Blog

Pse disa njerëz pësojnë lodhje dhe konsumim të madh në punë dhe disa të tjerë jo

Pse disa njerëz pësojnë lodhje dhe konsumim të madh në punë dhe disa të tjerë jo

Edhe pse mund të keni kushte të mira në punë dhe rrethoheni nga njerëz të mrekullueshëm, është e vështirë që të mos gjeni dikë në jetën tuaj - duke përfshirë edhe ju - që nuk do t'ju thotë se është i stresuar për diçka. Dhe ndërsa stresi ndonjëherë mund të jetë i mirë - sepse ndihmon të mposhtësh frikën apo motivon për të bërë diçka - kur gjendja e tensionit dhe ankthit vazhdon, kjo patjetër që ka një efekt mbi gjendjen fizike dhe emocionale të personit që po e përjeton. Studimet tregojnë se 90 për qind e sëmundjeve janë të lidhura me stresin. Por përderisa ai mund të menaxhohet, ne ju propozojmë të lexoni artikullin e Kandi Wiens dhe Annie McKee, ku mund të gjeni disa këshilla të vlefshme. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Stresi dhe rraskapitja nuk janë e njëjta gjë. Dhe, ndërsa e dini se shpesh stresi të çon në rraskapitje, ekziston mundësia që të menaxhoni efektin e orëve të gjata, të presionit të lartë dhe krizave në punë, në një mënyrë që të mbroheni nga rraskapitja emocionale, cinizmi dhe mungesa e besimit në aftësitë e dikujt, gjë e cila e karakterizon rraskapitjen. Çelësi është ndërhyrja në inteligjencën tuaj emocionale.

Kandi Wiens ka zbuluar në një studim të kohëve të fundit ("Të drejtosh përmes rraskapitjes"), ku u vlerësuan 35 drejtues mjekësorë, në 35 spitale të mëdha në Amerikë, për nivelin e tyre të stresit. Ky studim u përpoq të përcaktonte se çfarë ishte, dhe nëse kishte ndonjë gjë, që ata mund të bënin për t'u përballur me rraskapitjen.

Konstatimet ishin befasuese: pavarësisht nga fakti se rreth 69% e drejtuesve e përshkruan nivelin e tyre aktual të stresit si, të rëndë, shumë të rëndë ose më të keq të mundshëm, në intervistat me këta drejtues, u zbulua një gjë e përbashkët me fenomenin, që e mbante stresin e tyre nën kontroll: Inteligjenca Emocionale.

Annie McKee ka shkruar më herët se, kërkimet sugjerojnë që Inteligjenca Emocionale (IE) mbështet aftësitë për t’u përballur me stresin kronik dhe i ndihmon njerëzit t’a trajtojnë atë, për të parandaluar rraskapitjen.

Vetëdija Emocionale, një nga komponentët e Inteligjencës Emocionale, për shembull, na lejon të kuptojmë burimet e frustrimit apo shqetësimit tonë dhe përmirëson aftësinë për të marrë në konsideratë reagime të ndryshme. Vetë-menaxhimi, një tjetër komponent i Inteligjencës Emocionale, na lejon që të ruajmë qetësinë, të kontrollojmë impulset dhe të veprojmë në mënyrë të përshtatshme, kur përballemi me stresin. Aftësitë e menaxhimit të konfliktit na lejojnë të kanalizojmë ankthin dhe emocionet tona dhe t’i drejtojmë në zgjidhjen e problemeve, në vend që t’a lejojmë situatën të na shqetësojë, ose të na mbajë zgjuar gjithë natën. Ndjeshmëria gjithashtu ndihmon për të luftuar stresin. Kur ne përpiqemi në mënyrë aktive të kuptojmë të tjerët, ne shpesh fillojmë të kujdesemi për ta. Dhembshuria, si emocionet e tjera pozitive, mund t'iu kundërvihet efekteve fiziologjike të stresit. Harmonizimi me perspektivat e njerëzve të tjerë, qëndrimet dhe besimet, kontribuojnë në aftësinë tonë për të fituar besimin dhe për të ndikuar të tjerët. Kjo, në një nivel shumë praktik, shpesh do të thotë, që ne marrim ndihmën që na nevojitet para se stresi të kalojë në rraskapitje.

Çfarë mund të bëni për të menaxhuar stresin dhe për të shmangur rraskapitjen?

Njerëzit bëjnë shumë gjëra shkatërruese për t'u përballur me stresin. Ata hanë me tepër, abuzojnë me drogën dhe alkoolin dhe impenjohen më shumë, në vend që të ngadalësojnë. Studimet tregojnë se njerëzit mund të përdorin mjetet e Inteligjencës së tyre Emocionale për tu përballur me stresin dhe për të shmangur rraskapitjen. Më poshtë janë disa këshilla për t'u ndjekur:

  1. Mos u bëni burimi i stresit tuaj. Shumë prej nesh e krijojmë vetë stresit tonë, me reagimin e plotë trupor, thjesht duke menduar në lidhje me të, apo duke parashikuar ngjarje apo takime të ardhshme, që mund të jenë stresuese. Njerëzit të cilët kanë kërkesa të larta apo tendencë për perfeksion, mund të jenë më të prirur për krijimin e stresit të tyre. Nga studimi ynë, u duk qartë se udhëheqësit që janë përshtatur me presionet që ata i vënë vetes, janë më të aftë për të kontrolluar nivelin e tyre të stresit. Ashtu siç e përshkruan një CEO -"Unë e kam kuptuar se një pjesë e mirë e stresit tim është shkaktuar nga vetë unë, ndër vite, nga të qenurit i ashpër me veten. Tani që i di problemet që më shkakton, unë mund ta nxjerr veten nga presioni i vazhdueshëm". 
  2. Njihni kufizimet tuaja. Duke u bërë më të vetëdijshëm për anët e forta dhe dobësitë tuaja, kjo do t’ju ndihmojë, kur keni nevojë për ndihmë. Në studimin tonë me drejtuesit, ne konstatuam se kalimi nga roli i mjekut në rolin e liderit, ishte një nga burimet më të mëdha të stresit. Ata që e pranonin, kur kërkesa i tejkalonte aftësitë e tyre, nuk ecën përpara vetëm, por e rrethuan veten me këshilltarë të besuar dhe kërkuan ndihmë.
  3. Merrni frymë thellë, kur e ndjeni se tensionin dhe ankthi po rriten me shpejtësi. Praktikat e përqëndrimit na ndihmojnë për t'u përballur me stresuesit e menjëhershëm dhe me vështirësitë afatgjata. Disa nga pjesëmarrësit tanë në studim, e përmendën përdorimin e teknikave të përqëndrimit, për të ngadalësuar rrahjet e zemrës dhe për të ulur nivelin e tensionit, kur përballen me një faktor stresi. Ashtu siç e përshkruan një lider, -“Praktikimi i përqëndrimit të vëmendjes, më lejon të jem më i hapur për zgjidhje të tjera dhe nuk e humb kohën në modalitetin mbrojtës". Rritja e ndërgjegjësimit për frymëmarrjen tuaj mund të jetë e vështirë në fillim, por mos harroni se vëmendja është akti i fundit i vetë-kontrollit.
  4. Rivlerësojeni perspektivën e situatës tuaj. A e shihni një situatë të veçantë, si një kërcënim për diçka që ju e vlerësoni? Apo e shihni atë si një problem për t'u zgjidhur? Ndryshimi i perspektivës tuaj, nëse jeni duke përjetuar ankth apo një  lloj stresi të mirë, mund të ketë një efekt që të hap sytë dhe ndikon në aftësinë tuaj për të ulur nivelin e stresit. Një drejtuese marketingu përshkroi ndryshim në mentalitetin e saj, -"Ajo që dikur ndjehej si stres tani është stresi i mirë; Unë jam e motivuar për të menduar për të si një problem për t'u zgjidhur”.
  5. Frenoni konfliktet duke vendosur veten në poziconin e tjetrit. Stresi nga konfliktet shpesh çon në rraskapitje, kështu që është më mirë që të frenoni konfliktet, kur mundeni. Jini kureshtar, bëni pyetje, dëgjoni me vëmendje. Mbajeni vëmendjen tuaj tek personi tjetër dhe përqëndrohuni në atë që ai është duke u përpjekur t'ju tregojë. Duke u përpjekur për të kuptuar këndvështrimin e tij, apo të saj, ju do të jeni në një pozitë më të mirë për të fituar besimin dhe për të ndikuar mbi të. Një person që u intervistua, e përdorte këtë qasje në vazhdimësi. Ai përshkroi se si aftësia e tij e mprehtë e të dëgjuarit, me ndjeshmëri, i ka mundësuar atij të nxisë bashkëpunim më të madh dhe të krijojë afrimitet dhe pranim me kolegët e tij. Në një ngjarje, kohët e fundit, ai tha se një mjek rendi me vrap në zyrën e tij, dhe i tha: -"Ju duhet ta bëni këtë, ose foshnja do të vdesë". Në vend që të reagonte në mbrojtje, dhe potencialisht të shkaktonte më shumë dëme, ai e përmbajti veten dhe e përqëndroi vëmendjen e tij në përpjekjen për të kuptuar bashkëbiseduesin. Përgjigja e tij e frenoi konfliktin dhe rezultoi në një bisedë të shëndetshme dhe me pak stresuese.

Duke përdorur dhe zhvilluar Inteligjencën tuaj Emocionale, ju mund të frenoni rraskapitjen, për ju dhe për të tjerët. Mbani parasysh se përmirësimi i Inteligjencës Emocionale kërkon kohë dhe përpjekje. Jini të duruar me veten, falës dhe të mirë. Gjëja e fundit, që do dëshironit të bënit, është që t’a bëni përmirësimin e Inteligjencës tuaj Emocionale një burim stresi.