disa ide se si mund ta trajtoni me kujdes, dhe të ndihmoni të gjeni një zgjidhje sa më të përshtatshme për të dy palët. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Të të pushojnë nga puna mund të jetë shkatërruese, sidomos për një punonjës të ndërgjegjshëm. Si menaxher në botën e kompanive te reja startup, ku qarkullimi mund të jetë mjaft i lartë dhe ku gjërat ndryshojnë shpejt, më është dashur të lë të ikin shumë njerëz të mirë - dhe kur i largoj, e kuptoj se sa e dhimbshme është për ta. Por gjithashtu, për shkak se përqëndrohem me kohë të plotë në artin e shitjeve, kam mësuar të mendoj në këtë mënyrë: pushimi nga puna përfshin një element të shitjes. Ai kërkon ndjeshmëri, të bërit e pyetjeve të duhura dhe të udhëheqësh dikë tek rezultati i dëshiruar, në një mënyrë autentike dhe të ndershme. Ndërkohë që unë i “shes” njerëzve idenë se ata nuk do të jenë më në kompani, i ndihmoj që të shohin se çfarë është më e mira për ta. Kjo mund të duket si diçka manipuluese ose e pashpirt, por nuk është kështu. Kur bëhet në mënyrën e duhur, kjo në fakt e bën tranzicionin më të lehtë.

Para disa kohësh, unë pushova një menaxhere të publikimeve në internet. Ajo kishte punuar më parë në shitje, por gjithashtu shkruante mirë dhe donte të provonte të menaxhonte përmbajtjen e publikimeve në internet, për një nga bizneset e mia. Unë mendova se të kesh një shkruese të mirë, që njeh edhe shitjet, mund të jetë një gjë e mirë. Por kjo nuk funksionoi. Më duhej ta lejoja të largohej dhe të punësoja një zëvendësues i cili dinte më shumë për zhvillimin e publikimeve.

Thjesht ta pushoja, ishte diçka që nuk duhet të ndodhte kurrë. Ideja nuk kishte fare kuptim. Ajo kishte marrëdhënie të mira me rreth 30 njerëz jashtë kompanisë, të cilët po punonin për publikimet tona, dhe ata ishin të rëndësishëm për biznesin tonë. Nëse ajo do të ishte larguar papritmas, do të ishin dëmtuar këto marrëdhënie. Unë lejova që ajo të qëndronte për një periudhë tranzicioni. Gjithashtu, kjo do të ishte më mirë edhe për të, pasi do t'i jepte kohë për të parë për punën e duhur.

Kështu që e zhvilluam bisedën e vështirë. I shpjegova se nuk po funksiononte, pasi ajo nuk ishte "personi i përshtatshëm për pozicionin" dhe se më duhej ta lejoja të largohej. Dhe e pyeta: "Cilat janë qëllimet e tua? Ku dëshiron të përparosh në karrierën tënde?" "Unë ndoshta duhet të kthehem në shitje" - tha ajo. "Aty është vërtet ajo, ku dua të jem."

Në atë moment, nuk kisha asnjë pozicion të hapur që do t’i përshtatej. Por kisha hyrë në këtë takim duke qenë i informuar për disa mundësi të tjera, që mund të funksiononin më mirë për të. (Në kompanitë e reja startup, ka vazhdimisht njohje të reja, dhe drejtuesit e bizneseve gjithmonë i kërkojnë njëri-tjetrit nëse ata njohin ndonjë kandidat për pozicione të caktuara). Kështu i thashë për një punë që mendoja se ishte një drejtim i mirë. Kontaktova me drejtuesit në atë kompani, bëra prezantimin dhe u thashë sinqerisht se për pozicionin që ata po kërkonin të plotësonin, ajo ishte një kandidate e shkëlqyer.

Ajo ka dy vjet atje dhe e do shumë atë punë.

Kjo gjë ndodh shpesh në Silicon Valley, ndërsa kompanitë vazhdojnë të zhvillohen, rrjetet me ndikim të gjerë hapin mundësi të papritura. Sigurisht, që ka edhe disa lloj pushimesh nga puna, për të cilat nuk do të mund ta ndihmoni personin - për shembull, nëse ata kanë bërë diçka të papëlqyer apo nuk mund t’ju besohet. Por këto biseda janë më pak të vështira.

Kur ndahem me njerëzit e talentuar që janë përpjekur ta bënin punën, por nuk mundeshin, si rasti i menaxheres më sipër, në bisedën që zhvilloj, unë përdor tre elementë nga shitja:

  • Dhembshurinë. Unë kujdesem për punonjësit e mi, dhe dua që ata të sistemohen diku në një vend të shkëlqyer, nëse qëndrimi tek kompani ime nuk është i mundur.
  • Kuriozitetin. Unë dua të di se cilat janë objektivat, për veten e tyre.
  • Një plan. Unë bëj hulumtimet e mia, përpara çdo largimi, në mënyrë që të hyj në takim me ide për të ndihmuar punonjësin të ecë përpara.

Nëse ka aftësi, mbi të cilat punonjësit i duhen të punojë për t’i përmbushur disa qëllime, ne i diskutojmë ato. Unë rekomandoj libra dhe trajnime, si dhe punë në biznese të tjera, që mund t’ju ofrojnë atyre mundësinë për të mësuar atë që kanë nevojë.

Unë nuk pretendoj se kjo qasje ndaj pushimit nga puna i largon të gjitha “dhimbjet dhe lëndimet”, ose që gjithmonë mund t’i gjej punonjësit një mundësi të re. Megjithatë, duke bërë përpjekjet e mia më të mira mund t’ja pakësoj goditjen. Dhe përfundimisht, kur njerëzit e talentuar shkojnë diku tjetër, unë dua që ata të jenë ambasadorë të mirë. Unë dua që ata të jenë të lumtur që kanë punuar për mua. Unë dua që ata të vazhdojnë të jenë mbështetës të kompanisë time. Biznesi im është në CV-në e tyre, është në profilin e tyre në LinkedIn. Aty ata nuk thonë se janë pushuar nga puna, përveç rastit kur një punëdhënës e kërkon këtë informacion. Të tjerët nuk do ta dijnë.

Ish menaxherja e publikimeve në internet, është vetëm një nga disa punonjës me të cilët kam vazhdimisht kontakt. Çdo herë që shohim që ndodh diçka të mirë në kompanitë e njëri-tjetrit, ne dërgojmë mesazhe mbështetëse për njëri-tjetrin. Ne e dimë se sa i keq ishte ai moment për të dy palët, por ai ndryshim na ndihmoi të shkonim në një vend më të mirë.