Pse dështimi është çelësi i suksesit në kulturën e vendit të punës
Gjatë javës së kaluar, por edhe këtë javë, tema që kemi trajtuar në komunikimin e përditshëm, në facebook dhe twitter, nëpërmjet thënieve nga njerëzit e shquar, është “Dështimi”. Kur kemi folur për të, kemi pasur parasysh “dështimin” në të gjitha kuptimet e tij në jetë, e sidomos në biznes. Është e sigurt se dështimin askush nuk e dëshiron, pasi ai lëndon, por, aq sa ai shkakton dhimbje, po aq është edhe një pjesë e rëndësishme e jetës. Në fakt, dështimi është i nevojshëm. Pa dështim, nuk do të ketë sukses. "Dështimi nuk është e kundërta e suksesit, por është pjesë e suksesit!" - na thotë dikush. I vetmi ndryshim midis atyre që do të kenë sukses, dhe atyre që nuk arrijnë, është të kuptuarit e këtij koncepti. E njëjta gjë vlen edhe për kompanitë. Dhe kompanitë, që nuk kanë frikë nga dështimi janë edhe më të suksesshme. Kjo është dhe ideja që na përcjell Simon Casuto - autori i artikullit më poshtë. Ne presim edhe mendimet apo idetë tuaja rreth temës. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Çfarë kanë të përbashkët patatinat, ngjitëset e vogla të shënimeve, stimuluesit kardiakë dhe penicilina?
Ato u krijuan të gjitha nga gabimet. Në fakt, në çdo rast, shpikësi ishte duke u përpjekur për të krijuar diçka krejtësisht ndryshe dhe mendonte se ai kishte dështuar me produktin përfundimtar. Sigurisht, ndërsa dekadat kanë kaluar dhe janë realizuar fitime nga këto shpikje, duke e parë në retrospektivë, kjo na tregon se këto të ashtuquajtura dështime, ishin në fakt fitore. Është si ajo fjala e urtë e vjetër rreth Thomas Edisonit dhe llambës së dritës: Kur u pyet mbi dështimet e tij të shumta, ai u përgjigj se ai nuk kishte dështuar 10.000 herë, por pati sukses në gjetjen e 10.000 mënyrave që nuk funksiononin.
Dështimi, gabimet, aksidentet - ato të gjitha luajnë një rol jetik për t'i ndihmuar punonjësit të mësojnë dhe të rriten, gjithashtu. Megjithatë, për fat të keq, organizatat i penalizojnë gabimet dhe krijojnë punonjës të cilët e urrejnë rrezikun dhe janë shumë të trembur apo nervozë, të provojnë diçka të re. Kompanitë më të mira janë ato që nxisin dështim, përkrahin të menduarit jashtë kufijve, dhe i lejojnë punonjësit të bëjnë gabime dhe të shohin se çfarë ndodh.
Truri juaj në fakt zhvillohet nga dështimi
Diçka interesante ndodh në tru kur ju bëni një gabim. Sipas një raporti botuar në Scientific American, truri juaj fillon përpilimin e informacionit në lidhje me përvojën, dhe në fakt, bëhet më i madh gjatë skenarit të të nxënit. Dhe, ndërsa truri kthehet në madhësinë e tij origjinale pas përvojave të të nxënit, ai ruan rrugë të reja nervore, duke marrë informacionin e ri, përpilimin e gjërave kyçe nga provat dhe gabimet. Bërja e gabimeve maturon trurin, duke rezultuar në sinapse më eficiente dhe neurone të ndryshuara rrënjësisht. Me pak fjalë, dështimi në fakt mund t'ju bëjë më të zgjuar.
Lidershipi duhet t'i inkurajojë Gabimet
Po, kjo mund të tingëllojë si një gjë e çmendur në fillim, por ekipi ynë i lidershipit e përqafon këtë mentalitet. Ajo që ne kemi zbuluar është se kjo i jep punonjësve besim, për të provuar gjëra të reja, dhe të mos ndjehen keq për to nëse ato nuk funksionojnë, që herën e parë. Marketuesit më të mirë provojnë vazhdimisht ide të reja, për të kuptuar se cilat nuk funksionojnë, dhe marrin me vete një ose dy ide që funksionojnë dhe sjellin rezultate. Ajo që ne kemi zbuluar, duke aplikuar këtë në biznesin tonë, është se ky mentalitet i njëjtë, kur zbatohet për menaxhimin e biznesit, sjell shumë më shumë risi dhe kënaqësi më të thellë të punonjësve, përmes inkurajimit të krijimtarisë.
Por si kalon një organizatë nga një vend ku gabimet penalizohen në një mjedis në të cilin dështimi përqafohet dhe inkurajohet? Disa ndryshime të rëndësishme, në ekosistemin e kulturës suaj, mund të krijojnë një hapësirë të sigurt, ku punonjësit ndjehen të fuqizuar për të provuar diçka të re.
- Drejtoni me shembull.
Në qoftë se punonjësit mësojnë se dështimi inkurajohet, kjo duhet të fillojë me menaxhimin. Liderët e organizatës jo vetëm që duhet të demonstrojnë rëndësinë e të provuarit për të ofruar zgjidhje të reja, por gjithashtu edhe të jenë dakort, dhe madje edhe mikpritës, ndaj të tjerëve duke bërë të njëjtën gjë. Kjo mund të kërkojë një ndryshim të mentalitetit nga lart-poshtë, por mbani parasysh se punonjësit do t’a marrin sinjalin nga udhëheqësit e tyre.
- Inkurajoni transparencën.
Punonjësit duhet të ndihen rehat në komunikimin e ideve në të gjitha departamentet dhe kanalet e ndryshme. Transparenca në vendin e punës ndihmon në zvogëlimin e një pjese të tendencës për të fshehur gabimet. Në fund të fundit, në qoftë se të gjithë janë rehat për ndarjen e ideve dhe dështimeve, kjo përcakton një precedent që nuk është ndonjë gjë e madhe, dhe nga i cili të gjithë punonjësit mund të mësojnë, nga sukseset dhe dështimet e njëri-tjetrit. Në kompaninë tonë, ne përdorim të qenit të lirshëm si një mënyrë që kushdo në ekip të ndajë ide të reja, dhe të shohim se çfarë është duke bërë secili departament, dhe për të kuptuar se ku është vizioni i kompanisë, në çdo kohë.
- Inkurajoni "dështimin e shpejtë"
Punonjësit duhet ta dinë se nëse ata do të provojnë diçka të re (dhe potencialisht do të dështojnë) ajo duhet të bëhet shpejt. Kjo nuk do të thotë ide me qitje të shpejtë, por të provuarit e diçkaje të re në formën e një modeli, përpara se të ecni me zhvillimin madhor. Në vend të krijimit të një manuali 50-faqesh, për shembull, një punonjës mund të krijojë një skicë dhe të kërkojë mendime për të parë nëse idea është në rrugën e duhur. Në këtë mënyrë, në qoftë se ajo do të përfundojë si një dështim, do të jenë përdorur më pak burime, dhe punonjësi mund të lëvizë shpejt mbi një zgjidhje tjetër.
- Krijoni simulime.
Në qoftë se punonjësit duken në mëdyshje për të marrë vendime dhe për të testuar ide të reja në një mjedis të botës reale, përdorni simulime për t'i ndihmuar ata të praktikojnë aftësitë e vendim-marrjes në një hapësirë të sigurt. Disa simulime janë të dukshme, të tilla si të mësuarit për të përdorur një pjesë të re të pajisjeve. Por simulimet dhe skenarët, gjithashtu mund të përdoren për të provuar koncepte të tilla, si taktika të reja në shitje ose ushtrime për ndërtimin e ekipit. Kur punonjësit e dinë që rreziqet janë të ulëta, ata do të jenë më të gatshëm të flasin dhe të bëjnë sugjerime pa pasoja.
Qofshi duke krijuar “patatina” të tjera ose qofshi duke u përpjekur për të rritur kënaqësinë e konsumatorit, fuqia juaj punëtore është një pasuri njohurish, përvoje, kreativiteti dhe inovacioni. Për fat të keq, në qoftë se ata ndjehen të mbytur ose të frikësuar për të bërë gabime, organizata juaj nuk do të ketë mundësi për të korrur këto përfitime. Duke inkurajuar dështimin, dhe të gjitha përfitimet që vijnë nga bërja e gabimeve, kompania juaj zyrtarisht mund të bëhet një vend ku mësohet shumë.