Ju keni nevojë për pushime të vërteta (dhe po kështu, edhe punonjësit tuaj)
Jemi në muajin kulmor të pushimeve, dhe diskutimet nësë duhet apo kemi mundësitë për t’i kryer ato, janë pjesë e rëndësishme e bisedave mes miqsh apo kolegësh. Mbi rëndësinë e kryerjes së pushimeve, po ju sjellim artikullin më poshtë, nga Laura Entis, duke shpresuar se jemi në kohë t’ju japim disa motive që të vendosni sa më shpejt dhe të shfrytëzoni rrezet e diellit apo aktivitetet e tjera të sezonit. Bëni gati valixhet dhe nisuni! Pushime të mbara!
* * * * *
Pushimet janë të rëndësishme. Nëse bëhen mirë, ato mund t'ju freskojnë për të ardhmen, t'ju nxisin aftësitë krijuese dhe të reduktojnë nivelet e stresit. Është momenti që duhet ndërmarrë ky hap dhe të shkëputeni nga rutina e përditshme, dhe kjo nuk është e dobishme vetëm për shëndetin tonë mendor dhe fizik, por mund të përmirësojë dhe nxisë edhe karrierën tonë.
Për fat të keq, sipas sondazheve të fundit, shumica prej nesh nuk janë duke i marrë shumë e shumë ditë pushimi.
Sondazhi zbulon se punonjësit në SHBA kanë marrë mesatarisht vetëm 51% të pushimeve të tyre të ligjshme e të paguara, gjatë vitit të kaluar. 15% nuk kanë marrë asnjëherë ndonjë prej ditëve të pushimit, ndërsa rreth 25% e të punësuarve rezultojnë se i kanë përdorur të gjitha ditët e pushimeve. Dhe, edhe kur jemi me pushime, studimi zbuloi se shumica prej nesh nuk shkëputet vërtet nga puna: 61% e të punësuarve të cilët kanë marrë pushimet, pranojnë se kanë bërë disa punë, ndërsa janë jashtë zyrës.
"Është e rëndësishme që drejtuesit kryesorë (CEO-t) dhe menaxherët e kompanive, të inkurajojnë punonjësit që të përdorin ditët e tyre të pushimeve" - thotë Scott Dobroski, një menaxher i lartë në Glassdoor. "Pushimet ndihmojnë punonjësit të shmangin rraskapitjen" - thotë ai. "Duke shfrytëzuar kohën e pushimeve ata mund të bëhen edhe më produktivë e më të kënaqur kur kthehen në punë, e cila përkthehet në tregues më të lartë qëndrimi dhe që mund t'i kursejë kompanisë mijëra dollarë".
"Ata që janë në poste të larta duhet të drejtojnë në mënyrë shembullore" - rekomandon Dobroski. "Nëse një drejtues kryesor (CEO) nuk është duke marrë pushimet e tij - apo nëse ai shkon me "pushime", por është ende i arritshëm 24 orë/ 7 ditë të javës - ai po deklaron qartë mënyrën se si të punësuarit duhet t'i trajtojnë ditët e tyre të pushimeve".
Por kjo nuk është korrekte, sepse ka përfitime reale nga kryerja e pushimeve të vërteta. Kjo ilustrohet qartë me fjalët e Sir Richard Branson "Kur shkoni në pushime, rutina juaj është ndërprerë, vendet ku shkoni dhe njerëzit e rinj që takoni mund t'ju frymëzojnë në mënyra të papritura".
Këtu janë pesë arsye më shumë se pse ju dhe punonjësit tuaj duhet të "heqin spinën nga priza":
Të fuqizoni dhe motivoni punonjësit. Duke e lënë zyrën për një javë ose dy, ju detyron juve të zhvendosni përgjegjësitë e mëdha tek punonjësit tuaj. "Unë kam vënë re se kur sipërmarrësit fuqizojnë stafin e tyre, ata janë më produktivë, sidomos kur shefi i tyre "është zhdukur"", - thotë Brian Miller, zyrtari më i lartë i AdviCoach, një ofrues trajnimesh të biznesit për kompanitë e vogla. Që të rrënjosni besimin tek punonjësit tuaj (edhe për qetësinë e mendjes tuaj), filloni delegimin e detyrave, ndërkohë që jeni ende në zyrë. Në këtë mënyrë, të marrin pjesë në bisedat e shitjes, inventarin e stokut etj., i lejon punonjësit të mësojnë përpara se të "fluturojnë" vetëm.
Për t'u frymëzuar. Richard Branson është një përkrahës i fortë i asaj për të qëndruar larg nga të gjitha. "Vendet ku shkoni dhe njerëzit e rinj që takoni mund t'ju frymëzojnë në mënyra të papritura", - shkruan ai. "Si një drejtues sipërmarrës ose i biznesit, nëse nuk ktheheni nga pushimet tuaja me disa ide se si t'i shkundni gjërat, kjo ju tregon se është koha të merrni në konsideratë se ju vetë duhet të bëni disa ndryshime".
Të nuhasni mosfunksionim. "Nëse shumica e punonjësve tuaj nuk janë duke përdorur ditët e tyre të pushimit, është një shenjë që po ngrihet flamuri i kuq", - thotë Andrea Herran, themelues i Focus HR, konsulente e burimeve njerëzore. A ka ndonjë lloj mosfunksionimi aty? A ka ndonjë problem me ekipin? Punonjësit mund të jenë të hutuar nga ndryshimet që mund të ndodhin, apo mund të qëndrojnë për të mbuluar keqfunksonimin. "Punonjësit duhet të pushojnë dhe të rikarikohen. Nëse ata nuk janë duke e bërë këtë, aty mund të ketë diçka që mund të jetë seriozisht e gabuar dhe që mund të dëmtojë kompaninë tuaj", - thotë ajo.
Të fitoni një perspektivë të re. Për Crosby Noricks, një strateg marketingu në fushën e modës dhe themeluesi i PR Couture, pushimet "aktualisht nxisin kreativitetin dhe krijimtarinë time dhe i japin hapësirë trurit tim për të dalë me ide të mira, zgjidhje për problemet dhe efektshmëri, që unë nuk mund ta gjej gjithmonë në qoftë se jam duke punuar me ritëm të shpejtë".
Të shkëputesh. "Të marrësh pushime, shpesh shihet si zgjidhje e dembelit, por kjo mund të jetë një mënyrë e gabuar për ta parë atë", - thotë Bonnie Hayden Cheng, një student PhD në Universitetin e Torontos. Kohët e fundit, Cheng ishte bashkë-autor i një studimi i cili shqyrtoi një grup studentësh të universitetit që ballafaqohen me punën, familjen dhe përgjegjësitë akademike. Pjesëmarrësit të cilët praktikuan shkëputjen e plotë duke vendosur, që gjatë ditëve të pushimit, të mos kishin asnjë lidhje me problemet e tyre dhe duke u marrë më diçka krejtësisht pa lidhje me punën e tyre, ishin shumë më mirë në gjendje të menaxhonin detyrat e tyre, krahasuar me ata që u përpoqën për të vazhduar përpara pa marrë pushimet.
Kjo mund të tingëllojë si jo produktive, por "shkëputja në mënyrë aktive e mendjes tuaj nga të gjitha problemet e tanishme, në fakt ju ndihmon, kur ktheheni, të menaxhoni shumë përgjegjësi dhe role, dhe çon në rritjen e nivelit të kënaqësisë [në punë]", - thotë Cheng.