Blog

7 Fushat e Suksesit

7 Fushat e Suksesit

Do doja të shkruaja diçka si hyrje, mbi këtë shkrim nga Chris Widener – ekspert mbi lidershipin dhe zhvillimin profesional, por nuk munda të shtoj gjë, pasi fjalët e Theodore Roosevelt janë hyrja më e mirë. Lexim të këndshëm.

                                                                       * * * * *

 "Nderimi i takon njeriut që është vërtet në fushën e luftës, fytyra e të cilit është mbuluar nga pluhuri, djersa dhe gjaku, ai i cili lufton me trimëri; ai që gabon dhe ngrihet përsëri e përsëri, ai që karakterizohet nga entusiazmi i madh, nga devotshmëria e madhe dhe e fal jetën për një kauzë të denjë, ai i cili në rastin më të mirë njeh në fund triumfin e arritjeve, ose ai i cili në rastin më të keq, nëse dështon, të paktën dështon duke guxuar çmendurisht". - Theodore Roosevelt

Shkalla e suksesit tonë është e lidhur direkt me shkallën në të cilën ne shkëlqejmë duke balancuar gjëra të caktuara, ose parime të jetës sonë. Çdo person, organizatë dhe biznes mund, dhe duhet, të veprojnë në të shtatë fushat e mëposhtme. Ja se si:

  1. Unë jam ... : Fusha e vlerave

Çdo person, organizatë dhe biznes ka vlera, dhe ndoshta ata nuk mund t’i dinë apo të jenë në gjendje t’i artikulojnë se çfarë janë, por ata i kanë ato. Vlerat e një biznesi janë ato që ata besojnë: Çfarë mendojnë ata se është e rëndësishme?

Si një vlerë e kompanisë do të ndikojë në mënyrën se si ecën biznesi dhe se si punonjësit do të veprojnë e punojnë, kështu që është e rëndësishme të dini se çfarë janë këto vlera. Ja disa pyetje që mund t’ja bëni vetes: Çfarë mendojmë se është e rëndësishme? Çfarë shpresojmë se do të arrijmë? Mbi çfarë besojmë se do të realizojmë me punën tonë?

A ka tregues të qartë në vendin tuaj të punës, ose në shtëpi, që veprojnë në fushën e vlerave? A mund të thoni pa medyshje "Unë jam", ose "Ne jemi"?

  1. Unë duhet ... : Fusha e përgjegjësisë

Cilat janë përgjegjësitë që drejtojnë jetën tonë?

  • Të jem një person, ose kompani me integritet të lartë. Në fund të fundit ne kemi arritur një shkallë suksesi, me atë, që jemi njerëz të nderuar. Kjo do të thotë se ne jemi të ndershëm, punëtor dhe të hapur. Unë mendoj se nuk ka rëndësi se sa para akumulon një person, në qoftë se ai nuk është një person me integritet.
  • Të kemi familjen prioritetin tonë. Ndonjëherë mendoj për të gjithë njerëzit që i ndihmoj dhe me të cilët punoj fort çdo ditë, dhe imagjinoj se asnjë prej tyre nuk do të jetë afër meje, kur të vijë momenti që të jap frymën time të fundit. Gruaja ime dhe fëmijët e mi do të jenë rreth meje, e kështu ata duhet të marrin më shumë nga unë.
  • Të japim për bamirësi. Një nga gjërat që ne, si njerëz të shëndetshëm e të suksesshëm, duhet të bëjmë, është që të dhurojmë para, kohë dhe gjëra pa kushte. Në vend të ndonjë dhurate herë pas here, vendosni çdo muaj një sasi të caktuar parash për dhurim në buxhetin tuaj, e kur të bëhet një shumë e konsiderueshme dhurojeni atë. Në fillim do të mendoni se kjo është e pamundur, por provojeni dhe do ta shikoni. Nga fundi i jetës tuaj, nëse do të shikoni prapa, do të shihni ndryshimin që keni bërë.
  1. Unë mund ... : Fusha e mundësisë

Shpesh njerëzit gjenden si të ngecur në rutinën e tyre ditë pas dite, sa që e humbasin dëshirën për jetën. Ata përpiqen çdo ditë, dhe mund të jenë duke bërë një punë të rëndësishme, por ata harrojnë të ëndërrojnë. Ata harrojnë të mendojnë për atë që mund të jenë.

Si është biznesi juaj në fushën e mundësisë? Çfarë do të ndodhte nëse në takimin tuaj të ardhshëm me stafin, pavarësisht nëse jeni 30 njerëz apo vetëm ju dhe partneri juaj, ju bëni këtë pyetje: "Cilat janë mundësitë, që ky biznes të bëjë vërtet diçka të madhe?" Unë mendoj se ndoshta do të habiteni me atë që mund të dëgjoni.

Njerëzit kanë ide të mëdha, ëndrra dhe mundësi brenda tyre, ata kanë nevojë vetëm për dikë, që të ndalojë për një moment punën rutinë dhe të bëjë këtë pyetje, e rrethuar kjo nga një atmosferë pranimi.

  1. Unë jam gati të ... : Fusha e Negocimit

Çdo mundësi ka një kosto të lidhur me të. Në këtë pikë, një organizatë jo vetëm që thotë se "ne mund të", por edhe brenda vetes shtron pyetje në lidhje me marrëveshjet, si:

Nëse kjo do të ndodhë, cila është kostoja? A ja vlen?

Nëse kjo do të realizohet, cilat do të jenë pasojat në fushat e tjera të biznesit tim? Çfarë rregullime të tjera do të duhet të bëhen, dhe a ja vlen kjo?

Cili do duhet të jetë shpërblimi për mua, në mënyrë që ta ndjek këtë mundësi?

Sa kohë do të më duhet për të arritur këtë mundësi? Në dritën e kësaj, a do të duhet të ndryshoj organizimin për këtë periudhë kohore?

Merrni pak kohë për të vlerësuar kostot e mundësive tuaja. Pastaj, kur të gjeni mundësinë më të mirë, realizojeni atë.

  1. Unë dua të ... : Fusha e vizionit

Tani, nga gjithë këto mundësi, cilën prej tyre do donit ta realizonit në të vërtetë? Idetë që plotësojnë pasionet tona për përsosmëri, janë gjëra që mund të "shihen" lehtë. Ato mund të bëhen "vizioni" ynë.

Në mënyrë që diçka të ndodhë, duhet që dikush ta “shikojë” shumë më përpara se kjo të ndodhë në realitet. Nëse paratë dhe koha, nuk do ishin problem, dhe në qoftë se do e dinit se nuk do të dështonit në përpjekjen tuaj, çfarë do donit të provoni? Pastaj, pse nuk e provoni? Ky është vizioni juaj. Dhe një vizion është një gjë shumë e fuqishme, është ajo që drejton suksesin dhe arritjet.

Gjëra të mëdha shikojmë kur ëndërrojmë, dhe vizioni na shtyn të arrijmë shumë më larg, nga ku jemi tani.

"Është shumë më mirë të guxojmë gjëra të mëdha, për të fituar triumfe të lavdishme, edhe pse të fshikulluar nga dështimi, se sa të rrijmë bashkë me ata shpirtra të varfër, të cilët nuk gëzojnë dhe as vuajnë shumë, sepse jetojnë në muzgun gri, që nuk njeh as fitoren dhe as humbjen". - Theodore Roosevelt

  1. Unë do të ... : Fusha e dedikimit

Këmbëngulja është gjëja më e rëndësishme në punë. Unë besoj shumë se ajo që i ndan të suksesshmit nga të pasuksesshmit është thjesht dedikimi. Të suksesshmit nuk janë gjithmonë të zgjuarit, ata që kërkojnë më të mirën apo ata me diploma prestigjioze. Në vend tyre, janë ata që thonë: "Unë do ta bëj këtë!" dhe "vështirësitë nuk do të më pengojnë mua!" Këta njerëz kanë hyrë dhe jetojnë vazhdimisht në fushën e përkushtimit. Të qëndruarit për një kohë të mjaftueshme aty, zakonisht i vë ata në krye.

Përkushtimi është çelësi i suksesit. Po hapi tjetër? Të punuarit fort! Të merrni parasysh të gjithë punën e madhe që do t’ju duhet për realizimin e ëndrrave tuaja, pastaj të kaloni ca kohë duke u përgatitur për të përmbushur sfidat. Këtu janë disa pyetje për t'ju ndihmuar të kuptoni procesin, të përgatisni veten për punën e madhe që keni përpara dhe t’ja dilni në fund me sukses.

  • Cilat janë pengesat që do të përballeni?
  • Si do t'i kapërceni këto pengesa?
  • Çfarë lloj qëndrimi dhe përkushtimi do t’ju nevojitet kur të vijë koha për t'u përballur me vështirësitë dhe pengesat?
  • Cilat janë shpërblimet që do të sjellë përkushtimi juaj, për ju si individë dhe për kompaninë?

Duke u ndalur për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve, kjo do t'ju ndihmojë të përgatiteni, për momentin kur do t’ju duhet të tregoni përkushtim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri. Përgatitja mendore tani do t’ju forcojë që të keni sukses më vonë.

  1. Unë do të ... : Fusha e arritjes

Arritja vjen kur puna përfundon plotësisht. Çfarë është e rëndësishme në këtë fazë? Vetëm pak gjëra:

  • Një pushim i shkurtër. Nuk është koha për të ndenjur ashtu kot, por pushimi mund të jetë një shpërblim shumë i nevojshëm për gjithë punën e madhe që keni bërë deri tani. Pasi keni ndjekur ëndrrat tuaja, trupi dhe mendja juaj kanë nevojë për një pushim të merituar.
  • Një festë e vogël. Festimet janë gjë e madhe për ne. Çfarë kuptimi ka gjithë kjo punë e bërë, nëse nuk mund të gëzoni frytet e saj? Kjo ndoshta, mund të jetë një darkë e vogël jashtë, ose një festë e madhe për 100 miqtë dhe bashkëpunëtorët tuaj më të afërt, apo një pushim ekzotik.
  • Ndjenja e përmbushjes. Shpërblimi më i madh, siç thotë dhe shprehja e vjetër, është "kënaqësia e një pune të bërë mirë". Jo shumë njerëz kanë mundësi ta bëjnë këtë. Gëzoju kënaqësisë!
  • Synimi për më lart. Një nga gjërat e bukura të jetës është sfida e lartësive të reja. Ju keni arritur objektivin tuaj, dhe kjo është një gjë shumë e mirë, por ... çfarë vjen më pas?