Si të mbyllni vitin dhe të përqëndroni vëmendjen tuaj tek 2017-a!
E Shtuna e kësaj jave, përmbyll Dhjetorin, e bashkë me të edhe 2016-ën. Kanë kaluar 360 ditë dhe me ndihmën edhe të pushimeve, çdonjëri ka një moment reflektimi mbi çfarë ka realizuar, si është ndjerë, çfarë i ka pëlqyer ose jo, ose se çfarë ka dhe nuk ka mësuar. Natyrisht edhe ju, keni pasur objektivat tuaj dhe një bilanc i realizimit të tyre do t'ju lirojë nga viti që po mbyllet e do t'ju përgatisë për vitin e ri. Mbi këtë flet edhe Brian Tracy, në artikullin më poshtë, duke na dhënë edhe 3 hapat e një skeme të thjeshtë, për t'a bërë këtë proces edhe më të thellë. Mundohuni të shikoni brenda vetes tuaj dhe përvojës tuaj, me sa më shumë objektivitet. Kështu do të bëni hapin e parë të madh, drejt sukseseve të vitit 2017.
Ne ProspecTime, përfitojmë nga rasti t'ju falenderojmë për ndihmën dhe besimin që keni pasur tek ne, dhe t'ju urojmë një Vit të Ri plot me mundësi dhe SUKSESE! GËZUAR 2017!
* * * * *
Ndërsa fillimi i 2017-s po afrohet, na vijnë ndërmend shumë ngacmime që sjell viti i ri - festa e ndërrimit të viteve, një fillim i ri, një përtëritje e përkushtimit për objektivat tona.
Shumë herë ne harrojmë që të ulemi dhe të reflektojmë mbi vitin e kaluar dhe të vendosim se ku duam të arrijmë gjatë vitit të ri.
Sot, duam të ndajmë me ju disa strategji që mund t'i përdorni në mbyllje të vitit 2016, për t'u siguruar që të merrni përgjegjësinë e plotë për vitin që po mbyllet dhe të shkoni përpara me energji dhe angazhim të ri, për veten dhe objektivat tuaja.
1. Shkruani objektivat tuaja të papërfunduara
Së pari, gjeni kohë të uleni dhe të shkruani të gjitha gjërat që kishit planifikuar për t'i përmbushur këtë vit që po mbyllet, por që e keni humbur shpresën se mund t'i realizoni. Nuk ka asgjë për t'u turpëruar, pasi të gjithë kemi gjëra që i kemi vendosur në planet tona, si psh. humbja e peshës, investimi i parave, gjetja e një pune të re ose kalimi në një pozicion më të lartë, ... etj. që nuk patëm mundësinë t'i realizonim plotësisht. E rëndësishme - jini të ndershëm me veten, lidhur me këtë.
Mos harroni, për të ndryshuar ndonjë gjë në jetën tuaj, ju duhet së pari, të merrni 100% përgjegjësinë për çdo gjë të paplotësuar.
Më pas, listoni arsyet pse nuk i keni arritur plotësisht rezultatet e dëshiruara, për secilin nga gjërat në listë. Kjo do t'ju ndihmojë në marrjen e përgjegjësisë për rezultatin e (pa)arritur.
2. Reflektoni mbi objektivat që keni realizuar
Pasi të keni përfunduar listën e objektivave të pa arritura si dhe arsyet përkatëse, bëni një listë tjetër me të gjitha objektivat e që keni përmbushur gjatë vitit, në të gjitha fushat e jetës tuaj. Shkruani edhe fitoret e vogla dhe progresin që keni bërë drejt objektivave të mëdha, edhe në qoftë se ato ende, nuk janë të realizuara plotësisht.
Ndoshta keni pastruar dhe sistemuar rrëmujën në zyrën tuaj, i keni mësuar fëmijës tuaj të ngasi biçikletën, ose keni lexuar apo keni marrë pjesë në trajnime ku keni zhvilluar një aftësi të re, që po sjell më afër qëllimeve tuaja më të mëdha. 12 muaj është një sasi e konsiderueshme kohe dhe çdo ditë në vetvete ka një fitore të vogël. Ka shumë mundësi që kjo listë të jetë shumë më e gjatë se ajo që keni bërë më parë.
Kur t'i keni të dy listat përpara jush, diçka do të ndodhë:
Së pari, ju do të shihni mënyrat dhe hapësirat për t'u përmirësuar gjatë vitit të ardhshëm. Ju madje mund të ndjeni t'ju krijohet një energji dhe dëshirë e re, për të krijuar plane dhe gjetur rrugë, se si t'i trajtoni më mirë këto objektiva të papërfunduara.
Ndërkohë që reflektoni mbi listën e objektivave të papërfunduar, është shumë e rëndësishme që të mos i shikoni ato si dështime, por si mundësi që do t'i shfrytëzoni gjatë vitit të ardhshëm, për të vazhduar përmirësimin, për të vazhduar të punoni fort dhe të bëni gjithë përpjekjet maksimale drejt arritjes së objektivave tuaj.
Kur shikoni në listën e gjërave që keni realizuar, do të ndjeheni krenarë për të gjitha arritjet dhe sukseset tuaja. Ndaloni një një moment dhe reflekoni mbi të gjitha energjitë, përpjekjet, përkushtimin dhe dedikimin tuaj, për t'i arritur ato.
Ky proces i ballafaqimit me realitetin të këtij viti që po mbyllet, i cili bashkon gjithë emocionet e objektivave që keni arritur, do t'ju japë një ndjenjë të vërtetë të mbylljes së vitit. Ky proces vetë-reflektimi është vendimtar për vazhdimin e sukseseve tuaja gjatë vitit që po vjen.
3) Kthejeni vëmendjen tuaj drejt 2017
Pranoni pa hezitim fushat ku jeni "rrëzuar" për një kohë të shkurtër dhe përkushtohuni për të hedhur pas krahëve çdo ndjenjë keqardhje. Kthejeni vëmendjen tuaj tek modelet dhe përmbushja që keni realizuar në fushat e tjera të jetës, vendosni objektivat për vitin e ri dhe vazhdoni në këtë rrugë.