5 Personalitete të dëmshme që njerëzit e suksesshëm i shmangin
Besoj e keni dëgjuar shprehjen "Ai/ajo e ka gojën helm". A keni menduar ndonjëherë se kush është kuptimi i kësaj shprehje. A e dini se kush janë njerëzit "e dëmshëm" rreth jush? Besoj se po. Edhe në qoftë se nuk keni të tillë përreth (gjë shumë e dyshimtë kjo), në një moment në jetën tuaj ju keni qenë të detyruar të takoni ndonjë person që i përshtatet përshkrimeve, në artikullin e Tyler Leslie, më poshtë. E pra, ne të gjithë e ndjejmë sadopak negativitet nga persona të tillë, dhe sa më shpejt t'i mënjanojmë, aq më të qetë e të fokusuar do të jemi në objektivat dhe qëllimet tona. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Një nga citimet e mia të preferuara është nga Jim Rohn: "Ju jeni mesatarja e pesë njerëzve me të cilët kaloni pjesën më të madhe të kohës". Këto fjalë mi hapën sytë për faktin se njerëzit me të cilët ne rrimë, njerëzit që i quajmë miq, të gjithë kanë një ndikim në vendimet që marrim në jetë, dhe gjithashtu edhe tek suksesi që kemi (ose që nuk kemi).
Për fat të keq, jo të gjithë na shtyjnë që të bëhemi më të mirë. Disa njerëz na ndalojnë të ndjekim ëndrrat tona, ose na e mbushin mendjen të mos ndërmarrim ndonjë rrezik, dhe ne, jo gjithmonë e kuptojmë se ata ndikojnë. Pra, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm mbi ndikimin e tyre, dhe me vetëdije të zgjedhim se me kë të kalojmë kohën, për të kufizuar kalimin e kohës me njerëz që na dëmtojnë, të ngjashëm me këto pesë personalitete, e që duhet t’i shmangni kur përpiqeni të arrini objektivat tuaj:
1. Ankuesit
Ankuesit janë njerëz që gjithmonë ankohen se sa e keqe është jeta ose puna apo çfarëdo tjetër qoftë. Ata vazhdimisht ankohen për gjithçka, por nuk bëjnë asgjë për këtë.
Të ndenjurit afër një ankuesi mund t'ju dëmtojë edhe juve, e ndoshta edhe ju do të filloni të bashkoheni në ankesat, dhe para se ta kuptoni, do të përshtateni me të njëjtën mënyrë negative të menduari. Ky pesimizëm është ngjitës. Kjo është arsyeja pse ju duhet ta mendoni dy herë përpara se të uleni me një ankues.
2. Të “paracaktuarit”
Këta janë njerëz që ndjehen sikur kanë të drejtën për gjëra të caktuara në jetë, sikur ata nuk duhet të punojnë për asgjë, dhe që njerëzit për rreth ju kanë borxh atyre diçka. Ata gjithashtu janë ata që do të përpiqen t'ju pengojnë për të mos ndjekur ëndrrat tuaja.
Ky mendim mund të jetë “vdekjeprurës” ndaj një personi që përpiqet të jetë i suksesshëm. Ai bllokon vendosmërinë tuaj dhe mund të vrasë motivimin tuaj sa hap e mbyll sytë. Duhet të dini këtë: Ju ose dikush tjetër nuk jeni të paracaktuar për asgjë. Nëse doni një jetë të mirë, duhet ta krijoni atë.
3. Konformistët
Konformistët janë më të njohurit nga të gjithë. Ata janë ata që përshtaten në përputhje me kushtet e vendosura mbi to. Ata nuk kanë ëndrra të cilat duhet t’i ndjekin dhe nuk janë duke bërë diçka që shkon kundër status quo-së së tyre. Ata thjesht jetojnë si robotë, që zgjohen, punojnë 40 orë në javë në një punë që e urrejnë, shkojnë në shtëpi, flenë dhe vetëm përsërisin këtë gjë.
Ka shumë njerëz që janë të kënaqur me këtë, dhe nuk ka asgjë të keqe këtu. Por një person që ndjek ëndrrat e tij/saj, thjesht nuk mund të konformohet/përputhet me jetën mesatare. Pra, ndërsa punoni me orar të plotë, bëni përpjekje të tjera shtesë, për të filluar ndërtimin e diçkaje, që është në linjë me ëndrrat tuaja. Dhe përfundimisht, do të jeni në gjendje të lini punën tuaj të përditshme, për të ndjekur pasionin tuaj me orar të plotë.
4. “Kafshët” e festave
Janë ata që planifikojnë orë qejfi pesë ditë në javë, ata që jetojnë për të dalë xhiro çdo natë. Sigurisht, “kafsha” apo “bisha” e festave mund të jetë tip i këndshëm, por kini kujdes - ata mund t'ju shkëpusin nga ëndrrat tuaja.
Mos ma merrni për keq, por duhet të merrni kohë për t'u çlodhur dhe për ta “pastruar” kokën tuaj në disa raste, por pirja dhe dehja nuk është zgjidhje dhe nuk do t’ju sjell jetën që po kërkoni. T’i bëni festat prioritet, do të thotë se jeni duke e shpërqëndruar vëmendjen tuaj dhe duke e larguar fokusin nga qëllimet tuaja – të cilat janë gjëra më të mëdha se birra e lirë dhe ofertat me gjysmë çmimi. Në mënyrë që të keni sukses si person, duhet të rriteni më parë.
5. Dyshuesit
Dyshuesit mund të jenë fatalë - ata do t’i dëgjojnë ëndrrat tuaja të mëdha, por ata do të jenë të parët që do t'ju thonë se nuk mendojnë që është një ide e mirë, ose që nuk duhet të mbani shumë shpresa. Ata, janë ata që besojnë se ju duhet të "jeni dikush" në mënyrë që të bëni diçka të jashtzakonshme.
Për dikë, i cili është duke ndjekur ëndrrat e tij, kjo mund të jetë shumë dekurajuese, kështu që identifikimi i dyshuesve në grupin tuaj do të jetë i dobishëm për ju dhe për suksesin tuaj në të ardhmen. Gjithashtu, është jashtëzakonisht e rëndësishme të mbani njerëz përkrahës rreth jush, njerëz që ju inkurajojnë dhe ju japin zemër kur humbni motivimin.
Pra, rrethojeni veten me njerëz që do t'ju mbështesin dhe do t’ju inkurajojnë të ndiqni ëndrrat tuaja, në të mirë e në të keq. Suksesi juaj varet nga kjo.