Rreziqet e mëdha të mikromenaxhimit
A mikromanaxhoni ju stafin tuaj?
A po mikromanaxhoheni ju nga shefat tuaj?
Çfarë përfitoni nga mikromanaxhimi?
Çfarë humbje shkakton mikromanaxhimi?
Këto janë disa nga moria e pyetjeve që lindin vetiu, kur diskutohet mikromenaxhimi.
Ndërsa ai sjell disa përfitime, si trajnimi gjatë punës i stafit, plotësimin korrekt i detyrave apo përputhja e veprimtarisë së ekipit me politikat e kompanisë, në përgjithësi, vlerësimi për të është negativ. Kjo ndodh, pasi nuk kuptohet mirë “kalimi i masës”, pikërisht sepse vija ndarëse mes një lideri efektiv dhe një mikromanaxheri është shumë e hollë. Teprimi është gjithnjë i dëmshëm, jo vetën kur vjen fjala për mikromenaxhimin. Pasojat çojnë në humbje për të gjitha palët, si për organizatën edhe për punonjësit. Në artikullin më poshtë, autori Jack Wallen trajton disa prej rreziqeve që vijnë nga zbatimi i tepruar i mikromenaxhimit. Urojmë që ju, të mos bëni pjesë në grupin e mikromenaxhuesve të tepruar. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Mikromenaxhimi: të gjithë e njohin këtë term. Disa kanë frikë dhe madje edhe e shmangin ndonjë kompani që është e lidhur me këtë fjalë. Por çfarë është ai, në të vërtetë? Nga përkufizimi, mikromenaxhimi është stili i menaxhimit ku një menaxher i vëzhgon nga afër ose kontrollon punën e vartësve ose të punonjësve. Mikromenaxhimi në përgjithësi ka një ngjyrim negativ. Në të vërtetë, shumica prej nesh e shohin atë si një përpjekje për “të futur hundët në punën e të tjerëve”, e atyre që në fakt janë duke punuar. Në fakt, kjo është një mënyrë që drejtuesit të sigurohen që detyrat janë duke u kryer në mënyrë shumë të përpiktë - me fjalë të tjera, në mënyrën e drejtuesve dhe menaxherëve. Problemi është se kjo, nuk është gjithmonë ose mënyra më e drejtë e më produktive e të bërit të gjërave. Dhe ky nuk është i vetmi problem me mikromenaxhimin. Le t’i hedhim një vështrim disa prej rreziqeve të tjera, që vijnë së bashku me këtë stil menaxhimi, dhe, pse duhet ta shmangni atë.
Rreziku Nr 1: Humbja e kontrollit
Kur ju mikromenaxhoni stafin tuaj, mjetet e menaxhimit në dispozicionin tuaj zhduken njëra pas tjetrës, derisa i vetmi mjet që ju ngelet në dorë, për arritjen e rezultateve, është kontrolli. Dhe ështv për të qeshur, por ajo që ndodh në lidhje me kontrollin, është se kur ai ngelet mjeti juaj i vetëm i menaxhimit, zakonisht përfundoni duke e humbur edhe atë. Konkluzioni: Është e rëndësishme të kuptohet se ka shumë stile të vlefshme menaxhimi dhe çdo anëtar i stafit reagon ndryshe për secilën prej tyre. Kur ju kufizoni në mënyrë drastike stilin tuaj, gjithashtu ju kufizoni aftësinë tuaj për të komunikuar, dhe në fund, aftësinë tuaj për të menaxhuar.
Rreziku Nr 2: Humbja e besimit
Mikromenaxhimi përfundimisht do të çojë në një humbje masive të besimit. Stafi juaj nuk do t'ju shoh më si një menaxher, por si një tiran, dëshira e vetme e të cilit është ta kufizojë personelin e tij, derisa e vetmja gjë që ata shohin është puna. Ky akt dërrmues e thyen atë pak besim që mund të ekzistojë mes punonjësit dhe menaxherit. Kur besimi ka ikur, dy gjëra mund të ndodhin: Një humbje e theksuar e produktivitetit, së bashku me një humbje të punonjësve. Po, kjo e fundit është rasti më i keq, por ndodh. Konkluzioni: Mos harroni, besimi është një rrugë me dy kalime: stafi juaj duhet të jetë në gjendje t'ju besojë juve sa më shumë, dhe ju t’i besoni atyre. Mikromenaxhimi i tepruar e shkatërron besimin.
Rreziku Nr 3: Punonjësit e varur
Për shkak të mikromenaxhimit, stafi juaj do të fillojë të varet nga ju, në vend që të kenë besimin për të kryer detyrat e tyre vetë. Mikromenaxhimi e bën ekipin tuaj të ndjehen sikur ata nuk mund ta përballojnë më punën, pa udhëzimin tuaj të vazhdueshëm. Ju duhet mbani parasysh që këta punonjës u punësuan fillimisht për shkak se sollën diçka në tryezë; aftësitë, talentin dhe njohuritë, që të gjitha unike, për secilin anëtar të personelit. Kur punonjësit nuk janë të varur nga ju, ata do të vazhdojnë të mendojnë më vete, dhe kur ata kanë lirinë për të menduar vetë, mund të ndodhin gjëra të mëdha. Konkluzioni: Nëse ju mikromenaxhoni punonjësit më shumë se sa duhet, aftësitë, talentet dhe njohuritë e tyre do të humbasin gjatë rrugës, duke ju lënë me një ekip që di vetëm si të bëjë, atë që i është thënë. Ju duhet t’u jepni punonjësve tuaj lirinë për të menduar dhe vepruar më vete.
Rreziku Nr 4: Rraskapitja juaj
Kjo duket si një arsye e thjeshtë, por shumë e rëndësishme, pasi mikromenaxhimi i tepërt është diçka që kurrë nuk duhet ta praktikoni: është vërtet rraskapitës. Të kontrollosh kaq shumë njervz çdo ditë, shumë shpejt do t'ju lodhë. Përfundimisht ju do të urreni punën tuaj, dhe kompaninë që ju ka punësuar. Do ta urreni atë mjaftueshëm dhe nga kjo, edhe mund të përfundoni duke e lënë punën, e deri duke mos dashur kurrë të ktheheni përsëri, në një rol menaxhimi. Sigurisht rraskapitja është gjithmonë një rrezik në çdo punë. Por djegia e energjive, ndërsa mikromenaxhoni, do ta ndezë atë fitil më shpejt se çdo gjë. Dhe mos harroni, se rraskapitja mund të infektojë edhe ata nën ju. Menaxherët, nuk janë të vetmit viktima të rraskapitjes; ndërsa ju “shpërtheni”, ka shumë gjasa të merrni edhe stafin tuaj me vete. Konkluzioni: Mikromenaxhimi nuk është i keq vetëm për punonjësit tuaj, por ai mund të ketë efekt të jashtëzakonshëm mbi shëndetin tuaj fizik dhe mendor. Merrni kohë që të tërhiqeni, merrni frymë thellë dhe kuptoni se ekipi juaj mund t’i përballojë detyrat e veta pa qëndrimin tuaj të vazhdueshëm, mbi kokë.
Rreziku Nr 5: Qarkullimi i lartë i stafit
Më lejoni ta them më thjesht: shumica e njerëzve nuk e vlerësojnë si diçka të mirë të qenit të mikromenaxhuar. Kur punonjësit mikromenaxhohen, ata shpesh bëjnë një gjë; largohen nga puna. Duke marrë parasysh arsyet pse drejtuesit mikromenaxhojnë (egoja, pasiguria, mungesa e përvojës, mania për përsosmëri, arroganca), thjesht nuk ia vlen, shkalla e lartë e qarkullimit të punonjësve. Kjo lind nevojën për trajnim dhe ri-trainim të vazhdueshëm të stafit të ri, e kjo jo vetëm i vjedh departamentin tuaj kohën, por ndikon në imazhin e kompanisë dhe shkatërron moralin. Stafet krijojnë miqësi e shoqëri midis tyre. Largimet i shkatërrojnë ato, dhe përfundimisht kjo shtyp edhe shpirtin e stafit. Konkluzioni: Mikromenaxhimi shpesh i bën njerëzit që të lenë punën.
Rreziku Nr.6 Mungesa e autonomisë
Kur ju mikromenaxhoni, punonjësit tuaj fillojnë të ndjehen sikur ata janë duke humbur autonominë e tyre. Kur kjo ndodh, ata dalëngadalë do të humbasin dëshirën për të bërë gjëra, përveç asaj që u kërkohet, dhe pak më shumë. Askush nuk do të hedhë hapa jashtë kutisë proverbiale apo të shkojë pak metra më tej për një detyrë. Jepuni po atyre njerëzve, një nivel të caktuar autonomie, dhe ata do krenohen me atë që bëjnë, dhe se si e bëjnë. Konkluzioni: Mungesa e autonomisë do asgjësojë rritjen personale e profesionale të punonjësit tuaj. Një nga qëllimet e menaxhimit duhet të jetë që t’i shikojë anëtarët e stafit të rriten, edhe në grada.